28 juillet 2014

=Pellazgjishtja e Lutfulla Pezes, Matiy Arefit, Altin Kocaqit, Besir Bajramit, Bajram Dojit etj..=

=Pellazgjishtja e Lutfulla Pezes, Matiy Arefit, Altin Kocaqit, Besir Bajramit, Bajram Dojit etj..=

Publié par Dardan Leka · 23 juillet 2014, 21:19
 =Pellazgjishtja e Lutfulla Pezes, Matiy Arefit, Altin Kocaqit, Besir Bajramit, Bajram Dojit, Fahri Xharres etj..=

Parathenje nga Dardan Leka,

Një gojdhanë e vjetër tregohët tek ne,
Dikur moti na ishte njëherë një mbret, kishte mobilizuar një ushtri për luftë dhe para se të bëhëshin gati të shkonin në fushëbetej, mbreti iu thotë ushtarve të rinjë;
 - A i keni ende gjallë baballarët tuaj, gjyshin apo babain ?
E ngriten doren shumica dhe mbreti i dau anash e iu tha;
 - Keni një javë pushim, nëse e doni nga një dhurt te madhe prej meje, vrani gjyshin apo babain tuaj, do shperblehni posa te kthehëni...
Dhe këta te rinjët e shkret bëjnë si iu tha mbreti, i mbysin të gjithë pleqët dhe kthehen, perpos njërit prej tyre...

Ai ishte qelluar i mençur, posa u kthye në shtab, e gënjeu mbretin, i thotë; "..E  vrava gjyshin tim, te vetmin që kujdesj për mua qysh kur isha i vogël.." -dhe mbreti gëzohët, mirë ua keni bërë iu thotë, por, tani keni edhe një detyr tjetër ta kryeni, ai që nuk ia arrinë do ti pritet koka me këtë shpat  mu këtu para të gjithë ushtarve, iu thotë mbreti dhe perulet në tokë, e merrë një grusht zallë(rërë) para këmbëve dhe iu thotë të rinjve;
-E shihni, në dorë kam një grusht zallë, por,  nga ju dua që, kur të kthehëni nga shtëpia juaj të më bëni nga një qafore rruzash prej këtij zalli...

Ushtarët e rinjë mbeten te habitur,  e shikonin njëri tjetrin,  i mbushen gjepat me zallë e shkuan në shtëpi të tyre.

Mirëpo ky djali i zgjuar, më i mençuri, i cili e kishte gënjyër mbretin  gjoja  se e kishte mbytur edhe ai gjyshin e tij, posa kthehët në shtëpi, shkon e gjënë gjyshin e tij që e kishte fshehur diku në një ahur,  dhe i tregon se ai kishte një hall te madh, koka do i shkonte nëse nuk ia sjellte mbretit rruzat e punuara nga zalli...!

Posa e dëgjoi djaloshin mirë, plaku i tha; "Mos u shqetëso fare boro, kthehu tek mbreti më këtë  grusht zallë  dhe  pyete mbretin;
"Lartëmadhêri, ju lutemi, a keni mundësi te ma jepni modelin  e çqafores se ç'farë rruzash i doni dhe unë do t'ua sjelli punën që kerkoni nga unë"

Pa frikë fare siç e kishte kështillua gjyshi i tij, djaloshi  pas dy javësh kthehet para oborrit të mbretit ku ishin rradhitur të gjithë ushtarët  gatitu para tij, duke i pyetur secil prej tyre me rradh;
"A e keni kreyer detyren tuaj, nxirrni ti shohim rruzat  prej zallit " ?
Por për fatin e keq te tyre, të gjithë një nga një  me grushtin plotë zallë  iu pergjigjeshin mbretit se, "Lartmadhëria juaj,  e pamundur të bëhën  nga zalli rruza"... dhe me urdhër të mbretit menjëherë atyre që thoshte "ishte e mamundur" i'u prehej  koka para syve te gjithëve...!

Tani i erdhi rradha edhe këtij djaloshit  i cili nuk e kishte kryer urdhërin e mbretit por e kishte fshehur gjyshin e tij, dhe menjëherë ky  nxjerrë zallin e i thotê mbretit; "Lartëmâdhni, ju lutemi, kërkoj nga Ju të më jepni një model nga këto rruzat e zallit dhe do ta sjelli punën javën tjetër"...
Mbreti e hetoi menjëherë se,  ky djaloshi kishte gënjyër, nuk e ka vrarë   gjyshin e tij  me urdhër të mbretit si te tjerët, iu afrua mbreti e i tha;
"Ti je i falun, shko në shtëpi dhe perqafoje gjyshin që ta shpëtoi jeten"....

Djaloshi  u khye në shtëpi dhe  e perqafoi gjyshin e tij te dashur, që te dyve iu mbushen sytë me lotë...!

