=Pellazgjishtja e Lutfulla Pezes, Matiy Arefit, Altin Kocaqit, Besir Bajramit, Bajram Dojit, Fahri Xharres etj..=
Parathenje nga Dardan Leka,
Një gojdhanë e vjetër tregohët tek ne,
Dikur
moti na ishte njëherë një mbret, kishte mobilizuar një ushtri për
luftë dhe para se të bëhëshin gati të shkonin në fushëbetej, mbreti
iu thotë ushtarve të rinjë;
- A i keni ende gjallë baballarët tuaj, gjyshin apo babain ?
E ngriten doren shumica dhe mbreti i dau anash e iu tha;
-
Keni një javë pushim, nëse e doni nga një dhurt te madhe prej
meje, vrani gjyshin apo babain tuaj, do shperblehni posa te
kthehëni...
Dhe këta te rinjët e shkret bëjnë si iu tha mbreti, i mbysin të gjithë pleqët dhe kthehen, perpos njërit prej tyre...
Ai
ishte qelluar i mençur, posa u kthye në shtab, e gënjeu mbretin, i
thotë; "..E vrava gjyshin tim, te vetmin që kujdesj për mua qysh
kur isha i vogël.." -dhe mbreti gëzohët, mirë ua keni bërë iu thotë,
por, tani keni edhe një detyr tjetër ta kryeni, ai që nuk ia arrinë
do ti pritet koka me këtë shpat mu këtu para të gjithë ushtarve, iu
thotë mbreti dhe perulet në tokë, e merrë një grusht zallë(rërë) para
këmbëve dhe iu thotë të rinjve;
-E shihni, në dorë kam një
grusht zallë, por, nga ju dua që, kur të kthehëni nga shtëpia
juaj të më bëni nga një qafore rruzash prej këtij zalli...
Ushtarët e rinjë mbeten te habitur, e shikonin njëri tjetrin, i mbushen gjepat me zallë e shkuan në shtëpi të tyre.
Mirëpo
ky djali i zgjuar, më i mençuri, i cili e kishte gënjyër mbretin
gjoja se e kishte mbytur edhe ai gjyshin e tij, posa kthehët në
shtëpi, shkon e gjënë gjyshin e tij që e kishte fshehur diku në
një ahur, dhe i tregon se ai kishte një hall te madh, koka do i
shkonte nëse nuk ia sjellte mbretit rruzat e punuara nga zalli...!
Posa
e dëgjoi djaloshin mirë, plaku i tha; "Mos u shqetëso fare boro,
kthehu tek mbreti më këtë grusht zallë dhe pyete mbretin;
"Lartëmadhêri,
ju lutemi, a keni mundësi te ma jepni modelin e çqafores se ç'farë
rruzash i doni dhe unë do t'ua sjelli punën që kerkoni nga unë"
Pa
frikë fare siç e kishte kështillua gjyshi i tij, djaloshi pas dy
javësh kthehet para oborrit të mbretit ku ishin rradhitur të gjithë
ushtarët gatitu para tij, duke i pyetur secil prej tyre me rradh;
"A e keni kreyer detyren tuaj, nxirrni ti shohim rruzat prej zallit " ?
Por
për fatin e keq te tyre, të gjithë një nga një me grushtin plotë
zallë iu pergjigjeshin mbretit se, "Lartmadhëria juaj, e pamundur të
bëhën nga zalli rruza"... dhe me urdhër të mbretit menjëherë
atyre që thoshte "ishte e mamundur" i'u prehej koka para syve te
gjithëve...!
Tani i erdhi rradha edhe këtij djaloshit i cili nuk
e kishte kryer urdhërin e mbretit por e kishte fshehur gjyshin e
tij, dhe menjëherë ky nxjerrë zallin e i thotê mbretit; "Lartëmâdhni,
ju lutemi, kërkoj nga Ju të më jepni një model nga këto rruzat e
zallit dhe do ta sjelli punën javën tjetër"...
Mbreti e hetoi
menjëherë se, ky djaloshi kishte gënjyër, nuk e ka vrarë gjyshin e
tij me urdhër të mbretit si te tjerët, iu afrua mbreti e i tha;
"Ti je i falun, shko në shtëpi dhe perqafoje gjyshin që ta shpëtoi jeten"....
Djaloshi u khye në shtëpi dhe e perqafoi gjyshin e tij te dashur, që te dyve iu mbushen sytë me lotë...!
Pra,
edhe ne sot ashtu kemi mbetur, me urdhëra te te huajve se gjoja do
na dekorojn me dhurata nëse i mbysim te gjthë Akademiket tanë te
vjetër sepse ata sepse janë plakur dhe kujt i duhen këta pleq, askujt ?
