31 mai 2012

Homeri dhe gjeografia









Iliada Kënga e II-të:

Tani ju, o muza, që n'Olimp banoni, dhe si hyjnesha para syve keni çdo send dhe nuk ju mbetet gjë pa ditur, tregomni prijsit edhe princat dànaj, të cilët ne kurrë parë me sy s'i kemi, por kemi ndier lavdinë pamort të tyre.

Të gjithë kreshnikët që në Trojë luftuan nuk do të mundja t'i përmend me emër, sikur dhjetë gjuhë edhe dhjetë gojë të kisha zë t'pashteruar dhe krahror prej tunxhi, mos t'm'i kujtonin Muzat e Olimpit -bija të Zeusit shqytamadh – fatosat që n'Ilion erdhën luftë t'u hapin trojasve.
Beotëve u prinin Lejti e Peneli, Arkesilau, Protoenori e Kloni, dhe atyre shokve që banonin n'Hirje n'Aulidë shkëmbore dhe në Skerë e Skolod, dhe n'Eteonin me lugina e pyje, në Tespje e Grajë e Mikales të hapët, dhe atyre tjerëve që rreth Harmës rronin, n'Ilès dhe Eritre e n'Eleonë banonin, n'Hilë, Okalé e Peteon u rritën në Medeonë me ledhe madhështore, t'tjerëve nga Kopa dhe Eutrezi e Tisba n'zë për pëllumba dhe nga Koronea, prapë tjerë nga Aliarti i pasur me kullota dhe nga Platea, tjerë n'Glisant banonin dhe n'Hipotebë me ledhe madhështore, ata nga Anhesti i shenjtë, ku Posejdonit kushtuar kishin prozhëm madhështor.


Dhe ata nga Arna e veshur plot me vreshta, dhe nga Midea e Nisa e shenjtëruar, dhe nga Antedoni ndër kufij të skajshëm, në Trojë velëzuan me pesëdhjetë anije, dhe në secilën djemtë e Beotisë plot nga njëqind e njëzet veta hipën.


E ata që rronin n'Orkomen të minëve dhe Aspledon në krye Jalmenin kishin me Askalafin, dy pinjoj të Aresit, që i lindi Astioka në saraj t'Aktorit, birit t'Azeos. Vasha e nderuar në pod të epërm, ku ish dhoma e çikave, ra në shtrat tinëz, me të tetëdhjetë anije. Skedi e Epistrofi bijtë e Ifit Naubolit në krye u prinin çetave fokeze, që n'Kiparis e në Pitonë shkëmbore i kishin trojet dhe në Daulide.

Dhe atyre që në Jampol e Anemoré banonin, tjerëve që rronin në breg të Qefizit me rrjedhë hyjnore, e tjerëve që banonin në trevë t'Lilajës, ku buron Qefizi. Erdhën në Trojë me dyzet barka t'murme.
E ata i vendosën çetat e fokezve në krah të majtë pranë çetave beote.

Lokrezve u printe i shpejti Ajaks Ojliadi me trup i vogël, madje shumë i vogël krahas Ajaksit, birit t'Telamanit. Nga shtati i paktë mbante pancir prej liri: por n'hedhje heshte ua kalonte akejve dhe panelenve. Ajaksi u printe burrave t'ardhur nga Kyni, Opunta dhe Kaljri nga Besja e Skarfi dhe Augea e këndshme, nga Tarfa e Troni i bregut të Boagrit. Dyzet anije me Lokrezë e ndoqën, që i kishin trojet tej Eubesë hyjnore.=Euba Hyjnore*?


Në krye t'Abantve trima të rrëmbyer, që u shtrihej fisi ç'merr Kalkida e Eubea, Iretrja e Histea e veshur plot me vreshta, dhe Qerinti buzë detit dhe qyteza e lartë e Dios dhe Karisti e Stira, u printe Elefenor Halkodontiadi, pinjoll i Aresit, princ shpirtmadh i Abantve, trima të shpejtë me leshra derdhur n'supe, shtizorë me nam që u digjej shpirti e zemra në gjoks armiqve t'u thyenin przmoret, i ndoqën pas me dyzet barka t'murme.

Ata që erdhën nga qyteti i Athinës me ledhe t'forta, ku sundoi shpirtmadhi  Erekteu, t'cilin nëna tokë e lindi, dhe vetë  hyjnesha Athinà e rritidhe e vu sundues  në tempull t'saj të pasur, e atje athinjotët për çdo mot që endej qindra kurbane qengja e dema i truanin, kapedan kishin Menesté Petidin.
Asnjeri i gjallë në botë si ai nuk dinte të radhitë qerre e burra me mburoja. Vetëm Nestori, i thyer nga mosha, i qasej. Dhei shkuan pas me pesëdhjetë barka solli Ajaksi i madh, pranë athinjotëve i vuri.

E ata që erdhën nga Tirinti e Argos, nga Ermiona e Asina n'gji të detit stisur, dhe nga Trezeni, Ejona e Epidauri mbushur me vreshta, dhe ata që erdhën nga visi i Akajës, nga Maseta e Egina, kishin për prijës Diomed zemërtrimin dhe djalin n' zë të Kapaneut, Stenelin, t' tretin Eurialin posi hy të pashëm, djalin e mbretit Mekist Talajonit.


Në krye të gjithëve printe Diomed trimi. Dhe i shkuan prapa me tetëdhjetë anije. 
E ata që rronin n'Mikenë kreshnike, n'Korint të pasur dhe Kleonë të hijshme, dhe ata që trojet në Orné i kishin dhe n' Aretirë të këndshme dhe të lume, e në Siqion, ku Adresti sundoi s'pari, n' Iperezi e Gonoesë të egër, dhe në Pelén e Egialé banonin, n' Egion dhe fushën e pamasë t'Elikës, mbretin e madh Agamemnon ATRIDIN kishin për prijës n'krye t'njëqind anijve; mbi të gjithë ishin më t'shumtë e më trimi. Shkëlqente Atridi i veshur me armë tunxhi, dhe krenar shquhej mbi të gjithë fatosat, se ish më i forti e me ushtri më t'madhe.

Laqedemona me lugina e male, Fari e Sparta e Mesa e pëllumbave, Brisja e Augea e këndshme dhe Amikla, edhe qyteti bregdetar i Helos dyndën ushtri si Laja e pllaja e Ojtillit; atyre u printe Menela zëmadhi. Në Trojë u sulën me gjashtëdhjetë anije veçmas nga ushtria e Agamemnonit. Duke u dhënë zemër, përmes tyre bridhte, se mbi të gjithë ai digjej t'merrte hakun për brenga e dhunë që hoqi për Elenën.