Pra, edhe ne sot ashtu kemi mbetur, me urdhëra te te huajve se gjoja  do na dekorojn me dhurata  nëse i mbysim te gjthë Akademiket tanë te vjetër sepse ata sepse janë plakur dhe kujt i duhen këta pleq, askujt ?  POR qe ky është rezultati, shkojmi drejtë humneres pa Akademikët tanë te vjetër do e perfundojmi edhe më keq..!


Mirëpo për fatin tonë te mirë kan mbetur ende gjallë edhe disa si, Korkuti, Mensaku dhe ky profesori yni i urti Emil Lafe, Zoti  iu dhasht jetë te gjatë, gëzohemi që shpetuan prej nipave, nuk i mbyten me urdher te sultanit ...

=DISA MENDIME RRETH SHQETËSIMEVE PËR RRËNJËT E GJUHËS SHQIPE DHE PËR SHQIPEN E SOTME=

Nga: Profesor Emil Lafe

E vërteta për rrënjët e gjuhës shqipe dhe të tjera...
Nga: Profesor Emil Lafe

E vërteta për rrënjët e gjuhës shqipe dhe të tjera...Në “Tirana Observer” të datës 7 qershor është botuar artikulli “Shqetësuese janë rrënjët e gjuhës shqipe” nga prof. dr. Luftulla Peza, kryetar i Shoqatës “Qendra e Studimeve Pellazgjike” Tiranë – Prishtinë.

Para dy vjetësh kjo Qendër organizoi Simpoziumin II Ndërkombëtar “Pellazgët, gjuha dhe pasardhësit e tyre”. Artikulli merr shkas nga letra që një grup intelektualësh (ndër ta edhe unë) i kanë drejtuar kryeministrit E. Rama për t’i kërkuar përkujdesjen e shtetit ndaj gjuhës standarde shqipe, siç quhet gjuha shqipe e përdorimit publik me rregullat e saj që mësohen në shkollë. Mendoj se kryeministri Rama e dha përgjigjen e vet në fjalën e mbajtur me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit të Kosovës për njësimin e kurrikulave të arsimit parauniversitar.

Ne, nënshkruesit e letrës, kemi detyrë të japim ndihmesën tonë për të sendërtuar programin e dy qeverive, që synon, mund ta themi kështu, ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti unik arsimor-kulturor shqiptar.

Lidhur me artikullin e prof. dr. Luftulla Pezës e quaj të nevojshme të shpreh disa mendime e të jap dhe disa sqarime, sidomos për ata që e kanë lexuar ose mund të lexojnë shkrime të ngjashme. Por më parë po përpiqem të përmbledh në disa pika idetë e autorit sipas radhës së shtjellimit në artikull:

1) standardi i sotëm i shqipes i vendosur në kohën e regjimit totalitar është i vjetruar, i plakur dhe duhet të ecë përpara me shoqërinë;
2) ruajtja e këtij standardi mbyll shtigjet e hulumtimit drejt lashtësisë pellazge;
3) kur u vendos standardi u shkelën mjaft rregulla të gjuhës shqipe, sepse vendosi politika;
4) gjuhëtarët dhe historianët shqiptarë, duke shkelur të gjitha rregullat shkencore, i kanë prerë rrugën gjuhës shqipe drejt gjuhës pellazge dhe ilire me të cilat ajo lidhet dhe ka vazhdimësi të plotë; veprat që e lidhin gjuhën e lashtë pellazge me gjuhën shqipe as analizohen, as kundërshtohen dhe as pranohen;
5) Homeri dhe Hesiodi, që kanë jetuar para shek. VIII para erës së re, i përkasin racës pellazge, që e përshkruajnë me dashuri dhe madhështi (d.m.th. nuk janë grekë);
6) gjuhëtarët shqiptarë njohin vetëm standardin të bazuar në toskërishten dhe e kanë shpërfillur gegërishten, prandaj nuk e përmendin lidhjen e fjalës së parë të “Iliadës” menin, me fjalën e gegërishtes mëni (toskërisht mëri), që ka po atë kuptim, por është jashtë standardit;
7) duke mohuar pellazgët si stërgjyshërit tanë, historianët dhe gjuhëtarët shqiptarë nuk mund të vërtetojnë autoktoninë tonë;
8) qindra mbishkrime me shkrimin ilir dhe në gjuhën ilire janë në muzetë e Durrësit dhe të Apolonisë, por padrejtësisht gjuhëtarët shqiptarë nuk i pranojnë si të gjuhës shqipe;
9) shqipja e njësuar është arritje e madhe e kulturës sonë, duhet mbështetur, por edhe do pasuruar dita-ditës.

Disa nga këto nëntë pika kanë të bëjnë me gjuhën e sotme, me shqipen standarde, ndërsa të tjerat me lidhjet shqiptaro-pellazge.