POR qe ky është rezultati, shkojmi drejtë humneres pa Akademikët tanë
te vjetër do e perfundojmi edhe më keq..!
Mirëpo për fatin tonë
te mirë kan mbetur ende gjallë edhe disa si, Korkuti, Mensaku dhe ky
profesori yni i urti Emil Lafe, Zoti iu dhasht jetë te gjatë, gëzohemi që shpetuan prej nipave, nuk i mbyten me urdher te sultanit ...
=DISA MENDIME RRETH SHQETËSIMEVE PËR RRËNJËT E GJUHËS SHQIPE DHE PËR SHQIPEN E SOTME=
Nga: Profesor Emil Lafe
E vërteta për rrënjët e gjuhës shqipe dhe të tjera...
Nga: Profesor Emil Lafe
E
vërteta për rrënjët e gjuhës shqipe dhe të tjera...Në “Tirana Observer”
të datës 7 qershor është botuar artikulli “Shqetësuese janë rrënjët e
gjuhës shqipe” nga prof. dr. Luftulla Peza, kryetar i Shoqatës “Qendra e
Studimeve Pellazgjike” Tiranë – Prishtinë.
Para dy vjetësh kjo
Qendër organizoi Simpoziumin II Ndërkombëtar “Pellazgët, gjuha dhe
pasardhësit e tyre”. Artikulli merr shkas nga letra që një grup
intelektualësh (ndër ta edhe unë) i kanë drejtuar kryeministrit E. Rama
për t’i kërkuar përkujdesjen e shtetit ndaj gjuhës standarde shqipe, siç
quhet gjuha shqipe e përdorimit publik me rregullat e saj që mësohen në
shkollë. Mendoj se kryeministri Rama e dha përgjigjen e vet në fjalën e
mbajtur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së
Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Kosovës për njësimin e
kurrikulave të arsimit parauniversitar.
Ne, nënshkruesit e
letrës, kemi detyrë të japim ndihmesën tonë për të sendërtuar programin e
dy qeverive, që synon, mund ta themi kështu, ndërtimin dhe konsolidimin
e një shteti unik arsimor-kulturor shqiptar.
Lidhur me
artikullin e prof. dr. Luftulla Pezës e quaj të nevojshme të shpreh disa
mendime e të jap dhe disa sqarime, sidomos për ata që e kanë lexuar ose
mund të lexojnë shkrime të ngjashme. Por më parë po përpiqem të
përmbledh në disa pika idetë e autorit sipas radhës së shtjellimit në
artikull:
1) standardi i sotëm i shqipes i vendosur në kohën e
regjimit totalitar është i vjetruar, i plakur dhe duhet të ecë përpara
me shoqërinë;
2) ruajtja e këtij standardi mbyll shtigjet e hulumtimit drejt lashtësisë pellazge;
3) kur u vendos standardi u shkelën mjaft rregulla të gjuhës shqipe, sepse vendosi politika;
4)
gjuhëtarët dhe historianët shqiptarë, duke shkelur të gjitha rregullat
shkencore, i kanë prerë rrugën gjuhës shqipe drejt gjuhës pellazge dhe
ilire me të cilat ajo lidhet dhe ka vazhdimësi të plotë; veprat që e
lidhin gjuhën e lashtë pellazge me gjuhën shqipe as analizohen, as
kundërshtohen dhe as pranohen;
5) Homeri dhe Hesiodi, që kanë jetuar
para shek. VIII para erës së re, i përkasin racës pellazge, që e
përshkruajnë me dashuri dhe madhështi (d.m.th. nuk janë grekë);
6)
gjuhëtarët shqiptarë njohin vetëm standardin të bazuar në toskërishten
dhe e kanë shpërfillur gegërishten, prandaj nuk e përmendin lidhjen e
fjalës së parë të “Iliadës” menin, me fjalën e gegërishtes mëni
(toskërisht mëri), që ka po atë kuptim, por është jashtë standardit;
7) duke mohuar pellazgët si stërgjyshërit tanë, historianët dhe gjuhëtarët shqiptarë nuk mund të vërtetojnë autoktoninë tonë;
8)
qindra mbishkrime me shkrimin ilir dhe në gjuhën ilire janë në muzetë e
Durrësit dhe të Apolonisë, por padrejtësisht gjuhëtarët shqiptarë nuk i
pranojnë si të gjuhës shqipe;
9) shqipja e njësuar është arritje e madhe e kulturës sonë, duhet mbështetur, por edhe do pasuruar dita-ditës.
Disa nga këto nëntë pika kanë të bëjnë me gjuhën e sotme, me shqipen standarde, ndërsa të tjerat me lidhjet shqiptaro-pellazge.
Të
shohim në fillim çështjet lidhur me shqipen e sotme. Pohohet se
standardi i sotëm i vendosur në kohën e regjimit totalitar është i
vjetruar. Pyetja e parë që del këtu është: ç’do të thotë “i vjetruar” në
këtë rast?
Një aparat fotografik, një makinë, një kompjuter
mund të jenë të vjetruar, se kanë dalë të tjerë më modernë, më të
përkryer. Po në rastin e standardit të shqipes çfarë ka dalë? P.sh.
çfarë gramatike (se gramatika është thelbi i gjuhës) ia ka zënë vendin
realisht këtij standardi (p.sh. në gjuhën që përdoret në veprimtarinë e
shtetit e të shkollës, në shtyp, në letërsinë shqipe e të përkthyer? Më
tej, si matet vjetrimi i një standardi?
Sistemi fonetik i
shqipes standarde (7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore) u caktua më 1879
nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll, alfabeti i sotëm
(36 shkronja) u caktua më 1908 në Manastir, drejtshkrimi u sanksionua
(në thelb ishte caktuar që më 1954-56) më 1972 në Kongresin e
Drejtshkrimit, në të njëjtën kohë doli edhe “Gramatika” e Akademisë së
Shkencave, më 1980 u botua “Fjalori” normativ. Po popujt e tjerë kur i
kanë bërë ato punë që ne nisëm t’i kryejmë nga viti 1879 e këtej? Ç’kanë
bërë ata me gjuhët e tyre letrare “të vjetruara”?
A mund të
quhet që është vjetruar shqipja standarde, sepse disave u është mbushur
mendja që në vend të: Shqipëria, Durrësi, mjekësia, këngëtar, grurë,
ujë, burrë, arinj, ullinj, gjunjëzohem, male të larta, ujëra të
turbullta – siç i përdorim tani – të shkruajnë: Shqipria, Durrsi,
mjeksia, këngtar, grur, uj, burr, arij, ullij, gjujzohem, male të lartë,
ujëra të turbullt etj., d.m.th. ta shndërrojmë shkollën në një lloj
kursi kundër analfabetizmit! (në këto ujëra të turbullta a të turbullt –
si të doni! – kanë shkarë mjerisht disa kolegë të mi “ndërakademikë”,
për të peshkuar lavdinë e tyre të munguar drejtshkrimore!).
Apo
që në vend të: gjykatë, ngarkoj, (rrugë) këmbësore, mbresë, pjesëmarrje,
sigurim, shkarkoj, shtylla kurrizore, zhvendosem, të themi tribunal,
karikoj, (rrugë) pedonale, impresion, participim, siguracion, daunlodoj,
kolona vertebrale, spostohem?
Ky është vjetrimi i standardit për të cilin bën fjalë prof. dr. L. Peza?
Kjo
mbetet për të sqaruar prej tij. Apo është fjala për të “shartuar” në
standard paskajoren, siç ka bërë ndër të tjerë edhe Enver Hoxha në
shkrimet e viteve të luftës, kur shkruante p.sh.: ... përpiqet me mish e
me shpirt me e shpërnda frontin e gjerë të popullit tonë; ... po
shkelin vatrat tona për me gjuejtë patriotët; ... ta gënjejë popullin,
t’i hedhë hi syve për me muejtë më mirë me ja mbërritë qëllimeve të
tija; ... u përpoqën ta mobilizojnë popullin për me e çue të vritet në
Libi; Fashizmi e ruante këtë spiun të vjetër (Mustafa Merlikën) për me e
qitë kur ta shihte pisk ... etj. Ky lloj shartimi, që pasqyron në
gjuhën e shkrimit përzierje dialektore të rastit, nuk pati (e nuk mund
të kishte) sukses dhe u la mënjanë. Më kujtohet mësuesi im i gjuhës dhe i
letërsisë në gjimnazin e Durrësit (1951-52), shkrimtari Bedri Rama, që
më qortonte: Mos ngatërro dialektet! – kur unë, që vija nga 7-vjeçarja e
Lushnjës, përpiqesha t’i shkruaja hartimet pak “durrsakçe”, si shokët.
Që
të cilësohet diçka si e vjetruar, duhet treguar edhe çfarë është
vjetruar dhe cila është e reja që ka dalë dhe e ka zëvendësuar.
Sigurisht edhe në gjuhë ka trajta gramatikore, fjalë e shprehje që
vjetrohen dhe dalin nga përdorimi. Dikur gramatikat përmbanin, p.sh.,
trajta si: majat e malevet, martoi djalën, fletoret e tija, iu muarën
këmbët, por sot këto trajta kanë dalë nga norma gramatikore (dëgjohen në
gjuhën e folur) dhe në vend të tyre përdorim: majat e maleve, martoi
djalin, fletoret e tij, iu morën këmbët etj. Këto ndryshime në gjuhë
janë shumë të ngadalshme, gati-gati nuk vihen re.