Të shohim në fillim çështjet lidhur me shqipen e sotme. Pohohet se standardi i sotëm i vendosur në kohën e regjimit totalitar është i vjetruar. Pyetja e parë që del këtu është: ç’do të thotë “i vjetruar” në këtë rast?

Një aparat fotografik, një makinë, një kompjuter mund të jenë të vjetruar, se kanë dalë të tjerë më modernë, më të përkryer. Po në rastin e standardit të shqipes çfarë ka dalë? P.sh. çfarë gramatike (se gramatika është thelbi i gjuhës) ia ka zënë vendin realisht këtij standardi (p.sh. në gjuhën që përdoret në veprimtarinë e shtetit e të shkollës, në shtyp, në letërsinë shqipe e të përkthyer? Më tej, si matet vjetrimi i një standardi?

Sistemi fonetik i shqipes standarde (7 zanore dhe 29 bashkëtingëllore) u caktua më 1879 nga Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip në Stamboll, alfabeti i sotëm (36 shkronja) u caktua më 1908 në Manastir, drejtshkrimi u sanksionua (në thelb ishte caktuar që më 1954-56) më 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit, në të njëjtën kohë doli edhe “Gramatika” e Akademisë së Shkencave, më 1980 u botua “Fjalori” normativ. Po popujt e tjerë kur i kanë bërë ato punë që ne nisëm t’i kryejmë nga viti 1879 e këtej? Ç’kanë bërë ata me gjuhët e tyre letrare “të vjetruara”?

A mund të quhet që është vjetruar shqipja standarde, sepse disave u është mbushur mendja që në vend të: Shqipëria, Durrësi, mjekësia, këngëtar, grurë, ujë, burrë, arinj, ullinj, gjunjëzohem, male të larta, ujëra të turbullta – siç i përdorim tani – të shkruajnë: Shqipria, Durrsi, mjeksia, këngtar, grur, uj, burr, arij, ullij, gjujzohem, male të lartë, ujëra të turbullt etj., d.m.th. ta shndërrojmë shkollën në një lloj kursi kundër analfabetizmit! (në këto ujëra të turbullta a të turbullt – si të doni! – kanë shkarë mjerisht disa kolegë të mi “ndërakademikë”, për të peshkuar lavdinë e tyre të munguar drejtshkrimore!).

Apo që në vend të: gjykatë, ngarkoj, (rrugë) këmbësore, mbresë, pjesëmarrje, sigurim, shkarkoj, shtylla kurrizore, zhvendosem, të themi tribunal, karikoj, (rrugë) pedonale, impresion, participim, siguracion, daunlodoj, kolona vertebrale, spostohem?

Ky është vjetrimi i standardit për të cilin bën fjalë prof. dr. L. Peza?

Kjo mbetet për të sqaruar prej tij. Apo është fjala për të “shartuar” në standard paskajoren, siç ka bërë ndër të tjerë edhe Enver Hoxha në shkrimet e viteve të luftës, kur shkruante p.sh.: ... përpiqet me mish e me shpirt me e shpërnda frontin e gjerë të popullit tonë; ... po shkelin vatrat tona për me gjuejtë patriotët; ... ta gënjejë popullin, t’i hedhë hi syve për me muejtë më mirë me ja mbërritë qëllimeve të tija; ... u përpoqën ta mobilizojnë popullin për me e çue të vritet në Libi; Fashizmi e ruante këtë spiun të vjetër (Mustafa Merlikën) për me e qitë kur ta shihte pisk ... etj. Ky lloj shartimi, që pasqyron në gjuhën e shkrimit përzierje dialektore të rastit, nuk pati (e nuk mund të kishte) sukses dhe u la mënjanë. Më kujtohet mësuesi im i gjuhës dhe i letërsisë në gjimnazin e Durrësit (1951-52), shkrimtari Bedri Rama, që më qortonte: Mos ngatërro dialektet! – kur unë, që vija nga 7-vjeçarja e Lushnjës, përpiqesha t’i shkruaja hartimet pak “durrsakçe”, si shokët.

Që të cilësohet diçka si e vjetruar, duhet treguar edhe çfarë është vjetruar dhe cila është e reja që ka dalë dhe e ka zëvendësuar. Sigurisht edhe në gjuhë ka trajta gramatikore, fjalë e shprehje që vjetrohen dhe dalin nga përdorimi. Dikur gramatikat përmbanin, p.sh., trajta si: majat e malevet, martoi djalën, fletoret e tija, iu muarën këmbët, por sot këto trajta kanë dalë nga norma gramatikore (dëgjohen në gjuhën e folur) dhe në vend të tyre përdorim: majat e maleve, martoi djalin, fletoret e tij, iu morën këmbët etj. Këto ndryshime në gjuhë janë shumë të ngadalshme, gati-gati nuk vihen re.