Gjuhëtarët që
merren me hartimin e gramatikave kanë metodikat dhe parimet e tyre për
të nxjerrë nga norma e për të ngritur në normë këtë ose atë trajtë.
Kjo
nuk bëhet se “ashtu më do qejfi mua”, por është rezultat vëzhgimesh e
studimesh. Kthesat politike e shoqërore pasqyrohen në fjalorin e një
gjuhe, p.sh. sot fjalë e shprehje të tilla si aksion me goditje të
përqendruar, emulacion socialist, fushatizëm, këndi i kuq, libër
shtëpie, norma kolektive, organizatë-bazë, triskë fronti, tabelë nderi
etj., kanë dalë nga përdorimi; nga ana tjetër kanë hyrë në përdorim
fjalë e shprehje si aplikoj (për punë), arsim publik, asistencë sociale,
celular, dialogoj, digjital, digjitalizoj, divë, dizajn, evazion
fiskal, harddisk, homofobi, kompjuter, legalizim, master, online,
pengmarrje, privatësi, tender, tenderim etj. etj. Por kthesat politike
nuk kanë të bëjnë me drejtshkrimin e me gramatikën.
Prapa
kërkesave këmbëngulëse për të ndryshuar normën drejtshkrimore e
gramatikore (se kaluan 40 vjet! u mërzitëm me këtë drejtshkrim!) qëndron
synimi i disave për të filluar kthesën gjuhësore, d.m.th. për të
ringjallur urtë e butë ndonjë kinse standard të vjetër ose për të
krijuar njëfarë standardi të ri, mjaft që të shpëtojmë prej këtij
standardi komunist (!?). Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që i
tërheq ideja e standardit të vjetruar që duhet ndryshuar! Jemi mburrur
dikur me guximin për të ecur “në rrugë të pashkelura”!
Mjaft më me
mburrje të tilla! Le të shohim dhe ç’bën bota, me sa kujdes e
përgjegjësi vepron në raste të tilla. Një fjalë e urtë në anglishte
thotë: “Mos u rrek të ndreqësh diçka që nuk është e prishur!” Gjuha jonë
standarde nuk është një mekanizëm i prishur, është një mekanizëm shumë i
mirë, por si çdo mekanizëm duhet mësuar me durim për ta përdorur, dhe
duhet mirëmbajtur!
Kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme e ngulitjes së gjuhëve standarde.
Në
vitin e bashkimit të Italisë në një shtet (1861) vetëm 3 për qind e
italianëve e përdornin italishten letrare! Të tjerët flisnin në
dialektet e krahinave e të qyteteve të tyre (Piemont, Lombardi, Liguri,
Kalabri, Pulje, Sicili, Torino, Milano, Gjenovë, Venecie, Romë, Napoli
etj.) ose në gjysmëdialekt. Por me kohë italishtja nga gjuha e një
pakice, u bë gjuhë e të gjithëve (La lingua italiana da lingua di pocchi
è diventata lingua di tutti – kështu e përcaktojnë gjuhëtarët
italianë), pa i bërë dhunë drejtshkrimit dhe gramatikës, pa e shqepur
këmishën e normës letrare, me qëllim që në një këmishë të gjerë të gjerë
“gjithëpërfshirëse” gjithkush “ta ndiente veten komod”, siç po kërkojnë
sot disa. Ndërkaq edhe atje dialektet bënin dhe bëjnë jetën e tyre
paralelisht me gjuhën letrare. Ajo që ka ndryshuar, është se, ndërsa më
parë dialekti funksiononte si gjuhë e parë për shumicën, sot për
shumicën ai është gjuha e dytë, ndërsa gjuhë e parë është bërë
italishtja standarde me disa ngjyrime rajonale.
Shkolla dhe jeta
shtetërore e përbashkët kanë bërë dhe bëjnë punën e tyre brez pas
brezi. Edhe ne jemi duke ecur asaj rruge. Në këtë kapërcyell të
shekullit, kur po ndërtohet ajo që mund ta quajmë “shteti i përbashkët
arsimor-kulturor shqiptar”, gjendja për ne paraqitet mjaft më e
favorshme. Por duhet të kemi mendjen, të shikojmë përpara, të mos e
mbajmë vështrimin prapa. Përpjekjet t’i drejtojmë për përvetësimin e
standardit, jo për ndryshimin me arsyen e paqenë se qenka “i vjetruar”.
Më
tej në artikullin e prof. dr. L. Pezës thuhet se “kur u vendos
standardi u shkelën mjaft rregulla të gjuhës shqipe, sepse vendosi
politika.” Më takon të jap këtu nja dy sqarime të shkurtra, edhe si
dëshmitar i punëve. Pas botimit të librit të Stalinit “Marksizmi dhe
çështje të gjuhësisë” gjuhëtarët nuk u rrezikuan nga ndërhyrja e
politikës.
Pse?
Sepse Stalini sqaroi në atë libër se
gjuha është një fenomen shoqëror i një tipi të veçantë, nuk është as
pjesë e bazës, as pjesë e superstrukturës së shoqërisë, se gjuha nuk ka
karakter klasor, nuk është ideologji, ajo u shërben njësoj si klasave
shfrytëzuese, ashtu edhe klasave të shfrytëzuara. Në atë libër Stalini
kërkon që çështjet e gjuhës të zgjidhen nëpërmjet diskutimesh shkencore
dhe ka formuluar atë thënien e njohur: “Gjithë bota e di se asnjë
shkencë nuk mund të zhvillohet dhe të vejë mbarë pa luftë mendimesh, pa
liri kritike.” Ky citat, i shkruar me shkronja të mëdha dhe me emrin e
Stalinit poshtë, ka qenë një lloj embleme në veprimtari të ndryshme
shkencore të asaj kohe.
Po të shikoni revistën shkencore të
Institutit të Gjuhësisë, do të gjeni plot kronika diskutimesh e
kritikash të tilla shkencore. Unë e siguroj prof. dr. L. Pezën se në
Institutin e Gjuhësisë nuk kemi shkelur ndonjë rregull të gjuhës shqipe
me ndërhyrjen e politikës.
Në fund të artikullit prof. dr. L. Peza i
kthehet edhe një herë gjuhës standarde duke u shprehur se shqipja e
njësuar është arritje e madhe e kulturës sonë, duhet mbështetur, por dhe
do pasuruar dita-ditës. Ky është një mendim shumë i arsyeshëm, shumë i
drejtë dhe e përkrah plotësisht.
Me këtë autori duket se
korrigjon disa pohime të pasakta që ka hedhur në fillim të shkrimit të
tij. Për fat të keq institucionet kërkimore të fushës nuk po arrijnë të
bëjnë atë që duhet, dhe në këtë kuptim shqetësimi dhe kërkesa e prof.
dr. L. Pezës janë gjithashtu shprehje e një shqetësimi dhe kërkese më të
gjerë intelektuale e shoqërore. Një Këshill Ndërakademik që është bërë
tashmë botërisht i njohur për shterpësinë dhe kotësinë e tij, është
ngulitur te ideja sa absurde aq dhe e dëmshme për të rrëzuar de jure e
de facto Kongresin e Drejtshkrimit (komunisto-punist!).
Në të
vërtetë çështja e drejtshkrimit pas Konsultës së Prishtinës të vitit
1968 ishte, në parim dhe në thelb, e zgjidhur. Kongresi i vitit 1972 e
sanksionoi atë zgjidhje, i vuri një vulë të pashlyeshme mbarëkombëtare.
Për herë të parë pas nëntorit 1912, në nëntor 1972 delegatë shqiptarë
nga të gjitha trojet etnike, nënshkruan së bashku një dokument kombëtar
(Rezolutën e Kongresit), duke pohuar me këtë njësinë kombëtare e
kulturore të hapësirës së tyre etnike dhe duke u mbledhur rreth flamurit
të gjuhës së njësuare e të përbashkët letrare. Ky veprim i mbarë i
Kongresit të Drejtshkrimit për ecurinë e mëtejshme të zhvillimeve
frytdhënëse e konvergjente të jetës mendore, të kulturës e të shoqërisë
shqiptare në tërësi është dhe arsyeja e vërtetë e mërisë, me frymëzime
jugosllaviste, ndaj tij. Është për të ardhur keq për ata që ia kanë hyrë
“të ripeshojnë me gjysmëhijet e tyre shkencore dhe gjysmëhijet e tyre
politike, dy pjesët e trupit, kaherë të bashkuar njëherë e mirë të
gjuhës sonë.”
Dhe të kthehemi te çështjet e pellazgjishtes.
Këtu
nuk do të flas si kompetent, sepse nuk jam, por do të jap disa të
dhëna, mendoj të dobishme për lexuesin. Më 1854 u botua vepra “Studime
shqiptare” e J. G. von Hahnit, themeluesit të albanologjisë në kuptimin e
vërtetë shkencor të fjalës (E. Çabej). Hahn-i i shihte shqiptarët jo
vetëm si pasardhës të Ilirëve, po edhe të epirotëve e të maqedonëve dhe
të gjithë këta popuj i mbante si të ardhur nga Pellazgët. Pellazgët për
të ishin një popullsi paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë
grekëve të vjetër.
Shkrimtarët dhe veprimtarët e Rilindjes
Kombëtare Shqiptare e rrokën me entuziazëm këtë tezë të Hahn-it dhe i
dhanë përhapje në shkrimet e tyre. Kjo tezë u shërbeu si mbështetje për
kërkesën e tyre themelore, që ishte: njohja e Shqiptarëve si një popull
më vete, me të drejtat e tyre dhe me rrugë historike të veçantë.