Gjuhëtarët që merren me hartimin e gramatikave kanë metodikat dhe parimet e tyre për të nxjerrë nga norma e për të ngritur në normë këtë ose atë trajtë.

Kjo nuk bëhet se “ashtu më do qejfi mua”, por është rezultat vëzhgimesh e studimesh. Kthesat politike e shoqërore pasqyrohen në fjalorin e një gjuhe, p.sh. sot fjalë e shprehje të tilla si aksion me goditje të përqendruar, emulacion socialist, fushatizëm, këndi i kuq, libër shtëpie, norma kolektive, organizatë-bazë, triskë fronti, tabelë nderi etj., kanë dalë nga përdorimi; nga ana tjetër kanë hyrë në përdorim fjalë e shprehje si aplikoj (për punë), arsim publik, asistencë sociale, celular, dialogoj, digjital, digjitalizoj, divë, dizajn, evazion fiskal, harddisk, homofobi, kompjuter, legalizim, master, online, pengmarrje, privatësi, tender, tenderim etj. etj. Por kthesat politike nuk kanë të bëjnë me drejtshkrimin e me gramatikën.

Prapa kërkesave këmbëngulëse për të ndryshuar normën drejtshkrimore e gramatikore (se kaluan 40 vjet! u mërzitëm me këtë drejtshkrim!) qëndron synimi i disave për të filluar kthesën gjuhësore, d.m.th. për të ringjallur urtë e butë ndonjë kinse standard të vjetër ose për të krijuar njëfarë standardi të ri, mjaft që të shpëtojmë prej këtij standardi komunist (!?). Këtë duhet ta kenë parasysh të gjithë ata që i tërheq ideja e standardit të vjetruar që duhet ndryshuar! Jemi mburrur dikur me guximin për të ecur “në rrugë të pashkelura”!
Mjaft më me mburrje të tilla! Le të shohim dhe ç’bën bota, me sa kujdes e përgjegjësi vepron në raste të tilla. Një fjalë e urtë në anglishte thotë: “Mos u rrek të ndreqësh diçka që nuk është e prishur!” Gjuha jonë standarde nuk është një mekanizëm i prishur, është një mekanizëm shumë i mirë, por si çdo mekanizëm duhet mësuar me durim për ta përdorur, dhe duhet mirëmbajtur!

Kjo ka qenë dhe mbetet rruga e vetme e ngulitjes së gjuhëve standarde.

Në vitin e bashkimit të Italisë në një shtet (1861) vetëm 3 për qind e italianëve e përdornin italishten letrare! Të tjerët flisnin në dialektet e krahinave e të qyteteve të tyre (Piemont, Lombardi, Liguri, Kalabri, Pulje, Sicili, Torino, Milano, Gjenovë, Venecie, Romë, Napoli etj.) ose në gjysmëdialekt. Por me kohë italishtja nga gjuha e një pakice, u bë gjuhë e të gjithëve (La lingua italiana da lingua di pocchi è diventata lingua di tutti – kështu e përcaktojnë gjuhëtarët italianë), pa i bërë dhunë drejtshkrimit dhe gramatikës, pa e shqepur këmishën e normës letrare, me qëllim që në një këmishë të gjerë të gjerë “gjithëpërfshirëse” gjithkush “ta ndiente veten komod”, siç po kërkojnë sot disa. Ndërkaq edhe atje dialektet bënin dhe bëjnë jetën e tyre paralelisht me gjuhën letrare. Ajo që ka ndryshuar, është se, ndërsa më parë dialekti funksiononte si gjuhë e parë për shumicën, sot për shumicën ai është gjuha e dytë, ndërsa gjuhë e parë është bërë italishtja standarde me disa ngjyrime rajonale.

Shkolla dhe jeta shtetërore e përbashkët kanë bërë dhe bëjnë punën e tyre brez pas brezi. Edhe ne jemi duke ecur asaj rruge. Në këtë kapërcyell të shekullit, kur po ndërtohet ajo që mund ta quajmë “shteti i përbashkët arsimor-kulturor shqiptar”, gjendja për ne paraqitet mjaft më e favorshme. Por duhet të kemi mendjen, të shikojmë përpara, të mos e mbajmë vështrimin prapa. Përpjekjet t’i drejtojmë për përvetësimin e standardit, jo për ndryshimin me arsyen e paqenë se qenka “i vjetruar”.

Më tej në artikullin e prof. dr. L. Pezës thuhet se “kur u vendos standardi u shkelën mjaft rregulla të gjuhës shqipe, sepse vendosi politika.” Më takon të jap këtu nja dy sqarime të shkurtra, edhe si dëshmitar i punëve. Pas botimit të librit të Stalinit “Marksizmi dhe çështje të gjuhësisë” gjuhëtarët nuk u rrezikuan nga ndërhyrja e politikës.

Pse?