Naim
Frashëri, për t’i mbrujtur shqiptarët me idenë kombëtare, për t’i bërë
krenarë për lashtësinë e fisit shqiptar, e përdori këtë tezë të
origjinës pellazgjike dhe shkroi ndër të tjera edhe vjershën e njohur
“Shqipëria”, që nis me vargjet:
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qenë,
Pellazg’ u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.
Atëherë
kombi ynë ishte, si të thuash, në moshën foshnjore, e tërhiqnin mitet e
tregimet legjendare. Kështu pak nga pak teoria pellazgjike u kthye në
një lloj manie, u bë si një postulat i shqiptarëve.
Që më 1902
Faik Konica ndër shtatë aforizmat e “shqiptarit të ditur”, vë të parën:
“Shqipëtarët zbresin prej Pellazgëve. Kush mendon ndryshe, - në qoftë i
huaj, është gomar; në qoftë Shqipëtar, është tradhëtar.” Kjo lloj manie
ka vijuar dhe vijon edhe sot. Në vitet ’50-’60 me interesimin e vetë
Enver Hoxhës iu dha trajtim i posaçëm ekonomik Spiro Kondës,
ish-profesor i Liceut të Korçës, i cili po shkruante një libër që u
botua më vonë me titullin “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” (1962
greqisht, 1964 përkthimi shqip). Spiro Konda bashkë me Aleksandër
Xhuvanin ishin dy dijetarët e parë që morën titullin “profesor” me
vendim të posaçëm të KQ të PPSH dhe të Këshillit të Ministrave në
shtator 1956.
Pas bujës që bëri botimi i veprës së studiuesit
franko-izraelit Zaharia Majanit (Zacharia Mayani) “Etruskët fillojnë të
flasin” (1961) dhe vizitës së tij në Shqipëri, përsëri me interesim “nga
lart” u dërguan në Francë studiuesit e rinj Faik Drini (arkeolog) dhe
Seit Mansaku (gjuhëtar) për t’u specializuar përkatësisht për epigrafi
greke e gjeografi historike të botës helenike dhe për gjuhësi historike
të krahasuar e gjuhësi të përgjithshme (1972-1974). Por ndryshe nga
udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit, gjuhëtarët dhe historianët e
Institutit të Historisë e të Gjuhësisë nuk patën ndonjë joshje nga
teoria pellazgjike. Një ditë të vitit 1960 prof. A. Xhuvani, që vinte në
zyrë zakonisht rreth dy orë në ditë (ishte 80 vjeç atëherë), na tha me
atë elbasanishten e tij të këndshme:
“Ime (tani) e mora vesh unë pse e
përkrahin Kondën këta!”. - E. Çabej e M. Domi lanë stilografët, u panë
ndër sy dhe pritën vijimin.
“Qi thoni ju, mbramë ishin ke unë Ramizi
(Alia) ene Bilbili (Klosi) – vijoi të tregonte A. Xhuvani bisedën me dy
dhëndurët e tij. – Ene unë i pyeta: Ç’keni ju qi e përkrahni kaqi shumë
ate Kondën?
- Po ai thotë se vijmë prej pellazgëve! – i ishin përgjigjur ata.
-
A, a! Bana çudi! Nuk u mjafton këtyne që të vijmë prej iliro-trakasve,
siç thotë Jokli dhe albanologët e tjerë, po dashkan që të vijmë prej
pellazgëve! A, a! Ime e mora vesh! – vijoi A. Xhuvani me një qesëndi të
lehtë.
Ishte parashikuar atëherë të zhvillohej një diskutim në
Korçë i dorëshkrimit të librit të S. Kondës. A. Xhuvani nguli këmbë: po
të dojë qeveria, le ta sjellë Kondën me aeroplan këtu. Ne nuk shkojmë në
Korçë! Dhe nuk vajtën. Nuk mund të rri pa shtuar: kam qenë me fat që
kam punuar atëherë në një zyrë me burra të tillë, siç thuhet sot, “me
integritet”.
Pse ky qëndrim ndaj teorisë pellazgjike?
Sepse shkenca kërkon disa pika mbështetëse të sigurta për të ndërtuar një hipotezë punë.
Studiuesit
pas Hahn-it i kanë vështruar ilirishten dhe pellazgjishten si gjuhë të
ndryshme. Vetë Hahn-i nuk e shtroi fare çështjen e përkatësisë së
pellazgjishtes në familjen indoeuropiane. Ilirishtja vështrohet si gjuhë
indoeuropiane, por kjo gjë nuk mund të thuhet me siguri për
pellazgjishten, për arsye se ka fare pak dëshmi prej saj. Me fjalë të
tjera, na mungon ADN-ja e pellazgjishtes që ta krahasojmë me ADN-në e
shqipes dhe të nxjerrim përfundime! Mbetjet e pellazgjishtes janë aq të
pakta, sa nuk të nxjerrin dot në ndonjë shteg të sigurt.