Sepse Stalini sqaroi në atë libër se gjuha është një fenomen shoqëror i një tipi të veçantë, nuk është as pjesë e bazës, as pjesë e superstrukturës së shoqërisë, se gjuha nuk ka karakter klasor, nuk është ideologji, ajo u shërben njësoj si klasave shfrytëzuese, ashtu edhe klasave të shfrytëzuara. Në atë libër Stalini kërkon që çështjet e gjuhës të zgjidhen nëpërmjet diskutimesh shkencore dhe ka formuluar atë thënien e njohur: “Gjithë bota e di se asnjë shkencë nuk mund të zhvillohet dhe të vejë mbarë pa luftë mendimesh, pa liri kritike.” Ky citat, i shkruar me shkronja të mëdha dhe me emrin e Stalinit poshtë, ka qenë një lloj embleme në veprimtari të ndryshme shkencore të asaj kohe.

Po të shikoni revistën shkencore të Institutit të Gjuhësisë, do të gjeni plot kronika diskutimesh e kritikash të tilla shkencore. Unë e siguroj prof. dr. L. Pezën se në Institutin e Gjuhësisë nuk kemi shkelur ndonjë rregull të gjuhës shqipe me ndërhyrjen e politikës.
Në fund të artikullit prof. dr. L. Peza i kthehet edhe një herë gjuhës standarde duke u shprehur se shqipja e njësuar është arritje e madhe e kulturës sonë, duhet mbështetur, por dhe do pasuruar dita-ditës. Ky është një mendim shumë i arsyeshëm, shumë i drejtë dhe e përkrah plotësisht.

Me këtë autori duket se korrigjon disa pohime të pasakta që ka hedhur në fillim të shkrimit të tij. Për fat të keq institucionet kërkimore të fushës nuk po arrijnë të bëjnë atë që duhet, dhe në këtë kuptim shqetësimi dhe kërkesa e prof. dr. L. Pezës janë gjithashtu shprehje e një shqetësimi dhe kërkese më të gjerë intelektuale e shoqërore. Një Këshill Ndërakademik që është bërë tashmë botërisht i njohur për shterpësinë dhe kotësinë e tij, është ngulitur te ideja sa absurde aq dhe e dëmshme për të rrëzuar de jure e de facto Kongresin e Drejtshkrimit (komunisto-punist!).

Në të vërtetë çështja e drejtshkrimit pas Konsultës së Prishtinës të vitit 1968 ishte, në parim dhe në thelb, e zgjidhur. Kongresi i vitit 1972 e sanksionoi atë zgjidhje, i vuri një vulë të pashlyeshme mbarëkombëtare. Për herë të parë pas nëntorit 1912, në nëntor 1972 delegatë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike, nënshkruan së bashku një dokument kombëtar (Rezolutën e Kongresit), duke pohuar me këtë njësinë kombëtare e kulturore të hapësirës së tyre etnike dhe duke u mbledhur rreth flamurit të gjuhës së njësuare e të përbashkët letrare. Ky veprim i mbarë i Kongresit të Drejtshkrimit për ecurinë e mëtejshme të zhvillimeve frytdhënëse e konvergjente të jetës mendore, të kulturës e të shoqërisë shqiptare në tërësi është dhe arsyeja e vërtetë e mërisë, me frymëzime jugosllaviste, ndaj tij. Është për të ardhur keq për ata që ia kanë hyrë “të ripeshojnë me gjysmëhijet e tyre shkencore dhe gjysmëhijet e tyre politike, dy pjesët e trupit, kaherë të bashkuar njëherë e mirë të gjuhës sonë.”

Dhe të kthehemi te çështjet e pellazgjishtes.

Këtu nuk do të flas si kompetent, sepse nuk jam, por do të jap disa të dhëna, mendoj të dobishme për lexuesin. Më 1854 u botua vepra “Studime shqiptare” e J. G. von Hahnit, themeluesit të albanologjisë në kuptimin e vërtetë shkencor të fjalës (E. Çabej). Hahn-i i shihte shqiptarët jo vetëm si pasardhës të Ilirëve, po edhe të epirotëve e të maqedonëve dhe të gjithë këta popuj i mbante si të ardhur nga Pellazgët. Pellazgët për të ishin një popullsi paleoballkanike, që qëndronte më vete përballë grekëve të vjetër.

 Shkrimtarët dhe veprimtarët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare e rrokën me entuziazëm këtë tezë të Hahn-it dhe i dhanë përhapje në shkrimet e tyre. Kjo tezë u shërbeu si mbështetje për kërkesën e tyre themelore, që ishte: njohja e Shqiptarëve si një popull më vete, me të drejtat e tyre dhe me rrugë historike të veçantë.