Thuhet
se dëgjuan spanjollët për herë të parë emrin Potomak, – kështu quhet
lumi që rrjedh atje ku u ndërtua më pas qyteti Uashington, – u shtangën
nga habia. Nga ngjasimi me fjalën greke potamos, që do të thotë “lumë”,
kujtuan se grekët e lashtë kishin shkuar në atë kontinent para K.
Kolombit. Emri i përbashkët Albania për një trevë të Kaukazit nga ana e
detit Kaspik dhe Albania jonë e Ballkanit i kanë shtyrë një numër
studiuesish të besojnë se ne shqiptarët paskëshim ardhur prej andej, por
sot këtë nuk e besojnë më as amatorët. Kurthe të tilla ngre e
ashtuquajtura “metodë etimologjike”, d.m.th. krahasimi i fjalëve të
shkëputura me tingëllim të ngjashëm, të dy gjuhëve të ndryshme dhe
vendosja e lidhjeve gjenetike ndërmjet tyre. Duke zbatuar këtë metodë
janë bërë përpjekje për të zbërthyer etruskishten me anë të
hungarishtes, madje të japonishtes!
Por, meqë përmenda
Uashingtonin, mund të shtoj se diskutimet e sotme - jemi a nuk jemi
pasardhës të pellazgëve, kjo është çështja! - të kujtojnë në njëfarë
kuptimi diskutimet që u ndezën rreth vitit 1992 (500-vjetori i udhëtimit
të Kolombit) se kush e kishte zbuluar i pari Amerikën, Kolombi apo
vikingët disa shekuj para tij. Një profesor që u thirr të jepte mendim
për këtë, qenka përgjigjur: “As vikingët, as Kolombi! Amerikën a kanë
zbuluar amerikanët, d.m.th. ata njerëz që erdhën këtu dhe që e bënë këtë
vend atë që është sot!” Pra, vijmë nga pellazgët apo jo, kjo mbetet një
çështje shkencore shumë tërheqëse.
Detyrat që kemi sot si
trashëgimtarë historikë të kësaj hapësire nuk kanë lidhje kushtëzimi me
prejardhjen tonë pellazgjike, ashtu siç nuk kanë lidhje punët e sotme të
Amerikës me diskutimin se kush e zbuloi, vikingët apo Kolombi. Për
zgjidhjen e enigmave të gjenezës së popujve ka kohë që në vend të
metodës së pafrytshme etimologjike zbatohet metoda kombinatore, d.m.th.
kombinimi i arritjeve të disa disiplinave shkencore të ndryshme. Një
veprimtari e shënuar në këtë drejtim ka qenë konferenca për formimin e
popullit shqiptar, të gjuhës dhe të kulturës së tij (2-5 korrik 1982) e
organizuar nga Akademia e Shkencave, me pjesëmarrje të gjerë edhe të
studiuesve të huaj. Formimi i etnosit shqiptar ose gjeneza e shqiptarëve
mbetet një nga enigmat më joshëse të historisë së lashtë të Ballkanit.
Në këtë mes vështirë se mund të dalim nga fusha e hipotezave.
Çështja është që të ndërtohen hipoteza sa më të mbështetura, sa më të argumentuara.
Ndërkaq
interesimi për zbërthimin e enigmës së pellazgëve nuk është ndërprerë
në rrethet shkencore . Enigmat e lashtësisë nuk kanë dalë jashtë fushës
së kërkimeve të studiuesve të mirënjohur shqiptarë. Kështu akademiku
Shaban Demiraj ka botuar librin Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe
Shqiptarët. (Tiranë, 2008, 244 f.), ndërsa akademiku Kristo Frashëri
librin Etnogjeneza e Shqiptarëve (Vështrim historik). (Tiranë, 2013, 272
f.), ky trajton edhe çështjen e lidhjeve shqiptaro-pellazge. Në
“Fjalorin enciklopedik shqiptar” të Akademisë së Shkencave (vëll. 3,
2009) ka nga një zë të posaçëm “Pellazgët” (autor Muzafer Korkuti) dhe
“pellazgjishtja” (autor Seit Mansaku). Prof. dr. L. Peza ka të drejtë
kur shkruan se veprat që e lidhin gjuhën e lashtë pellazge me gjuhën
shqipe (dhe nuk janë pak) as analizohen, as kundërshtohen dhe as
pranohen.