Naim Frashëri, për t’i mbrujtur shqiptarët me idenë kombëtare, për t’i bërë krenarë për lashtësinë e fisit shqiptar, e përdori këtë tezë të origjinës pellazgjike dhe shkroi ndër të tjera edhe vjershën e njohur “Shqipëria”, që nis me vargjet:
Bota që kur është zënë,
Shqipëria gjallë ka qenë,
Pellazg’ u thoshin më parë,
Më së fundi shqiptarë.

Atëherë kombi ynë ishte, si të thuash, në moshën foshnjore, e tërhiqnin mitet e tregimet legjendare. Kështu pak nga pak teoria pellazgjike u kthye në një lloj manie, u bë si një postulat i shqiptarëve.

Që më 1902 Faik Konica ndër shtatë aforizmat e “shqiptarit të ditur”, vë të parën: “Shqipëtarët zbresin prej Pellazgëve. Kush mendon ndryshe, - në qoftë i huaj, është gomar; në qoftë Shqipëtar, është tradhëtar.” Kjo lloj manie ka vijuar dhe vijon edhe sot. Në vitet ’50-’60 me interesimin e vetë Enver Hoxhës iu dha trajtim i posaçëm ekonomik Spiro Kondës, ish-profesor i Liceut të Korçës, i cili po shkruante një libër që u botua më vonë me titullin “Shqiptarët dhe problemi pellazgjik” (1962 greqisht, 1964 përkthimi shqip). Spiro Konda bashkë me Aleksandër Xhuvanin ishin dy dijetarët e parë që morën titullin “profesor” me vendim të posaçëm të KQ të PPSH dhe të Këshillit të Ministrave në shtator 1956.

Pas bujës që bëri botimi i veprës së studiuesit franko-izraelit Zaharia Majanit (Zacharia Mayani) “Etruskët fillojnë të flasin” (1961) dhe vizitës së tij në Shqipëri, përsëri me interesim “nga lart” u dërguan në Francë studiuesit e rinj Faik Drini (arkeolog) dhe Seit Mansaku (gjuhëtar) për t’u specializuar përkatësisht për epigrafi greke e gjeografi historike të botës helenike dhe për gjuhësi historike të krahasuar e gjuhësi të përgjithshme (1972-1974). Por ndryshe nga udhëheqja e lartë e partisë dhe e shtetit, gjuhëtarët dhe historianët e Institutit të Historisë e të Gjuhësisë nuk patën ndonjë joshje nga teoria pellazgjike. Një ditë të vitit 1960 prof. A. Xhuvani, që vinte në zyrë zakonisht rreth dy orë në ditë (ishte 80 vjeç atëherë), na tha me atë elbasanishten e tij të këndshme:
“Ime (tani) e mora vesh unë pse e përkrahin Kondën këta!”. - E. Çabej e M. Domi lanë stilografët, u panë ndër sy dhe pritën vijimin.
“Qi thoni ju, mbramë ishin ke unë Ramizi (Alia) ene Bilbili (Klosi) – vijoi të tregonte A. Xhuvani bisedën me dy dhëndurët e tij. – Ene unë i pyeta: Ç’keni ju qi e përkrahni kaqi shumë ate Kondën?
- Po ai thotë se vijmë prej pellazgëve! – i ishin përgjigjur ata.
- A, a! Bana çudi! Nuk u mjafton këtyne që të vijmë prej iliro-trakasve, siç thotë Jokli dhe albanologët e tjerë, po dashkan që të vijmë prej pellazgëve! A, a! Ime e mora vesh! – vijoi A. Xhuvani me një qesëndi të lehtë.

Ishte parashikuar atëherë të zhvillohej një diskutim në Korçë i dorëshkrimit të librit të S. Kondës. A. Xhuvani nguli këmbë: po të dojë qeveria, le ta sjellë Kondën me aeroplan këtu. Ne nuk shkojmë në Korçë! Dhe nuk vajtën. Nuk mund të rri pa shtuar: kam qenë me fat që kam punuar atëherë në një zyrë me burra të tillë, siç thuhet sot, “me integritet”.

Pse ky qëndrim ndaj teorisë pellazgjike?

Sepse shkenca kërkon disa pika mbështetëse të sigurta për të ndërtuar një hipotezë punë.

Studiuesit pas Hahn-it i kanë vështruar ilirishten dhe pellazgjishten si gjuhë të ndryshme. Vetë Hahn-i nuk e shtroi fare çështjen e përkatësisë së pellazgjishtes në familjen indoeuropiane. Ilirishtja vështrohet si gjuhë indoeuropiane, por kjo gjë nuk mund të thuhet me siguri për pellazgjishten, për arsye se ka fare pak dëshmi prej saj. Me fjalë të tjera, na mungon ADN-ja e pellazgjishtes që ta krahasojmë me ADN-në e shqipes dhe të nxjerrim përfundime! Mbetjet e pellazgjishtes janë aq të pakta, sa nuk të nxjerrin dot në ndonjë shteg të sigurt.