Meqë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si akademi
honorifike që është bërë, nuk ka vullnet të organizojë promovime e
diskutime të librave të akademikëve të vet, do të ishte mirë ta merrte
përsipër promovimin e këtyre dy librave Qendra e Studimeve Pellazgjike
Tiranë - Prishtinë. Jam i bindur se do të ketë mjaft të interesuar, ndër
ta edhe unë.
Së fundi, një sqarim si duhet kuptuar autoktonia.
Studiuesit
shqiptarë, po edhe të huaj, kur flasin për autoktoni, kanë parasysh
epokën historike antike, d.m.th. atë që quhet koha e qytetërimit
greko-romak. Janë sjellë shumë dëshmi gjuhësore, arkeologjike e
historike në të mirë të tezës se elementi shqiptar (d.m.th. popullsia që
ka folur një fazë të shumë të hershme të gjuhës shqipe) ka qenë i
pranishëm pa ndërprerje në viset e sotme të shqiptarëve që nga koha
antike.
Por koncepti i autoktonisë nuk mund të shtrihet në
epokën e Mezolitit (periudha kalimtare nga Paleoliti në Neolit, 7 – 10
mijë vjet para erës së re).
Nuk mund të thuhet asgjë e sigurt
për karakterin etnik të popullsisë së vendbanimeve të Mezolitit që janë
zbuluar në vendin tonë, si në Konispol, në Kryegjatë të Fierit a në
Vlushë të Skraparit. Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir
mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II).
Pra,
autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut,
sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë
shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat.
=Akullnajat
arrijten deri në Peloponeze...=
Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të
ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e
shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët
janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë
vise, që nga koha kur u larguan akullnajat."Dihet se
në ato kohëra të stërlashta popullsitë nuk ishin të ngulura në një
territor të caktuar, po lëviznin duke ndjekur burimet ushqimore,
kryesisht gjahun. Ishte koha e ekonomisë së egër.
Njeriu parak rrëmbente nga natyra, nuk kultivonte. Bujqësia, që i nguli njerëzit në territore të caktuara, u shfaq më vonë.
Në territoret tona dëshmohet nga koha e Eneolitit (mijëvjeçari III – II).
Në përmbyllje dua të shtoj një vëzhgim.
Në
mjaft shkrime me tema të ndryshme autorët e gjejnë të nevojshme të
numërojnë vend e pa vend mangësitë dhe padrejtësitë e regjimit të
përmbysur totalitar në këtë a atë fushë të jetës. Duket sikur pa këtë
artikulli nuk botohet! Kjo më kujton shqetësimet e historianit të njohur
prof. Petraq Pepo (1903-1989), kur dorëzonte për botim artikujt e tij.
Ai nuk ishte familjarizuar dot me trajtimet marksiste-leniniste të
luftës së fshatarësisë kundër çifligarëve, nuk dinte të gjente e të
përdorte citate nga klasikët, siç quheshin atëherë Marksi, Engelsi,
Lenini e Stalini. Por pa ato nuk bëhej!
Dhe u drejtohej
studiuesve të rinj, sidomos atyre që sapo kishin ardhur nga Bashkimi
Sovjetik: “Na more çunak, spërkate një çikë me marksizmë këtë artikullin
tim!” Nuk ia merrnin për keq! Tani po lexojmë artikuj të spërkatur me
antitotalitarizëm në mënyrë të tillë, që të bëjnë të dyshosh për
aftësitë dhe qëllimet e atyre që i shkruajnë.
Kështu në një
artikull shkruhej se në diktaturë në Shqipëri nuk kishte internet.
Sigurisht nuk kishte, sepse World Wide Web ose www (rrjeti mbarëbotëror)
u shpik më 1989. Sigurisht në diktaturë interneti do të ishte i ndaluar
e i kufizuar, ashtu siç u ndalua marrja e stacioneve të huaja TV, por
çështja është se atëherë interneti nuk ishte shpikur, prandaj as që mund
të shtrohet çështja për qëndrimin e diktaturës ndaj internetit në
Shqipëri. Në vend të spërkatjeve të sipërfaqshme me antitotalitarizëm,
na duhen analiza të pasojave e të mbrapshtive të totalitarizmit, na
duhen punë dhe veprimtari të dendura për t’i kapërcyer ato, për të
ndjekur ritmin e zhvillimeve të sotme.
(Milosao/BalkanWeb)
=Akullnajat
arrijten deri në Peloponeze...=
Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të
ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e
shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët
janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë
vise, që nga koha kur u larguan akullnajat."
Ballkani
ishte i mbuluar me akullnaja te trasha qe shkonin dri 3000 metra
trashesi dhe nën nje temperatur -50 ° celsius...!njesoj si sot në
Antartik...
Para Akullnajave, rreth 25 000 deri 15 000 parakrishti...