Thuhet se dëgjuan spanjollët për herë të parë emrin Potomak, – kështu quhet lumi që rrjedh atje ku u ndërtua më pas qyteti Uashington, – u shtangën nga habia. Nga ngjasimi me fjalën greke potamos, që do të thotë “lumë”, kujtuan se grekët e lashtë kishin shkuar në atë kontinent para K. Kolombit. Emri i përbashkët Albania për një trevë të Kaukazit nga ana e detit Kaspik dhe Albania jonë e Ballkanit i kanë shtyrë një numër studiuesish të besojnë se ne shqiptarët paskëshim ardhur prej andej, por sot këtë nuk e besojnë më as amatorët. Kurthe të tilla ngre e ashtuquajtura “metodë etimologjike”, d.m.th. krahasimi i fjalëve të shkëputura me tingëllim të ngjashëm, të dy gjuhëve të ndryshme dhe vendosja e lidhjeve gjenetike ndërmjet tyre. Duke zbatuar këtë metodë janë bërë përpjekje për të zbërthyer etruskishten me anë të hungarishtes, madje të japonishtes!

Por, meqë përmenda Uashingtonin, mund të shtoj se diskutimet e sotme - jemi a nuk jemi pasardhës të pellazgëve, kjo është çështja! - të kujtojnë në njëfarë kuptimi diskutimet që u ndezën rreth vitit 1992 (500-vjetori i udhëtimit të Kolombit) se kush e kishte zbuluar i pari Amerikën, Kolombi apo vikingët disa shekuj para tij. Një profesor që u thirr të jepte mendim për këtë, qenka përgjigjur: “As vikingët, as Kolombi! Amerikën a kanë zbuluar amerikanët, d.m.th. ata njerëz që erdhën këtu dhe që e bënë këtë vend atë që është sot!” Pra, vijmë nga pellazgët apo jo, kjo mbetet një çështje shkencore shumë tërheqëse.

Detyrat që kemi sot si trashëgimtarë historikë të kësaj hapësire nuk kanë lidhje kushtëzimi me prejardhjen tonë pellazgjike, ashtu siç nuk kanë lidhje punët e sotme të Amerikës me diskutimin se kush e zbuloi, vikingët apo Kolombi. Për zgjidhjen e enigmave të gjenezës së popujve ka kohë që në vend të metodës së pafrytshme etimologjike zbatohet metoda kombinatore, d.m.th. kombinimi i arritjeve të disa disiplinave shkencore të ndryshme. Një veprimtari e shënuar në këtë drejtim ka qenë konferenca për formimin e popullit shqiptar, të gjuhës dhe të kulturës së tij (2-5 korrik 1982) e organizuar nga Akademia e Shkencave, me pjesëmarrje të gjerë edhe të studiuesve të huaj. Formimi i etnosit shqiptar ose gjeneza e shqiptarëve mbetet një nga enigmat më joshëse të historisë së lashtë të Ballkanit. Në këtë mes vështirë se mund të dalim nga fusha e hipotezave.

Çështja është që të ndërtohen hipoteza sa më të mbështetura, sa më të argumentuara.

Ndërkaq interesimi për zbërthimin e enigmës së pellazgëve nuk është ndërprerë në rrethet shkencore . Enigmat e lashtësisë nuk kanë dalë jashtë fushës së kërkimeve të studiuesve të mirënjohur shqiptarë. Kështu akademiku Shaban Demiraj ka botuar librin Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët. (Tiranë, 2008, 244 f.), ndërsa akademiku Kristo Frashëri librin Etnogjeneza e Shqiptarëve (Vështrim historik). (Tiranë, 2013, 272 f.), ky trajton edhe çështjen e lidhjeve shqiptaro-pellazge. Në “Fjalorin enciklopedik shqiptar” të Akademisë së Shkencave (vëll. 3, 2009) ka nga një zë të posaçëm “Pellazgët” (autor Muzafer Korkuti) dhe “pellazgjishtja” (autor Seit Mansaku). Prof. dr. L. Peza ka të drejtë kur shkruan se veprat që e lidhin gjuhën e lashtë pellazge me gjuhën shqipe (dhe nuk janë pak) as analizohen, as kundërshtohen dhe as pranohen.

Meqë Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si akademi honorifike që është bërë, nuk ka vullnet të organizojë promovime e diskutime të librave të akademikëve të vet, do të ishte mirë ta merrte përsipër promovimin e këtyre dy librave Qendra e Studimeve Pellazgjike Tiranë - Prishtinë. Jam i bindur se do të ketë mjaft të interesuar, ndër ta edhe unë.

Së fundi, një sqarim si duhet kuptuar autoktonia.

Studiuesit shqiptarë, po edhe të huaj, kur flasin për autoktoni, kanë parasysh epokën historike antike, d.m.th. atë që quhet koha e qytetërimit greko-romak. Janë sjellë shumë dëshmi gjuhësore, arkeologjike e historike në të mirë të tezës se elementi shqiptar (d.m.th. popullsia që ka folur një fazë të shumë të hershme të gjuhës shqipe) ka qenë i pranishëm pa ndërprerje në viset e sotme të shqiptarëve që nga koha antike.

Por koncepti i autoktonisë nuk mund të shtrihet në epokën e Mezolitit (periudha kalimtare nga Paleoliti në Neolit, 7 – 10 mijë vjet para erës së re).

Nuk mund të thuhet asgjë e sigurt për karakterin etnik të popullsisë së vendbanimeve të Mezolitit që janë zbuluar në vendin tonë, si në Konispol, në Kryegjatë të Fierit a në Vlushë të Skraparit. Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II).

Pra, autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat.
=Akullnajat arrijten deri në Peloponeze...=

Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat." 
=Akullnajat arrijten deri në Peloponeze...= Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat."
Dihet se në ato kohëra të stërlashta popullsitë nuk ishin të ngulura në një territor të caktuar, po lëviznin duke ndjekur burimet ushqimore, kryesisht gjahun. Ishte koha e ekonomisë së egër.

Njeriu parak rrëmbente nga natyra, nuk kultivonte. Bujqësia, që i nguli njerëzit në territore të caktuara, u shfaq më vonë.
Në territoret tona dëshmohet nga koha e Eneolitit (mijëvjeçari III – II).

Në përmbyllje dua të shtoj një vëzhgim.

Në mjaft shkrime me tema të ndryshme autorët e gjejnë të nevojshme të numërojnë vend e pa vend mangësitë dhe padrejtësitë e regjimit të përmbysur totalitar në këtë a atë fushë të jetës. Duket sikur pa këtë artikulli nuk botohet! Kjo më kujton shqetësimet e historianit të njohur prof. Petraq Pepo (1903-1989), kur dorëzonte për botim artikujt e tij. Ai nuk ishte familjarizuar dot me trajtimet marksiste-leniniste të luftës së fshatarësisë kundër çifligarëve, nuk dinte të gjente e të përdorte citate nga klasikët, siç quheshin atëherë Marksi, Engelsi, Lenini e Stalini. Por pa ato nuk bëhej!

Dhe u drejtohej studiuesve të rinj, sidomos atyre që sapo kishin ardhur nga Bashkimi Sovjetik: “Na more çunak, spërkate një çikë me marksizmë këtë artikullin tim!” Nuk ia merrnin për keq! Tani po lexojmë artikuj të spërkatur me antitotalitarizëm në mënyrë të tillë, që të bëjnë të dyshosh për aftësitë dhe qëllimet e atyre që i shkruajnë.

Kështu në një artikull shkruhej se në diktaturë në Shqipëri nuk kishte internet. Sigurisht nuk kishte, sepse World Wide Web ose www (rrjeti mbarëbotëror) u shpik më 1989. Sigurisht në diktaturë interneti do të ishte i ndaluar e i kufizuar, ashtu siç u ndalua marrja e stacioneve të huaja TV, por çështja është se atëherë interneti nuk ishte shpikur, prandaj as që mund të shtrohet çështja për qëndrimin e diktaturës ndaj internetit në Shqipëri. Në vend të spërkatjeve të sipërfaqshme me antitotalitarizëm, na duhen analiza të pasojave e të mbrapshtive të totalitarizmit, na duhen punë dhe veprimtari të dendura për t’i kapërcyer ato, për të ndjekur ritmin e zhvillimeve të sotme.

(Milosao/BalkanWeb)


=Akullnajat arrijten deri në Peloponeze...=

Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat." 
=Akullnajat arrijten deri në Peloponeze...= Emili Lafe:"Sipas studiuesve shqiptarë ngjizja e etnosit ilir mund të ketë ndodhur në Kohën e Bronzit (mijëvjeçari III – II). Pra, autoktonia e shqiptarëve nuk duhet kuptuar si një koncept absolut, sikur shqiptarët janë vijuesit e njerëzve më të stërlashtë që janë shfaqur dikur në këtë vise, që nga koha kur u larguan akullnajat."

Ballkani ishte i mbuluar me akullnaja te trasha qe shkonin dri 3000 metra trashesi dhe nën nje temperatur -50 ° celsius...!njesoj si sot në Antartik... 
Ballkani ishte i mbuluar me akullnaja te trasha qe shkonin dri 3000 metra trashesi dhe nën nje temperatur -50 ° celsius...!njesoj si sot në Antartik...

Para Akullnajave, rreth 25 000 deri 15 000 parakrishti... 
Para Akullnajave, rreth 25 000 deri 15 000 parakrishti...

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire