28 mai 2012

Parailiret – Iliret – Arberit Histori e shkurtër Muzafer Korkuti

                      PARA-ILIRET

    Parailiret – Iliret – Arberit Histori e shkurtër Muzafer Korkuti


                            Hyrje
    Etnogjeneza e popullit shqiptar, prej shekujsh, ka joshur dhe ka tërhequr vëmendjen e dhjetra e dhjetra dijetarëve nga më të shquarit, shqiptarë apo të huaj. Janë të shumtë historianët e gjuhëtarët euriditë, arkeologët këmbëngulës dhe studiues të tjerë që kanë shtruar tezat e hipotezat e tyre për këtë çështje. Nuk kanë munguar të shprehin mendime edhe njerëz pa njohuri të thelluara shkencore.
    Të gjithë duan të dinë kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, ç’lidhje kishin me arbërit, me ilirët dhe më lashtë me parailirët (pellazgët).
    Problemi nuk është një kuriozitet i thjeshtë shkencor. Ndriçimi i tij ndihmon të kuptohen rrënjët historike që kanë ushqyer këtë popull, të ndodhur midis perandorive e qytetërimeve më të mëdha të kohrave, helene, romake, bizantine dhe sllave, e megjithatë nuk u asimilua.
    Por kërkimet çonin në gjurmë të lashta, në mijëvjeçarët p. e. sonë. Shenjat kishin humbur, ishin fshehur ose ishin errësuar nga koha e gjatë që na ndan. Prandaj puna për të zbuluar dhe ndriçuar ato gjurmë dhe shenja është e vështirë dhe, nga vëllimi, kolosale
    U shkruan qindra e mijra faqe libri, të mbushura herë me të dhëna shkencore e herë me fantazi e teza të hamendësuara. Arkeologët bënë gërmime aq të shumta, saqë u zbuluan qytete të tëra. Por ata donin të ringjallnin një histori të stërlashtë. Iu drejtuan dijetarëve, historianëve e poetëve të lashtë, duke u nisur nga Homeri, Hesiodi, e deri te studiuesit bashkëkohorë. Me studime këmbëngulëse u ndriçuan anë të veçanta të historisë, që shkallë shkallë, u bashkuan duke ndriçuar shumë çështje të etnogjenezës. Por nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike.
    Gjithsesi tashmë është bërë shumë dhe anë të periudhave historike janë ndriçuar. Ndihmesa e dijetarëve të huaj ka qenë e pazëvendësueshme. Për punën e madhe e dashamirësinë që kanë treguar ndaj shqiptarëve, ata meritojnë të vihen në ballë të çdo studimi, si “qytetarë nderi” të albanologjisë. Por punën më të madhe e kanë bërë studiuesit shqiptarë të fushës së historisë, të gjuhës, të arkeologjisë, të etnografisë etj.
    Gjatë 50 vjetëve të fundit, në arkeologjinë shqiptare, janë bërë gërmime e studime të shumta dhe janë ndriçuar një tërësi problemesh mbi bazën e të cilave është shkruar “Historia e Lashtë e Shqipërisë”, janë hedhur bazat për studime edhe më të thelluara në shumë drejtime. Por këto arritje njihen në një shkallë krejt të pamjaftueshme nga shoqëria civile dhe nga një masë më e gjërë njerëzish të interesuar. Ndaj lind nevoja që përfundimet më themelore duhet që t’u jepen lexuesve në mënyrë të kuptueshme, në përputhje me mundësitë dhe interesat e tyre kulturore.
    Duke vlerësuar interesin dhe rëndësinë e problemeve etnogjenetike, gjatë veprimtarisë sime kërkimore u kam kushtuar atyre një vëmendje të posaçme, veçanërisht çështjeve të origjinës së ilirëve dhe të problemit të popullsisë para ilire.* Është kjo arsyeja që këto arritje të studimeve të mia shumëvjeçare dhe të kolegëve që janë marrë me këto probleme, dua t’i parashtroj në një formë të përmbledhur e natyrisht sa më të kuptueshme, për aq sa e lejon trajtimi i tyre. Për ta bërë më të plotë këtë kuadër të problemeve etnogjenetike,
    i cili mund të përmblidhet në trinomin parailirë-ilirë-arbër, kam parashtruar edhe problemin e arbërve, d.m.th. të origjinës së shqiptarëve të hershëm. Për të sqaruar këtë komponent të trinomit që lidhet me arbërit dhe origjinën e tyre, jam mbështetur tërësisht në studimet arkeologjike shumë të rëndësishme të prof. Skënder Anamalit, të cilit i takon një meritë e veçantë për ndriçimin e lidhjeve të ilirëve me shqiptarët në dritën e të dhënave arkeologjike. Kështu kam vepruar edhe në fushën e gjuhësisë, duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur rezultatet e punës shkencore të gjuhëtarit të shquar, prof. Eqerem Çabejt dhe të gjuhëtarëve të tjerë.
    Parailirët, ilirët dhe arbërit janë tri nyje të zinxhirit të gjenezës së popullit shqiptar, që çdo njera prej tyre mund e duhet trajtuar më vete. Unë parapëlqeva t’i trajtoj këto çështje së bashku e në vijimësinë historike të ecurisë së tyre, mbasi kështu krijohet mundësia për kuptimin tërësor të lashtësisë së popullit shqiptar. Besoj se kësaj ideje i shërben edhe tabloja kronologjike e përdorimit të emrave të banorëve të vendit tonë, gjatë tërë kohërave, të cilën duhet ta njohë dhe ta dijë çdo bashkatdhetar. Përdorimi i emrave parailirë, ilirë, arbër e shqiptar nuk duhet të mënjanohet nga që për disa prej tyre duhen kërkuar mbështetje e fakte të reja, që shkencat albanologjike duhet t’i pasurojnë në të ardhmen.
    Prandaj në këtë histori të shkurtër, vendosa të jap një sintezë të përfundimeve në të cilat ka arritur shkenca albanologjike për këtë problem. Njëkohësisht e quajta një detyrë shkencore dhe atdhetare t’i bëj të njohur publikut të gjërë, atë që historia mijravjeçare e kishte ruajtur të fshehur për të dëshmuar zinxhirin lidhës midis shqiptarëve, arbërve, ilirëve dhe parailirëve.

    PARAILIRËT Kuadri historik

    Fillimi i formimit të bashkësive popullsive me tipare të përbashkëta etnike është një proçes evolutiv, i gjatë e i ndërlikuar, që i takon epokës së neolitit (gurit të ri ) dhe epokës së eneolitit (bakrit). Si shtrirje kohore këto epoka kapin periudhën midis mijëvjeçarit të shtatë dhe mijëvjeçarit të katërt p.e.sonë. Në këto dy epoka ndodhën ndryshime të mëdha, thelbësore, pa njohjen e të cilave nuk mund të kuptojmë se këtu zuri fill proçesi i formimit të popujve dhe të gjuhëve në Gadishullin Ballkanik. Dhe për të kuptuar këto ndryshime cilësore të vetmet burime janë dëshmitë arkeologjike, që vijnë nga gjithë territori i Evropës Juglindore, përfshirë edhe Egjeun e Anatolinë (Brigjet perëndimore të Turqisë). Prandaj është e domosdoshme të njihemi me këto zbulime.
    Të shumta janë këto të dhëna edhe nga territori i Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Me kërkimet intensive të 50 viteve të fundit, të bëra për kulturat e kohës së neolitit dhe të bakrit, është arritur të njihen kulturat kryesore përfaqësuese, karakteristikat e tyre, niveli dhe veçantitë e zhvillimit nga një periudhë në tjetrën. Neoliti i hershëm në Shqipëri përfaqësohet nga kultura e Vlushës (Skrapar), e Podgories (Korçë), e Kolshit (Kukës); neoliti i mesëm nga kultura e Dunavecit (Korçë) e Cakranit (Fier ) dhe Blazit (Mat), kurse e neolitit të vonë përfaqësohet nga kultura e Maliqit I, Barçit I (Korçë) dhe Kamnikut (Kolonjë). (Prendi, F. 1976, 21-99; Korkuti, M. 1995, 11-261). Këto janë kulturat më përfaqësuese neolitike të vendit tonë, të cilat dëshmojnë për një banim të dendur (për kohën) dhe me shtrirje gjeografike që mbulon gati gjithë territorin. Duke filluar nga kultura më e hershme e Vlushës (mijëvjeçari i shtatë p.e.sonë) e deri tek ajo e Maliqit I, ka një vazhdimësi banimi që dëshmon për një jetë sedentare, që u kushtëzua nga lindja dhe zhvillimi i bujqësisë e i blegtorisë, dy degë bazë të ekonomisë dhe të ndërvarura nga njera-tjetra që në lindjen e tyre. Në disa vendbanime (Podgorie, Dunavec, Maliq, Cakran, etj) mori pëparësi bujqësia, e cila bëri të mundur krijimin e rezervave të produkteve bazë për jetesë, e për rrjedhojë, ndodhën ndryshime të ndjeshme në jetën shoqërore. Ishte kjo arsyeja, që këto aspekte të reja të epokës neolitike dhe eneolitike disa studiues i kanë cilësuar si “revolucioni bujqësor”.
    Vazhdimësia e jetës dhe kulturave gjen shprehjen e vet para së gjithash në teknologjinë e përgatitjes së enëve prej balte, si edhe në shtimin e madh të veglave të punës prej stralli, guri e kocke dhe mbi të gjitha në
    përsosjen e teknikës së punimit të tyre, të provuara këto në koleksionet e pasura të veglave të punës dhe të morisë së enëve prej balte, të gjetura në Podgorie, Dunavec, Maliq etj.
    Tipar i ri i rëndësishëm i kësaj epoke ishte lindja e marrëdhënieve të këmbimit, jo vetëm midis bashkësive fqinje, por edhe midis bashkësive të largëta, gjë që provohet nga objekte importi me prejardhje të mirëfilltë nga kultura e Thesalisë (Greqi), të gjetura këto në Dunavec e Cakran (Korkuti, M. Andrea, Zh. 1974). Këto këmbime, sado fillestare që ishin, dëshmojnë se kulturat tona neolitike nuk kanë qenë të mbyllura, të izoluara, por kanë dhënë e marrë me njera tjetrën. Dhe e kundërta, në një nga kryeqendrat e kulturave neolitike të Thesalisë, në akropolin e Diminit janë gjetur enë të importuara nga kultura e Dunavecit.(Korkuti,M. 1995,127)
    Për kulturat neolitike të Shqipërisë janë për t’u përmendur edhe ndërtimet e banesave me skelet prej druri, me mure gardhi, të lyer me baltë. Por ndërtimet më të vështira ishin kasollet prej druri, të ngritura mbi ujë, siç është rasti i vendbanimit palafit (mbi hunj) i Dunavecit, i cili sot për sot është më i hershmi në Ballkan (mesi i mijëvjeçarit të pestë p.e.sonë. Sipas analizave laboratorike të karbonit(C14) ky vendbanim datohet në vitin 4800 p.e.sonë.
    Të gjitha këto përparime të shkallë shkallëshme të kulturave neolitike përbënin thelbin e një fillese të re epokale, ndaj në kuptimin e gjërë kjo kohë historike është quajtur edhe epoka e qytetërimit neolitik. Ky qytetërim njohu shkallë të tjera më të larta progresi gjatë epokës së bakrit, kulturë e cila është dëshmuar gjerësisht nga dhjetra vendbanime me shtrirje në gjithë trevën e Shqipërisë si: Maliqi II, Treni, Burimasi (Korçë), Kamniku II, Gradeci (Dibër), Bënja (Përmet), Konispoli, Katundasi (Berat), Neziri (Mat), Gajtan (Shkodër), Dajç (Kukës) etj.
    Kultura eneolitike e vendit tonë, vazhduese e drejtpërdrejtë e kulturës neolitike, në të njëjtën kohë ishte vazhduese e qytetërimit neolitik në të gjitha anët. Bujqësia e blegtoria u zhvilluan më tej. Koleksionet e pasura të veglave të punës e sasitë e konsiderueshme të grurit të karbonizuar, të gjetura në Maliqin eneolitik, janë dëshmitë më të mira të një bujqësie të përparuar për kohën; kurse për rolin e blegtorisë dëshmojnë kockat e shumta të bagëtive të imta e të trasha të gjetura në këto qendra. Për përparimet nga pikpamja teknologjike, dëshmon qeramika, e cila njohu kulme të reja progresi si nga format, zbukurimet, pjekja, deri tek realizimet e prodhimeve artistike.
    Tërësia e progresit në degët e ndryshme të ekonomisë çoi edhe në një arritje tjetër të madhe, në shkrirjen dhe përpunimin e metalit të parë, të bakrit, i cili i dha emrin edhe epokës. Nxjerrja dhe përpunimi i këtij metali të ri ishin proçese të ndërlikuara për atë kohë, që kërkonin pajisje e mjete të veçanta, sepse teknologjia e punimit e shkrirjes dhe e derdhjes në kallëpe ishte punë shumë e specializuar. (Prendi,F.1966,13; Korkuti,M. 1985,54). Edhe më të rëndësishme ishin rrjedhimet që solli përdorimi i veglave prej bakri, sidomos në zgjerimin e sipërfaqeve të punuara dhe në ndërtimin e banesave. Teknologjia e nxjerrjes, e përpunimit të bakrit si dhe përgatitja e veglave të punës me metalin e ri, sollën ndryshime në marrëdhëniet brenda bashkësisë, duke nxjerrë në plan të parë rolin e burrit, çka pati si rrjedhojë fillimet e një shoqërie të re fisnore, të patriarkatit (Historia e Popullit Shqiptar, 2002,29).
    Kultura eneolitike në trojet shqiptare u zhvillua në lidhje dhe marrëdhënie të ngushta me kulturat bashkëkohëse e në radhë të parë me kulturat fqinje. Lidhjet tradicionale të kulturave neolitike të pellgut të Korçës me kulturat e Pelagonisë (Maqedoni) dhe të Maqedonisë Perëndimore, të Greqisë, me Thesalinë, nëpërmjet luginës së lumit të Haliakmonit, të lidhjeve me kulturat e pellgut të Moravës së Jugut në verilindje, si edhe lidhjet e kulturave të Kukësit e të Kosovës me Ballkanin Qendror, gjatë epokës së eneolitit u shpeshtuan e u bënë më të qëndrueshme. Edhe lidhjet midis kulturave të Adriatikut të Mesëm e të Jugut me prapatokat e tyre u zhvilluan më tej.
    Për të kuptuar qartë proçeset etnokulturore, që u zhvilluan gjatë epokës së bakrit, nuk mund të lëmë pa nxjerrë në pah lidhjet kulturore me treva më të gjëra të Ballkanit Jugor, të Egjeut dhe të Anatolisë. Lëvizjet graduale të popullsive neolitike dhe eneolitike, në kërkim të tokave bujqësore e të kulturave të reja, ishin faktor veprues në vendosjen dhe mbajtjen e këtyre lidhjeve, të cilat u kushtëzuan edhe nga faktorët gjeografikë.
    Nuk është vendi të rreshtojmë hollësira të dëshmive arkeologjike që provojnë çka pohuam më lart. Përhapja e teknologjisë së njëjtë në tërë treguesit kulturorë, si në vegla pune dhe qeramikë, si edhe objektet e njëjta në paraqitjen e kulteve, në një territor të gjërë, nuk mund të ishte veçse rezultat i fuqizimit të lidhjeve dhe këmbimeve, të cilat në thelb ishin rrjedhojë e zhvillimit të përgjithshëm, e përafërsisht të njëjtë, kulturor të banorëve të territorit të Ballkanit të Jugut në epokën e bakrit. Këtë pamje të zhvillimit të kësaj treve arkeologët e kanë shprehur me emërtimin “Kompleksi kulturor ballkano-egjean i kohës eneolitike”, pra është fjala për një tërësi kulturash me elemente të përbashkëta (Prendi,F. 1976,38; Korkuti,M. 1985,53).
    Duke përmbledhur këtë paraqitje për epokën e bakrit kemi arritur në përfundimin se, në kushtet e zhvillimit të pandërprerë e të stabilitetit të gjatë ekonomik, të shkallës së përparuar të zhvillimit në të cilin arriti qytetërimi eneolitik, krahas formimit të bashkësive të gjëra kulturore e kultike, u bë edhe hapi i parë drejt formimit të një bashkësie të madhe etnike e gjuhësore (Korkuti,M. 1985,55).
    Rreth përkatësisë etnike të banorëve eneolitikë
    A mund të flitet për përkatësi etnike në një kohë të tejlashtë si epoka e bakrit dhe në se po, mbi ç’bazë? Kur guxojmë të flasim për etni në fillesat e saj duhet ta veçojmë e ta dallojmë atë nga etnitë në epokën historike, të cilat karakterizohen nga tipare të tjera themelore;
    dhe problemet që kërkojnë përgjigje janë të shumta dhe të ndërvarura nga përfundimet e studimeve ndërdisiplinore. Në trinomin e problemeve parailire-ilire-arbër, problemi i parë mbetet më i vështiri,
    sepse të dhënat gjuhësore e antropologjike janë të pamjaftueshme. Fjala e arkeologjisë, si rrjedhim, ka një peshë të veçantë meqënëse për këtë periudhë të hershme koncepti kulturë, në kuptimin arkeologjik, në vija të përgjithëshme, është i njëjtë me kategorinë etnos*. Kjo përbën edhe bazën mbi të cilën mbështetet argumentimi i pikpamjes sonë për fillimet e formimit të etnosit prandaj do të ndalemi në kuptimin dhe vlerën që kanë burimet arkeologjike për epokën prehistorike.
    Më shkoqur problemi shtrohet në këtë mënyrë: në ç’raporte qëndronte kultura me etnosin në epokën prehistorike, a ka përputhje midis tyre dhe në rast se ka, në çfarë shkalle është kjo?
    Ja disa mendime të studjuesve të ndryshëm për këtë çështje .
    - Kultura dhe etnosi nuk përputhen gjithmonë. Po në shumicën e rasteve kultura përputhet me etnosin.
    Qeramika dhe zakonet fetare (kulti) janë elemente që tek popujt primitiv u janë nënshtruar më pak ndikimeve dhe se qëndrueshmëria e këtyre elementeve provon vazhdimësinë etnike tek grupet prehistorike.
    Fiset me kulturë të njëjtë ose të ngjashme mund të flasin gjuhë të ndryshme.
    Do të ishte vështirë të pretendohej se vetëm gjuha paraqet tiparin etnik të një grupi.
    Kur flasin për marrëdhëniet midis kulturës dhe etnosit duhet të kemi parasysh lidhjet midis gjuhës e kulturës, mbasi dihet se gjuha është një nga tiparet që përcakton karakterin etnik. Por ky nuk është
    tipar i vetëm, e aq më tepër për epokën pre e protohistorike, ku ka edhe një varg tiparesh të tjera të rëndësishme, të cilat në tërësinë e tyre formojnë historinë etno-kulturore të një popullsie. Prandaj historinë e gjuhës nuk mund ta barazojmë me historinë etnike e aq më pak, në tërësi, me historinë e një popullsie që e flet, e cila ka një përmbajtje shumë më të gjërë e më të plotë.
    Në epokën neolitike dhe në atë të bronzit ndodhte shpesh që një fis asimilonte, në pikpamje gjuhësore, një fis tjetër; po në të njëjtën kohë është bërë edhe asimilimi kulturor, madje ky i fundit ca më herët. Kështu nuk
    mund të ndodhte që një fis ose një grupim fisesh të ndryshonin gjuhën, nëpërmjet asimilimit dhe në të njëjtën kohë të ruanin kulturën e mëparshme materiale, sepse bashkë me asimilimin gjuhësor ndryshonte edhe kultura e tyre materiale. Pra, asimilimi kulturor dhe ai gjuhësor, ishin dy nga shfaqiet më të rëndësishme të proçesit etnik, të ndërvarura nga njëra-tjetra, të cilat gjatë epokës së neolitit e të bronzit janë zhvilluar krahas dhe kanë patur gjatë rrugës së tyre të zhvillimit një përputhje gati të plotë. Ja sepse nëpërmjet njohjes dhe studimit të njërit aspekt mund të nxirren përfundime edhe për aspektin tjetër.
    Gërmimet arkeologjike sistematike kanë dhënë mundësi të gjëra për studimin në kompleks të një kulture arkeologjike të një rajoni të caktuar. Kur ajo kulturë është e njëjtë me një tjetër, që shprehet në format e ekonomisë, në arkitekturën e banesës dhe ajo që ka më shumë rëndësi, në kulturën materiale (në vegla pune, armë, qeramikë, stoli, objekte, etj.), apo ka të njëjtat kulte e të njëjtin rit varrimi, atëhere shihet se ka elemente të tilla kulturore e shpirtërore, të cilat shprehin drejtpërsëdrejti tiparet e përbashkëta etnike. Kështu, me mjaft përafërsi mund të vendoset shenja e barazisë midis dy kulturave edhe në pikëpamje etnike. Si rrjedhim i një bashkësie të gjatë kulturore e etnike duhet pranuar se ka patur edhe një bashkësi gjuhe, në atë masë e në atë formë që mund të ishte ajo në epokën prehistorike.
    Si përfundim, ne jemi të mendimit se në epokën e eneolitit dhe atë të bronzit shkalla e përputhjes midis kulturës dhe etnosit është gati e plotë, se një grup kulturor i njëjtë nënkupton edhe një grup etnik të njëjtë. Janë këto arsyet që burimet arkeologjike, për periudhën para burimeve të shkruara, marrin më tepër rëndësi sesa burimet e fushave të tjera në përcaktimin etnik të popullsisë. Prandaj arkeologjia mbetet një nga fushat kryesore që hedh dritë mbi etnogjenezën e parailirëve e të ilirëve. Më hollësisht këto çështje janë parashtruar në artikullin, “Probleme etnokulturore të epokës së eneolitit” (Korkuti,M. 1982,1,156-173).
    Të kthehemi tek problemi ynë, i banorëve të tejlashtë dhe të parashtrojmë përfundimet që janë nxjerrë nga interpretimi i lëndës arkeologjike të zbuluar.
    Arkeologjia jonë prehistorike ka bërë hapa të rëndësishme në trajtimin e problemit të banorëve të tejlashtë të vendit tonë, por ende nuk është arritur në një përfundim të argumentuar plotësisht. Ato janë teza pune që duhen provuar më tej apo përpjekje për të interpretuar edhe në pikpamje etnokulturore lëndën arkeologjike të epokës eneolitike e më tej atë të epokës së bronzit të hershëm në vendin tonë. Duke e shtruar problemin në këtë plan kemi parasysh mundësitë që na ofron materiali i kulturave tona eneolitike dhe i atyre të fqinjeve, i cili është i bollshëm, i pasur, i larmishën e i përcaktuar kohësisht, ndryshe nga fjalët e pakta gjuhësore e të papërcaktuara mirë kronologjikisht. Është gjithashtu e vërtetë se edhe arkeologjia ende nuk e ka thënë fjalën e vet përfundimtare për zgjidhjen e problemeve etnike, por mendojmë se kjo nuk duhet të na çojë në pozitat e atyre studiuesve që, për t’u shpëtuar “gabimeve”, nuk merren me trajtimin e problemeve etnike.
    Pas gjithë kësaj parashtrese të gjatë, por të nevojshme, të vijmë më pranë problemit të përkatësisë entike. Po e theksoj se pjesë pjesë, e rezultat pas rezultati, mund të arrijmë tek zgjidhja më e pranueshme. Dhe për të arritur tek problemi i banorëve të tejlashtë të vendit tonë, duhet të japim disa spjegime e të shprehim pikpamjen tonë për dy çështje parësore, që janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën. Këto janë:
    - Problemi i indoevropianizimit të territorit të vendit tonë e në tërësi i gjithë Gadishullit Ballkanik.
    - Problemi i lidhjeve të substratit etnik para ilir me ilirët si banorë të pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik në epokën e bronzit e të hekurit (Për këtë do të flitet gjërësisht në kreun e dytë).
    Indoevropianizimi i territorit të Ballkanit perëndimor u bë në kuadrin e përgjithshëm të proçesit indoevropianizues të të gjithë Ballkanit, ndaj për këtë problem do t’u referohemi, në radhë të parë, përfundimeve të arritura. Ato mund të përmblidhen në këto pikpamje më përfaqësuese.
    - Shumica e arkeologëve shqiptarë dhe të huaj indoevropianizimin e Europës Juglindore e shohin si një proçes të gjatë që u krye si rezultat i disa valëve dyndjesh të fqinjëve nomadë, të ardhur nga stepat e Azisë gjatë mijëvjeçarit të tretë p.e.sonë.
    Një variant të kësaj pikëpamje, përbën teza tjetër sipas së cilës popullsia jo indoevropiane, mesdhetare neolitike e eneolitike, u indoevropianizua gjatë dyndjes së madhe të popujve baritor, të ardhur nga stepat në fillim të epokës së bronzit.
    Studiues të tjerë janë të mendimit se elementi indoevropian ose më saktë ai paleoindoevropian ka ekzistuar në Ballkan shumë më herët, që në epokën neolitike.
    Të dhënat nga trevat shqiptare janë të kufizuara për të ndjekur një proces kaq të gjërë e të ndërlikuar, siç është ai i indoevropianizimit. Gjithsesi, kur gjykojmë për rrjedhimet e këtij procesi, duhet të kemi parasysh se dyndja e popujve të stepave ka qenë më e fuqishme në territoret lindore të gadishullit të Ballkanit kurse në trevat e vendit tonë, që përbënin skajet fundore të shtrirjes së kësaj dyndje, roli e vendi i ardhacakëve në simbiozën me popullsinë vendase nuk mund të ishte i njëjtë si në trevat ballkanike lindore.
    Ne kemi shprehur dhe mbrojtur pikëpamjen se lënda arkeologjike që kemi nga Shqipëria na shtyn të mendojmë se procesi i indoevropianizimit nuk duhet parë si rezultat i një dyndje të vetme, por si një proces i gjatë zhvillimi, ku kulturat autoktone eneolitike e bartësit e tyre u ndërthurën me bartësit dhe kulturat bashkëkohëse ballkanike (Korkuti, M. 1985,2,56). Në këtë proces asimilimi dhe disimilim kulturor dhe etnik, të një transformimi të dukshëm shoqëror e ekonomik si edhe të kontakteve e të lëvizjeve graduale të popullsive, u bë indoevropianizimi i territorit të vendit tonë, i cili fillesat e tij i ka, të paktën, qysh gjatë epokës së eneolitit. Në këtë përfundim vijnë edhe disa studiues, të tjerë të huaj, kur pohojnë se gjuhët indoevropiane njihnin emërtime të përbashkëta për metalet (për bakrin, arin e bronzin) d.m.th. për prodhime tipike të një metalurgjie të zhvilluar të eneolitit e të kohës së hershme të bronzit .(Budimir,M. 1952,10; Lochner-Hüttenboch, Fr. 151-181; Bonfante,G. 1968, 102-103) Duke u shprehur për fillimet e indoevropianizimit qysh gjatë eneolitit, nuk mohojmë rolin përshpejtues që luajti në këtë proces vala e fundit e dyndjes së popullsive të ardhura nga lindja, në fillim të epokës së bronzit, gjë që është një fakt i padyshimtë e i provuar edhe nga të dhënat e arkeologjisë sonë.
    Kultura eneolitike e vendit tonë u zhvillua gradualisht, si një kulturë autoktone dhe në lidhje të ngushtë me kulturat bashkëkohore ballkaniko-egjeane, si një kulturë që njohu arritjet më të rëndësishme të qytetërimit eneolitik e që iu nënshtrua shndërrimeve ekonomike e shoqërore të kohës e veçanërisht procesit të rëndësishëm të indoevropianizimit. Si përfundim, bashkësia e madhe kulturore që u formua në fund të eneolitit, në vendin tonë, në plan gjuhësor ishte indoevropiane.
    Për këtë substrat të tejlashtë, për këtë popullsi indoevropiane të Ballkanit Perëndimor të epokës së eneolitit a mund të përdoret një emër i përveçëm?
    Të dhënat e para për emërtimin e kësaj popullsie do t’i gjejmë tek autorët më të vjetër të Greqisë së Lashtë, tek Homeri, Hesiodi, Herodoti dhe tek mbi 100 autorë të tjerë grekë e latinë, të cilët flasin për pellazgët si një popullsi jo greke. (Në mënyrë të plotë këto të dhëna gjenden në veprën e Fr.Lochner-Hüttenboch, Die Pelasger). Homeri i përmend pellazgët si banorë të Thesalisë e të Kretës; shkrimtarë më të rinj si Hesiodi, Herodoti, Hekateu, Tuqididi, na japin njoftime të tjera, duke i vendosur pellazgët herë në Peloponez, herë në Azi të Vogël e herë në Itali, ndërsa gjuhën e tyre, pellazgjishten, e quajnë gjuhë barbare d.m.th. jo greke.
    Nga pikpamjet e studjuesve të shekullit XX mund të përmendim ato të disa linguistëve, si M.Budimir, V.Georgiev, Fr.Lochner –Hüttenbach, G,Bonfante etj., të cilët kanë shprehur mendimin se ka një lidhje midis gjuhës së kësaj popullsie mesdhetare paragreke me gjuhët e lashta të mëvonëshme të Ballkanit, si me trakishten dhe ilirishten. Studiues të tjerë, si B.Gavela, substratin pellazgjik të rajonit ballkano-egjean e paraqesin si një kategori autoktone indoevropiane të përcaktuar në pikpamje kulturore dhe gjeografike (Gavela, B. 1971,24). Mbi bazën e këtyre studimeve mund të thuhej se pellazgët janë një popullsi, që ka banuar në Europën Juglindore, në Mesdhe e në Azi të Vogël para formimit të etnosit grek dhe se gjuha e tyre është indoevropiane e nuk ka lidhje birërsie me greqishten.
    Përpjekje për të gjetur lidhje gjenetike midis gjuhës shqipe dhe pellazgjishtes kanë bërë edhe Z.Majani (Majani, Z. 1970,75) dhe S.Konda (Konda,S. 1964,336). Të dy këta studiues në veprën e tyre kanë përdorur metoda jashtë shkencore, ndaj përfundimet e tyre nuk janë përfillur nga asnjë gjuhëtar shqiptar.
    Në këtë parashtrim të shkurtër të çështjes nuk është e mundur të përmblidhet ajo që është shkruar në dhjetra mijra faqe për pellazgët e pellazgjishten; gjithsesi do të veçonim mendimin e shprehur për përdorimin e termit pellazgë.
    Në literaturën shkencore, gjatë rreth 100 viteve të trajtimit të problemit pellazgjik, termi pellazg është përdorur në kuptime e përmbajtje historiko-gjuhësore të ndryshme. Tezat e hipotezat e studiuesve për identitetin e pellazgëve dhe për raportet e tyre me popullsitë e tjera, shkojnë nga mohimi i ekzistencës së tyre deri në përpjekjet për t’u veshur atyre tipare të veçanta e të përcaktuara qartë në pikpamje etnike e gjuhësore. Këto interpretime, në thelb të skajshme, e shprehin pamjaftueshmërinë e argumenteve të njërës ose të tjetrës pikëpamje, ndaj edhe e kanë kompromentuar së tepërmi përdorimin e termave pellazg e pellazgjishte, e si rrjedhim shumë studiues sot, për emërtimin e popullsisë së tejlashtë ballkanike parapëlqejnë të përdorin termat: parailirë, paratrakë, paragrekë.
    Termi pellazg që trashëgojmë nga burimet antike dhe që mendojmë se gjen mbështetje pjesërisht nga të dhënat arkeologjike, mund të përdoret në kuptim konvencional, me një përmbajtje dhe domethënie të caktuar. Kështu bashkësia e gjërë kulturore, kultike dhe pjesërisht etno-gjuhësore që u formua gjatë eneolitit në Ballkanin Perëndimor, mund të quhet pellazgjike. Në pikpamje metodike ato që po quajmë pellazg apo pellazgjike, nga përmbajtja nuk janë homogjene e kompakte në shtresëzimin linguistik e kulturor të Europës Juglindore, por janë diçka heterogjene, me elemente kryesisht indoeuropiane dhe pjesërisht jo indoeurpiane në gjuhë. Prandaj termat pellazg e pellazgjishte i përdorëm për të emërtuar një popullsi me elementet më të përgjithëshme kulturore e gjuhësore të përbashkëta për trevën e Europës Juglindore që përfshin periudhën e eneolitit dhe atë të bronzit të hershëm. Ky është kuptimi konkret që i japim termit pellazg, mbi bazën e dëshmive arkeologjike. Natyrisht me përdorimin e këtij termi nuk duhet të mendojmë që në epokën e bakrit, e në një territor të gjërë si ai i Ballkanit Perëndimor të kishte një popullsi si ajo e kohës antike, as edhe një emër të përgjithshëm për të gjitha fiset e kësaj treve. Duke përdorur emrin konvencional pellazg për nënshtresën para ilire, themelore nuk është emri vetë, por evidentimi dhe përcaktimi i rolit që luajti ky substrat etnolinguistik në periudhën e kalimit nga eneoliti në bronz, me fjalë të tjera, të vihet në dukje ajo që ndodhi në planin kulturor dhe etnik në fund të mijëvjeçarit të katërt dhe në fillim të mijëvjeçarit të tretë p.e.sonë në Ballkanin perëndimor.
    ===========================

  • Në këtë kufi kohor në të gjithë gadishullin ndodhën ndryshime të mëdha në kulturë, në ekonomi, në organizimin shoqëror, në jetën shpirtërore dhe në përbërjen etnike. Vendin e kulturave eneolitike e zunë ato të bronzit të hershëm, që veçohen shumë qartë nga kulturat paraardhëse. Në metalurgji, me daljen e bronzit (përzierje e bakrit me kallaj) u shënuan përparime në përgatitjen e veglave të punës e të armëve, kurse në organizimin shoqëror vendosen marrëdhëniet patriarkale. Këto ndryshime u kushtëzuan nga faktorë të ndryshëm, ku rol të rëndësishëm luajti evolucioni i brendshëm, me fjalë të tjera, trashëgimia eneolitike, si edhe njohja e metalit të ri, bronzit. Ndryshime cilësore u bënë edhe në botën shpirtërore, në konceptet e reja dhe në radhë të parë në shfaqien e kultit të varrimit në tuma (varre në formë kodre). Për këtë arsye kjo periudhë kalimtare nga eneoliti në bronz përbën një hallkë të rëndësishme në të gjithë rrjedhën e proceseve etnokulturore të epokës së bronzit. Ndaj na duhet të bëjmë një ndalesë për të spjeguar arkeologjikisht këtë lidhje midis dy epokave.
    Në territorin e Shqipërisë bronzi i hershëm është dëshmuar mjaft mirë arkeologjikisht nga vendbanimi i Maliqit (Maliq III a,b), i Trenit IIIa (Korçë), i Gajtanit I, i shpellës së Nezirit (Mat), i shpellës së Bënjës (Përmet ), i shpellës së Konispolit etj., si edhe nga varret më të hershme të tumave të Pazhokut (Elbasan), të Barçit (Korçë), të Shtoit e Shkrelit (Shkodër), të Piskovës (Përmet), të Vodhinës (Gjirokastër), të Bajkajt dhe të shpellës së Konispolit (Sarandë) etj. Lënda e përftuar nga këto zbulime ka zgjeruar shumë njohjen tonë për përbërësit që morën pjesë në formimin e kulturës së bronzit të hershëm. Nga të gjitha këto të dhëna është arritur në përfundimin se kultura e bronzit të hershëm në Shqipërinë Juglindore (Maliq, Tren), në Shqipërinë Jugore (Bënjë, Piskovë, Përmet, Vodhinë), në Shqipërinë e Brendëshme (shpella e Nezirit) dhe në Shqipërinë Veriore (Gajtan, Shkrel, Shtoi), në treguesit themelor ka tipare të njëjta dhe në formimin e saj kulturor dhe etnik vendin kryesor e zë përbërësi autokton eneolitik. Përbërësi tjetër, ai me origjinë lindore, i ardhur si rezultat i dyndjes së fundit të nomadëve të stepave, shpejt u dobësua dhe u shkri me përbërësin vendas.
    Për rolin e përbërësit eneolitik, vendas na dëshmojnë edhe disa të dhëna antropologjike nga skeletet e varreve të bronzit të hershëm, të cilat dëshmojnë se popullsia e ardhur u asimilua nga popullsia vendase më e shumtë në numër.
    Këto janë disa të dhëna arkeologjike të dorës së parë, që na lejojnë të shprehemi për një vazhdimësi kulturore dhe etnike nga epoka eneolitike në atë të bronzit të hershëm. Me këtë nuk kuptojmë një vazhdimësi tërësore, një kalim të drejtpërdrejtë të kulturës e të bartësve të saj nga një epokë në tjetrën. Periudha e tranzicionit ishte, siç e kemi vënë në dukje, një periudhë e ndryshimeve të mëdha ekonomike e kulturore dhe ngjizja, midis përbërësit vendas dhe atij të ardhur, është bërë me asimilim kulturor, por edhe me dhunë. Më shkoqur, me vazhdimësi ne nënkuptojmë përbërësin etno-kulturor eneolitik, i cili mori pjesë aktive në formimin e etnosit ilir gjatë epokës së bronzit.
    Ky përbërës është edhe nyja lidhëse midis banorëve ilirë të epokës së bronzit dhe të banorëve të tejlashtë të epokës eneolitike të para-ilirëve, të cilët i quajtëm konvencionalisht pellazgë. Këto përfundime na japin të drejtën të shprehemi se ilirët janë një nga popujt më të vjetër të gadishullit.
    KREU II
    ILIRËT
    Kuadri historik. Burimet e shkruara të autorëve antikë na bëjnë të ditur se në kohën antike pjesa perëndimore e Ballkanit banohej nga ilirët, një nga popujt më të mëdhenj të gadishullit.
    Lajmet për emra fisesh ilire i gjejmë që më monumentet më të hershme të letërsisë helene, në poemat e Homerit e të Hesiodit. Interesi i shkrimtarëve grekë për trevat e Ilirisë dhe ilirët u shtua sidomos në shek. VII-VI p.e.sonë, kur në brigjet lindore të Adriatikut u themeluan kolonitë e para helene, si Dyrrahu, Apolonia, Oriku etj. Lidhjet e ngushta që mbanin këto qytete me metropolet, si dhe ardhjet e shpeshta të udhëtarëve e tregtarëve grekë, për t’u njohur e për të tregtuar me vendet e pasura në minerale, në prodhime blegtorale e bujqësore të Ilirisë, bënë që bota greke, në atë kohë, të mirrte njohuri pak a shumë të plota e më të sakta për ilirët e Ilirisë. Këto të dhëna mjaft të sakta i gjejmë në veprat e historianëve të mirënjohur të antikitetit, të Herodotit dhe në veçanti të Tuqididit. Në shek. IV-II p.e.sonë shtohen në mënyrë të ndjeshme të dhënat e shkruara për historinë e Ilirisë. Në mes të veprave të historianëve e gjeografëve antikë, vepra e Polibit jep të dhëna të rëndësishme e të sakta për mbretërinë ilire ashtu si edhe vepra e Strabonit, e Apianit etj., që plotësojnë njohjen tonë për ilirët (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë Tiranë 2002).
    Për shekujt e parë të e.sonë të dhënat historike për Ilirinë janë shumë të kufizuara, në ndryshim nga shekujt e mëvonshëm IV-VII, kur ka një prodhimtari të madhe letrare të autorëve antikë dhe
    bizantinë, prej nga mund të nxirren të dhëna me vlerë për historinë e
    Ilirisë në periudhën e vonë antike.
    Burimet e shkruara antike e ato të hershme mesjetare përbëjnë një bazë të rëndësishme për rindërtimin e historisë së ilirëve dhe të arbërve. Por fakti që ato janë të fragmentuara e flasin vetëm për disa ngjarje e aspekte të historisë së ilirëve, i bëjnë ato të pamjaftueshme për të rindërtuar plotësisht zhvillimin historik në territorin e Shqipërisë në kohën antike. Gjithsesi, shfrytëzimi i tyre bashkë me të dhënat e shumta arkeologjike, mundësojnë sot rindërtimin e shumë çështjeve të historisë dhe të kulturës së ilirëve.
    Ilirët jetonin në një territor të gjërë, kufiri verior i të cilëve shkonte deri tek degët e lumit Danub (Sava e Drava), kurse në jug, duke përfshirë edhe territorin e Epirit prehistorik, kufiri shkonte deri në gjirin e
    Ambrakisë (të Prevezës). Në lindje, si kufi natyror, ishin lumenjtë Morava e Vardar (rrjedha e sipërme dhe e mesme) dhe në perëndim brigjet e Adriatikut e të Jonit. Grupe të veçanta fisesh ilire u vendosën edhe në Italinë e Jugut (Mesapët e Japygët).
    Në zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe rrjedhimisht edhe politik të ilirëve, rol parësor ka luajtur pozita gjeografike e Ilirisë e cila gjendej pranë dy qytetërimeve të mëdha antike: pranë qytetërimit helen dhe atij romak, e më pas përfshirja e saj në kulturën e hershme bizantine.
    Në shek.VI-V p.e.sonë në Ilirinë e Jugut lindin formacionet e para shtetërore. Nga forma politike ato ishin monarki të trashëguara, ku sundonin përfaqësuesit e aristokracisë skllavopronare. Ndarja administrative e shtetit kishte në qendër qytetin kryesor, ku qëndronte dinastia e caktuar nga mbreti. Brenda kuadrit monarkik të shtetit ilir, qytetet dhe krahinat rreth tyre kishin një vetqeverisje në formën e Bashkësive, me në krye një këshill ekzekutiv nëpunësish të zgjedhur çdo vit. Në shek. V-IV p.e.sonë shteti ilir formohet plotësisht. Mbreti më aktiv ishte Bardhyli, që theu maqedonët, i vuri në vartësi dhe në vitin 359 p.e.sonë guxoi të ndeshet me Filipin e II të Maqedonisë për rivendosjen e kufirit në lindje . Nën sundimin e mbretit Glaukia, shteti ilir u forcua më tej. Më 355 p.e.sonë bëhen përpjekje për çlirimin e tokave lindore në luftë kundër Aleksandrit të Maqedonisë dhe u sigurua aleanca me Epirin, duke vendosur në fron Pirron (në vitin 309). Gjithashtu, u bashkua Dyrrahu me shtetin ilir dhe u çlirua Apolonia nga pushtimi maqedon. Në kohën e pasardhësve të tij, Monunit dhe Mytilit shteti forcohet ekonomikisht, duke prerë monedha argjendi dhe bronzi. Pas mesit të shek.III p.e.sonë nën mbretërinë e Pleuratit dhe Agronit nis përsëri periudha e lulëzimit të shtetit ilir. Në vitin 231 p.e.sonë ilirët thyen në Etolët dhe lidhën aleancë me Epirin dhe Akarnaninë. Kështu ilirët dalin si forca më e madhe politike në Ballkan, e për rrjedhojë bien ndesh me synimet hegjemoniste të Romës në detin Adriatik. Në dy luftrat e para me Romën (229 e 218 p.e.sonë) shteti ilir i udhëhequr nga Teuta, thyhet. Më pas nën sundimin e mbretit Gent (186-168 p.e.sonë) shteti ilir filloi përsëri politikën antiromake dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Në betejën e Shkodrës (168 p.e.sonë) ushtria ilire u thye dhe shteti ilir u shkatërrua.
    Historia politike e ilirëve në shek.V-I p.e.sonë nuk mund të kuptohet pa njohur lindjen dhe zhvillimin e qyteteve e kulturës qytetare ilire. Mbështetur në kërkimet e studimet intensive në qytetet e
    Amanties, Antigonesë, Bylisit, Klosit, Dimales, Zgërdheshit (Albanopolit) Lisit, Skodrës, Selcës së Poshtme etj., arkeologët shqiptarë kanë veçuar qartë një periudhë qytetare në zhvillimin e përgjithshëm të kulturës dhe historisë ilire. Ajo u formua si rrjedhim i evolucionit të brendshëm dhe të pandërprerë, mbi një bazë të pandryshueshme etnike. Zgjerimi dhe intensifikimi i marrëdhënieve me botën helene në aspektin urbanistik, ekonomik, kulturor dhe politik i dhanë pamjen e plotë të një qytetërimi antik mesdhetar. Ai u bë bazë e qëndresës ndaj ndryshimeve politike dhe kulturore që ndodhën në Iliri, gjatë sundimit të perandorisë romake.
    Periudhën qytetare ilire, shek.IV-I p.e.sonë, prof. N. Ceka e ka cilësuar si periudha që qëndron midis dy momenteve kyçe në procesin shumëshekullor të formimit të etnosit ilir dhe të ngjizjes prej tij të kombësisë arbërore, si një nga periudhat më të shkurtërat të historisë ilire, por edhe nga më të ngjeshurat, për thellësinë e ndryshimeve ekonomike e shoqërore dhe të pasqyrimit të tyre në sferën e kulturës, apo në dendësinë e ngjarjeve politike (Ceka,N. 1982,119).
    Pasi nënshtroi mbretërinë ilire dhe shtetin e Epirit, Roma vendosi të qëndronte gjatë në Iliri dhe prej këtej të shtrihej në të gjithë Gadishullin Ballkanik, madje edhe më tej në Azinë e Vogël. Në Iliri, Roma zbatoi një politikë administrative që i shërbeu politikës së romanizimit. Roma, herë pas here, bënte riorganizime në përputhje me situatën politike. Në fund të shek. I p. e. sonë u krijua provinca e Ilirikut (Illyricum), e cila përfshinte një territor shumë të gjërë. Ndryshimet që ekzistonin midis krahinave perëndimore bregdetare dhe atyre të brendshme malore bënë të nevojshme krijimin në pjesën qendrore të Ilirisë të një province tjetër, atë të Mëzisë, që përfshinte edhe Dardaninë, e cila deri atëherë bënte pjesë në provincën e Maqedonisë. Në fund të shek. IV të e. sonë u krijua provinca e Epirit, ku u futën krahinat ilire në jug të Vjosës, i gjithë Epiri dhe Akarnania dhe Etolia, në jug të tij. Në periudhën e vonë antike, Iliria e Jugut ishte e ndarë në katër provinca: Prevali (me qendër Shkodrën), Dardania (me qendër Shkupin), Epiri i Ri (me qendër Durrësin) dhe Epiri i Vjetër (me qendër Nikopojën).
    Gjatë shek.I e.sonë ndodhën ndryshime në jetën e qyteteve. Disa qytete si Skodra, Dyrrahy, Bylisi, Buthroti morën statusin e kolonive. Zhvillimi i mëtejshëm i këyre qyteteve ka qenë i lidhur me zhvillimin që mori zejtaria, tregtia dhe bashkë me to edhe rrjeti i komunikacionit. Një rrugë shumë e njohur ka qenë rruga Egnatia, e cila lidhte Dyrrahun e Apoloninë, kalonte në Thesalonik dhe në fund arrinte deri në Konstandinopojë. Ajo ishte e gjatë 267 milje (395 km) dhe u ndërtua në shek. I p.e.sonë nga prokonsulli i Maqedonisë G. Egnatius, nga mori edhe emrin Via Egnacia.
    Në kohën e vonë antike, kur fuqia e Perandorisë Romake kaloi në provincat, jeta qytetare vazhdoi të lulëzonte në disa prej tyre. Dyrrahu ishte një nga qytetet më të mëdha të kohës së vonë antike dhe të qytetërimit të hershëm bizantin. Nga provincat e Ilirikut dolën personalitete të shquara të Perandorisë Romake e Bizantine si gojtari Asin Epikadi dhe juristi Prisku, perandorët e shek.III-IV të e.sonë Klaudi II, Aureljani, Diokleciani, Maksim Daza, Kostanci, Kostandini I, Justini, Justiniani etj (Historia e Popullit Shqiptar, 111-185).
    Për herë të fundit, ilirët përmenden në vitin 601 të e.sonë në kronikën e Shën Demetrit të Selanikut. Ndërsa më 1018, nga kronisti bizantin Mihail Ataliati, mësojmë emrin e provinczës së Arbanonit që zinte përafërsisht territorin që në antikitet banohej nga fisi ilir i albanëve (Freshëri, K., 57).
    E quajmë të nevojshme të japim sqarimet e mundëshme lidhur me lindjen dhe përdorimin e emrit ilir. Termin ilir (Illyris, Hyllirus), për herë të parë, e ndeshim në burimet e shkruara tek Herodoti (Herodoti VIII, 137), por që ka mjaft të ngjarë të jetë përdorur më herët. Në fillim ai ka patur një kuptim të ngushtë gjeografik me të cilin quheshin nga grekët një a më shumë fise që banonin në veri të tyre gjatë bregut të detit Adriatik. Ndoshta edhe ata e kanë thirrur vehten e tyre ilir. Më vonë, me zgjerimin e lidhjeve tregëtare, grekët e shtrinë përdorimin e këtij emri për një numër shumë më të madh fise ilirësh që banonin në veri të tyre. Në këtë mënyrë, gradualisht, emri ilir mori një kuptim të gjërë etnik duke përfshirë të gjitha fiset që ishin të njëjta ose shumë të afërta për nga origjina, nga kultura dhe nga gjuha.
    Pas shek. V p. e. sonë, me krijimin e formacioneve shtetërore emri ilir, veç kuptimit etnik, mori dhe një kuptim më të ngushtë politik. Me këtë emër quhej shteti ilir i cili shtrihej midis lumenjve të Vjosës e Naretvës (Kroaci). Në burimet latine të shek. I të e. sonë, tek C. Plinii Secundi e Pomponii Melae përdoret termi “Illyrii proprie dicti” (ilirët e mirëfilltë) (Plini III, 5 – 30). Ky emër siç janë shprehur shumë studiues, nënkuptonte popullsinë që shtrihej brenda territorit të shtetit ilir, në kufijtë e tij më të gjërë. Në burimet e mëvonshme, emri ilir dhe Iliriku, si provincë, e ndeshim deri aty nga shek. VI e. sonë.
    Origjina e Ilirëve
    Origjina e ilirëve, procesi historik i formimit të tyre, ka qenë e vazhdon të jetë një nga problemet themelore të historisë së lashtë të Shqipërisë, e në të njëjtën kohë edhe një problem për prehistorinë ballkanike, sepse zgjidhja e tij ishte e lidhur me origjinën e popujve të tjerë të lashtë të Ballkanit. Ndaj për një kohë të gjatë me këtë problem janë marrë linguistë, historianë, arkeologë, antropologë e etnografë, të cilët me studimet e tyre, nga një periudhë në tjetrën, kanë çuar më tej zgjidhjen e tij. Dhe në këtë rrugë të gjatë të kërkimit të së vërtetës shkencore e vlen të njihemi me historinë e tij.
    Problemi i origjinës së ilirëve lindi në një fazë parashkencore nga pyetja që kishin shtruar humanistët europian në shek. XV-XVI; lidhur me popullsitë e lashta të Ballkanit dhe me fatin e mëtejshëm historik të ilirëve, trakëve e maqedonëve. Pyetja që u shtrua se kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, çonte në kërkim të origjinës së ilirëve. Kërkimet e para shkencore për këtë problem u bënë në shekullin e XIX kur studjues të huaj si Thunman, Hahn etj., bënë përpjekjet e para për zgjidhjen e problemit të origjinës së popullit shqiptar, duke u mbështetur tërësisht në analizën e materialit gjuhësor, që gjëndej në burimet e autorëve antikë. Materialin e nevojshëm gjuhësor që ata grumbulluan e studiuan me metodat e mjetet e gjuhësisë krahasuese, e cila në atë fazë ishte ende e pazhvilluar e nuk mund t’i përgjigjej detyrave të sqarimit të origjinës së ilirëve. Ata krahasonin në mënyrë të drejtpërdrejtë gjuhën e sotme shqipe me mbeturinat e një gjuhe të lashtë
    mesdhetare paragreke, tek bartësit e së cilës kërkonin prejardhien e shqipes dhe të shqiptarëve, pa marrë parasysh etapat e ndërmjetme historike, në të cilat kishte kaluar ky proces.
    Përdorimi i kësaj metode jo të përshtatshme për ndriçimin e çëshjes sëilirëve la shteg për interpretime e spjegime, që shkonin shumë larg së vërtetës. Gjatë epokës së Rilindjes kombëtare shqiptare hipoteza e J.G.Hahnit (Hahn,J.G. 1954,213) për prejardhjen e shqiptarëve nga pellazgët, ndonëse e pambështetur në shumë fakte, u përqafua nga ideologët e Rilindjes sonë dhe u përdor si një mjet i mirë në luftën që ata bënin për t’i njohur shqiptarët si një komb i lashtë. Në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XX problemi i origjinës së ilirëve u çua më tej nëpërmjet metodave të reja shkencore, që filloi të përdorë gjuhësia krahasuese. Në këtë mënyrë u bë e mundur të përcaktohej një shtrirje e përafërt e ilirishtes dhe e folësve të saj në vatrat jashtë ballkanike e në vetë Ballkanin. Megjithatë, meqënëse zbatoheshin metoda formale të gjuhësisë krahasuese, mbetej shumë i papërcaktuar idenfikimi i elementit të mirëfilltë ilir, kështu që në vitet’30, u arrit në fenomenin e njohur të “panilirizmit”, i cili zotëroi në atë kohë në shkencën linguistike, e me të u bashkuan edhe disa arkeologë (Buda,A. 1974,52). Prioriteti që kishin studimet gjuhësore ndaj kërkimeve e gjurmimeve arkeologjike, ndikoi për keq në ndriçimin e qartë të problemit. Fakti që shpjegimi i origjinës së ilirëve mbështetej vetëm në mundësitë e kufizuara të një shkence të vetme, të gjuhësisë, nuk mund të çonte në përfundime të sakta, veçanërisht pa marrë për bazë fjalën vendimtare të arkeologjisë.
    Pas Luftës së Dytë Botërore kërkimet e studimet arkeologjike në fushën e prehistorisë ballkanike, e veçanërisht në atë ilire, shënuan arritje të rëndësishme në të gjitha drejtimet. Duke u nisur nga materialet konkrete e të mirëfillta ilire të zbuluara në territorin e Ballkanit perëndimor, duke kaluar nga fakte më të njohura të epokës së hekurit, u kalua në fusha më pak të njohura të epokës së bronzit. Në këtë rrugë u arritën përfundime të reja e diametralisht të kundërta për spjegimin e origjinës së ilirëve. Kështu me futjen e arkeologjisë në një rrugë metodike të re e të frytshme, u shënua një kthesë rrënjësore në ndriçimin e problemit themelor të etnogjenezës ilire.
    Në rrugën e zgjidhjes së problemit të etnogjenezës së ilirëve janë kristalizuar dy teza themelore. Sipas tezës së parë, ose më drejt tezës së vjetër, ilirët janë një popullsi e ardhur nga veriu në një kohë relativisht të re; kurse sipas tezës tjetër, ilirët dhe kultura e tyre janë produkt të një zhvillimi të brendshëm autokton, që u krye gjatë mijëvjearit të II e I p.e.sonë në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik.
    Pikëpamjet rreth origjinës veriore
    Për origjinën veriore të ilirëve janë shprehur arkeologë, historianë, linguistë e studjues të tjerë, pikëpamjet e disave prej tyre, në formë të përmbledhur, po i parashtrojmë më poshtë.
    Sipas pikëpamjes së arkeologut G.Kossina (Gjermani) origjinën e ilirëve duhet ta kërkojmë në lumin Oder, në krahinën Luzhic (Gjermania Lindore ) ku ilirët u formuan si popullsi, që në epokën neolitike dhe më pas u shtrinë në jug (Kossina,E. 1912,173). Autori bazohet në ngjasime formale të kulturës materiale të Luzhicës dhe Panonisë, e cila duket se lidhet me kulturën e njëjtë ilire si edhe në disa emra gjeografikë të spjeguar si ilir. Por siç kanë treguar faktet arkeologjike kjo rrugë e ardhjes së tyre në jug nuk mund të provohet nga të dhënat arkeologjike, madje edhe të dhënat etimologjike nuk janë të sigurta. Përafërsisht këtë pikëpamje mbron edhe R.Pittioni, i cili kulturën e vjetër të Lauzicës dhe kulturën e Fushave me Urna e quan grup kulturor protoilir, kurse kulturën e Halshtatit (Austri) dhe kulturën e zhvilluar të Lauzicës e quan si produkt të qytetërimit të pjekur ilir. Gjithashtu ai është i mendimit se protoilirët në periudhën e Fushave me Urna dhe në epokën e vjetër të hekurit kanë patur rëndësi botërore (Pittioni,R. 1954,53).
    Dobësia themelore e kësaj pikëpamje, është se përkrahësit e saj mbështeten në disa shfaqje të jashtme të kulturës materiale prehistorike të Lauzicës dhe nuk e krahasojnë atë me materialet e territorit të mirëfilltë ilir, por e përqasin me materialet e krahinave të largëta periferike që në fakt janë vetë të paqarta etnikisht.
    Në fillim të shekullit XX tezën e prejardhjes veriore të ilirëve e mbështetën, pa sjellë fakte e prova të reja, edhe studjues të tjerë të cilët nuk sollën ndonjë ndihmesë në ndriçimin e këtij problemi (Schütt,C. 1910,10; Patsch,C. 1907,169-174).
    Një variant tjetër i origjinës veriore të ilirëve e lidh prejardhjen e tyre me kompleksin e madh të kohës neolitike të Evropës së Mesme, të njohur me emrin kompleksi i qeramikës kordelore (bandkeramik). Duke e kërkuar ekzistencën e ilirëve në një kohë shumë më të hershme, që në epokën e neolitit, dhe për më tepër duke u mbështetur në disa tipare jo qënësore të saj u përpoqëm të spjegonin origjinën e qeramikës kordelore në Ballkanin veri-perëndimor, me popullsinë protoilire.
    Tezën e origjinës veriore e të panilirizmit e përkrahën edhe disa linguistë. Kështu, sipas disa studiuesve si Kreçmer etj., origjina e ilirëve duhet kërkuar në Gjermaninë Lindore, në krahinën rreth Vistulës së Mesme; pastaj sipas tyre, që andej ilirët u hodhën më vonë në Ballkan. Kjo teori mbështetet në lidhjen e disa anëve të jashtme të kulturës së kohës së mesme të bronzit në Gjermaninë e Qendrore me ato të kulturës së kohës së bronzit të territorit të mëvonshëm ilir dhe të Ballkanit. Konkretisht, ata marrin si bazë faktin që në të dy krahinat paraqitet i njëjti zakon i varrimit në tumë, fakt që është i përhapur në tërë Evropën dhe në Azinë e afërme. Por bartësit e një zakon i tillë u takojnë komplekseve kulturore të ndryshme. Edhe emrat gjeografikë që sjellin si argumenta, gjenden edhe në vise të tjera shumë larg. Bile sipas këtij varianti shkohet aq larg saqë thuhet se themelonjësit e Bizantit kanë qenë ilirët (Kretschmer,P. 1935,217).
    Sipas pikëpamjes së një linguisti tjetër H.Krahe, ilirët kanë banuar në tokat alpine, në Panoni e Çeki e ka shumë të ngjarë në një zonë të gjërë të Gjermanisë Perëndimore dhe se ilirët kanë patur rëndësi të madhe në popullimin e Evropës parahistorike (Krahe,H. 1954,93-101). Në këtë mënyrë kjo pikëpamje bashkohet me përkrahësit e teorisë së nordizmit, e cila u pasua nga shumë shkencëtarë gjermanë.
    Në veprat e shumë linguistëve gjuha ilire dhe grupëzimet etnike ilire, karakteri indoevropian ose jo i tyre, djepi i formimit dhe shtresëzimet etnike e gjuhësore kanë zënë një vend qëndror në shqyrtimin e prehistorisë Evropiane. Studiuesit duke u nisur nga krahasimet gjuhësore vënë në dukje se kultura e bronzit e mijëvjeçarit II p.e.sonë në Poloninë Perëndimore, Silezi, Saksoni, në krahinat e Sudetëve dhe në Austrinë e Poshtme, e ashtuquajtura kultura Aunjetic si edhe kultura e vjetër e Fushave me Urna e pasuar nga kultura Lauzic, u përkasin ilirëve (Mayer,A. 1957,3).
    Në tekstin e “Historisë së Bullgarisë” për origjinën ilire thuhet se në fund të mijëvjeçarit II p.e.sonë në territorin e Gadishullit Ballkanik depërtuan fise ilire që banonin deri në atë kohë në rrjedhën e sipërme të Danubit (“Istoria Bollgarii”,1954,I,21). Edhe në një pjesë të literaturës greke përsëritet kjo tezë e njohur e origjinës veriore. Ilirët, sipas tyre, janë një popullsi e afërt me trakasit dhe grekët, të cilët të shtrënguar edhe këta nga popuj të tjerë më veriorë, braktisën fushat e Hungarisë, ku ishin vendosur deri atëherë, dhe aty nga mbarimi i shekullit XII p.e.sonë, jo më vonë, zbritën në drejtim të jugut në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, e cila banohej prej trakëve (Kanaculi,D. 1958,5-18).
    Për problemin e identifikimit të etnosit ilir, të bazës etnokulturore dhe të kohës së formimit të tij është shprehur në disa studime të tij edhe B.Gavela. Sipas pikëpamjet së tij të viteve gjashtëdhjetë, kultura panonike ka patur një karakter të theksuar ilir; gjithashtu e tërë krahina halshtatjane karakterizohej nga një popullsi mbizotëronjëse ilire. Kultura e Lauzicës dhe e ashtuquajtura qeramikë panonike, e cila lidhet me grupin e Vuçedolit, sipas tij, janë elementet kryesorë të kulturës materiale në truallin evropian (Gavela,B. 1961,325-327). Ai mendon se ilirët kanë përbërë një nga grupimet më të mëdha indoevropiane në Europë, pra kanë patur një shtrirje mjaft të gjërë. Edhe identifikimin e kompleksit ilir ai e çon shumë herët. Në vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar në një studim më të ri, po ky autor, ka shfaqur një pikëpamje tjetër, që shkon shumë larg nga mendimi i tij i parë, identifikimin e etnosit ilir e çon shumë vonë, nga fundi i epokës halshtatiane, d.m.th. rreth shek.VI-V p.e.sonë (Benac,A. 1973,93-96).
    Në vitet 50-60 të shekullit XX u shprehën mendime, pro tezës së vjetër të panilirizmit. Sipas tyre ilirët kishin populluar hapësira të gjëra tokash buke në Evropë dhe në epokën prehistorike ishin shtrirë në pjesën më të madhe të Evropës, por fati i ilirëve mori fund gjatë katastrofës së madhe që ndodhi në pragun e kalimit nga mijëvjeçari II në mijëvjeçarin e I p.e.sonë (Hehn,F. 1962,87-88). Sipas një varianti tjetër lëvizja e ilirëve prej
    fushave hungareze, në drejtim të jugut e juglindjes që ka ndodhur jo më vonë se shek. XIII p.e.sonë, ka qenë shkaku kryesor i të gjithë lëvizjeve që prekën Azinë Perëndimore, Greqinë dhe Italinë dhe që shkatërruan dominimin aheas në Peloponez. Ilirët zbuan trakët nga pjesa perëndimore e Ballkanit dhe kjo pjesë u quajt më vonë me emrin Iliri (Nilcken,U. 1960, 52). Gjithashtu ata kanë marrë pjesë aktive në diasporën që u krijua në botën mikene (Caratelli,G.P. 1961, 143).
    Ka edhe linguistë të cilët të nisur nga teza se indoevropianizimi i Ballkanit lidhet me ardhjen e indoevropianëve nga veriu i kontinentit, vazhdojnë të mbrojnë tezën e origjinës veriore të ilirëve. “Sipas kësaj pikëpamjeje emigrimi i popullsive që flisnin ilirisht përfaqëson lëvizjen e fundit etniko-demografike më të shënuar në epokën pre dhe protohistorike nga veriu ose veri-lindja (mbase nga territoret e Polonisë së sotme) drejt bregut Adriatik. Si popullsi indoevropiane, e ardhur nga veriu, ilirët në përgjithësi ishin me shtat të gjatë, të fortë, të hedhur, me ngjyrën e lëkurës dhe të flokut bjond, njësoj si trakët, sllavët, gjermanët, keltët (Russu,J.I. 1969,30-31) Me këto përfundime autori është plotësisht në një mendje me e teorinë që e kërkon origjinën e ilirëve tek rraca gjermanike.
    Në fillim të shek. XX u shfaqën mendimet e para për përkatësinë racore të ilirëve. Sipas këtyre pikëpamjeve ilirët, e ardhur
    në Evropën Juglindore, i përkasin racës nordike. Ata gjetën në këtë trevë një popullsi e cila në pjesën më të madhe ishte e racës mesdhetare. Nga përzierja e dy popullsive, sipas tyre, u formua një lidhje e re antropologjike, nordiko-mesdhetare. Një nga përfaqësuesit e kësaj pikëpamjeje, antropologu O.Reche shkruan se ilirët ishin fise me pamje nordike (homo europeus) tip ky që konstatohet veçanërisht në bregdetin e Adriatikut. Këtë tip me tipare nordike e gjen shpesh edhe sot në Shqipëri (Reche,O. 1926, 48-50). Ekziston edhe një hipotezë tjetër, sipas së cilës ilirët do të kenë pasur në përbërjen e tyre elementë dinarikë qysh përpara se të arrinin në gadishullin Ballkanik. Por edhe këta antropologë origjinën e tipit dinarik e shohin në Evropën Qendrore, duke qëndruar kështu në pozitat e origjinës veriore të ilirëve (Dhima,A. 1976.5,35).
    Siç shihet nga pikëpamjet e rreth 30 studjuesve të ndryshëm që parashtruam, megjithëse ata trajtojnë të njëjtin problem, të nisur nga burime të ndryshme, e për më tepër nga koncepte e parime metodologjike të ndryshme, rrjedhimisht kanë arritur në përfundime shumë herë mjaft larg me njëri – tjetri. Ato i bashkon vetëm fakti që i bëjnë ilirët të ardhur në trevën kur ata njihen nga burimet historike; kurse, përsa i takon vatrës më të hershëm se nga erdhën ilirët, ashtu
    edhe kohës së ardhjes së tyre, mendimet e parashtruara për këtë tezë ndahen njëra me tjetrën ose shumë pak afrojnë midis tyre.
    Ndër tezat e shumta, ajo e origjinës veriore dhe e panilirizmit, e paraqitur në njërin ose tjetrin variant, ka mbizotëruar për një kohë të gjatë. E meta themelore e saj qëndron në faktin se shumica e përfaqësuesve të kësaj teze, të cilët duan të spjegojnë formimin e kulturës ilire nga kultura e Lauzicës, kultura e Fushave me Urna, nga kultura Aunietic, apo Kordelore nisen nga disa shfaqje e dukuri të jashtme të kulturave prehistorike periferike, ku ata konstatojnë disa elementë të përbashkët dhe nuk analizojnë e nuk mbështeten tek tiparet e qënësishme të kulturave që vijnë nga territori i mirëfilltë. Të kërkosh sot, pas gjithë këtyre përfundimeve dhe arritjeve të kërkimeve arkeologjike në fushën e kulturave prehistorike të Ballkanit dhe të Evropës, origjinën e kulturës ilire në kulturën e Lauzicës, në kulturën Kordolore apo qoftë edhe në kulturën e Fushave me Urna, është një kthim shumë mbrapa, sepse zbulimet dhe studimet arkeologjike tashmë e kanë zgjidhur dhe e kanë përcaktuar qartë përkatësinë etnike të këtyre kulturave.
    Zgjidhja e drejtë e problemit të etnogjenezës ilire, deri në mesin e shek. XX, është ndërlikuar për shkak të një farë mbizotërimi të pikëpamjeve gjermane në fushën e linguistikës dhe të arkeologjisë, të cilat janë ndjerë shumë gjatë njëqindvjetëve të kaluara.
    Edhe një varg linguistësh, të cilët cituam më lart, në zgjidhjen e problemit që po shqyrtojmë, kanë qenë nisur nga të dhëna gjuhësore pak të njohura e jo shumë të sigurta, që vijnë nga territore jo të mirëfillta ilire. Gjithashtu ato janë mbështetur në tezën sipas të cilit zona skandinave ka qenë jo vetëm atdheu i protoindoevropianëve, por edhe djepi i qytetërimit ballkano-anatolik. Pikërisht këtu qëndron një e metë tjetër
    e prehistorianëve dhe e linguistëve që, siç pohon me të drejtë M.Budimir, -në studimin e prehistorisë evropiane ata nisen nga mjegulla skandinave pa monumente të shkruara, e jo nga dielli ballkano-anatolik dhe shkrimi i hershëm i tij (Budimir, M. 1953,28-29).
    Idetë që parashtruam nxjerrin në sheh disa nga mangësitë thelbësore të teorisë për prejardhien veriore të ilirëve, të cilat, sipas mendimit tonë, cënojnë dhe përfundimet e arritura prej tyre. Ndaj e quajtëm të panevojshme e të tepërt të hynim në hollësirat e këtyre tezave. Ne do të ndjekim një rrugë tjetër që na duket më bindëse, do të parashtrojmë tezën për autoktoninë e ilirëve dhe me fakte e argumente do të provojmë pikëpamjen tonë e të studiuesve të tjerë shqiptar.
    Pikëpamjet kryesore për autoktoninë e ilirëve
    a)Pikëpamjet e studjuesve të huaj
    J.G.Hahn, një shekull e gjysmë (1854) më parë është i pari që ka parashtruar tezën e tij se shqiptarët janë paraardhës të ilirëve dhe këta të fundit janë pasardhës të pellazgëve (Hahn,J.G. 213). Sipas tij ilirishtja është një gjuhë pellazgjike, në një kuptim më të gjërë Illyrian-pellazge. Në tezën e tij Hahni përfshin tek ilirët edhe Epirotët e Maqedonët; të gjithë këta popuj ai i bën të ardhur prej pellazgëve. Kjo tezë shpreh karakterin autokton të formimit të popullsisë ilire nga një popullsi më e lashtë mesdhetare, të cilën e quan pellazge. Njëqind vjet më vonë, më 1952, linguisti M.Budimir, duke analizuar të dhënat gjuhësore për ilirët dhe parailirët, midis të tjerash arrin në përfundimin se indoevropianët më të vjetër të zonës së pellgut të Mesdheut kanë qenë të ashtuquajturit pelastë, të cilët kanë banuar në truallin e Ballkanit dhe të Italisë, shumë kohë më parë se të vinin këtu indoevropianët klasikë, fiset greke e italike. Sipas tij, pelastëve u përkasin edhe ilirët që kanë lënë mjaft gjurmë linguistike (Budimir,M. 1952,10).
    Në rrafshin arkeologjik çështja e origjinës së ilirëve u shtrua nga M.Garasanin në vitin 1955. Duke bërë përgjithësimin dhe interpretimin historik të materialit arkeologjik për kulturat prehistorike të Evropës Juglindore, ai arrin në përfundime të rëndësishme për karakterin autokton të formimit të kulturës ilire. Sipas tij, si bazë themelore e formimit të ilirëve dhe të pellasgëve duhet të merren në konsideratë bartësit e kulturës së mëvonshme neolitike në qarkun pellazgjik: Ballkan dhe Azi e Vogël. Këtë kulturë ai e quan kompleksi ballkano-anatolik i neolitit të ri, duke dalluar në të disa grupe kulturore. Këto grupe të kompleksit ballkano-anatolik të kohës së hershme të bronzit janë përhapur në territorin e pellazgëve të vjetër në kohën paragreke. Si rrjedhim, gjithnjë sipas tij, origjinën e pellazgëve duhet ta lidhim me kompleksin ballkano-anatolik të kohës së hershme të bronzit, në të cilën duhet të kërkojmë medoemos edhe origjinën e ilirëve dhe të trakëve të vjetër, të lidhur ngushtë me pellazgët. Nga kjo bashkësi fisesh të ndryshme, të lidhura me kulturë dhe gjuhë të ngjashme, më vonë, pa kurrëfarë ndërprerje gjatë zhvillimit historik ilirët ndahen në perëndim, kurse trakasit në lindje të Moravës (Garasanin,M. 1956,323-332).
    Sqarimi i tezës së autoktonisë së ilirëve mori një formë më të plotë në trajtesën që i bën këtij problemi A.Benac në vitin 1964. Duke u mbështetur në të dhënat arkeologjike të fituara nga zbulimet dhe studimet shumëvjeçare të kulturës pre e protohistorike ilire të territorit të ish Jugosllavisë, autori arrin në këto përfundime:
    Gjatë periudhës së kalimit nga epoka e neolitit në atë të bronzit në Ballkanin Veriperëndimor u krijua substrati kryesor për etnogjenezën e mëvonshme të fiseve ilire në këtë zonë. Në këtë periudhë nuk mund të flitet për kurrfarë ilirësh. Të gjitha këto grupime popullsish të Ballkanit Veriperëndimor, janë parailire të cilat u zhvilluan mbi një bazë autoktone gjatë periudhës së hershme, të mesme dhe një pjesë të madhe të periudhës së vonë të bronzit. Autori i quan ato grupe protoilire dhe, megjithëse nuk kemi akoma një element të vetëm etnik, prapëseprapë këto janë ato grupe që gjatë lëvizjeve të mëtejshme, të brendëshme e të jashtme, do të shpien përfundimisht në krijimin e trungut etnik protoilir dhe ilir. Në përfundim ai sqaron se nuk ka kurrfarë baze për supozimin se në këtë periudhë ilirët erdhën në vendbanimet e tyre të mëvonshme dhe se këta i dhanë fund të ashtuquajturit misionit të tyre “historiko-botëror”. Përkundrazi, unë mendoj se sot është
    më e qartë se në këtë truall ata u shtuan dhe erdhën gradualisht deri në pikën ku mund t’i konsiderojmë si bashkësi më të gjëra ilire (Benac,A. 1964,70).
    b) Pikëpamjet e studiuesve shqiptarë
    Etnogjeneza e ilirëve, si një nga problemet parësore të Historisë së Lashtë të Shqipërisë, ka qenë objekt kërkimesh e studimesh për arkeologjinë shqiptare dhe kjo dëshmohet që në hapat e para të gërmimeve të viteve, 50 (shek. XX) që u bënë në tumat e Matit. Kështu historia e mendimit arkeologjik shqiptar për origjinën e ilirëve nis me fillimin e gërmimeve sistematike në vitet 1952-56, kur u zbuluan tumat e Matit, të Vajzës së Vlorës e të Dropullit. Nga interpretimi i materialit të zbuluar u arrit në mendimin se ilirët kanë qenë jo vetëm bartës të kulturës së hekurit në vendin tonë, por edhe banorë të këtij trualli edhe në epokën e bronzit. Kjo nismë e mirë u bë bazë për gjithë punën e mëvonshme, për ndriçimin dhe sqarimin e origjinës së ilirëve.
    Problemi i etnogjenezës ilire fitoi një bazë të re shumë më të gjërë faktike pas zbulimeve të rëndësishme, që u bënë në Maliq, Gajtan, Tren (Korçë), Pazhok, Belsh (Elbasan), e gjetkë. Në vitet. 70-80, me grumbullimin e një lënde të pasur nga shumë varreza tumulare të kohës së bronzit e të kohës së hekurit, u hodhën bazat për spjegimin dhe interpretimin e një varg problemesh të pre e protohistorisë shqiptare, të cilat, së toku, e argumentuan më mirë tezën e origjinës autoktone të ilirëve.
    Para se të parashtrojmë pikpamjen tonë për origjinën e ilirëve, e quajmë të udhës të renditim kronologjikisht mendimet e kolegëve shqiptarë.
    Më 1955, S.Islami, H.Ceka, F. Prendi, S.Anamali, pasi shqyrtuan materialet e zbuluara në tumat e Matit, vunë re se një varg objektesh të epokës së hekurit kishin lidhje me objektet e epokës së
    bronzit. Këto të dhëna i çuan ato në përfundimin se ky vazhdim i traditave të bronzit në qeramikë na jep të drejtën të pohojmë: “Ilirët nuk kanë qenë vetëm bartës të kulturës së hekurit në vendin tonë, sikurse kanë shkruar shkencëtarët e huaj, por përkundrazi, ata kanë banuar në atdheun tonë edhe në kohën e bronzit”(Islami,S. etj., 1955,154).
    Më 1957 F.Prendi, duke interpretuar materialin arkeologjik të zbuluar në tumat e Vajzës, shkruan: “Duke pranuar se bartësit e kulturës së Vajzës kanë qenë ilirë, duhet të mendohet njëkohësisht se ky element etnik krijoi jo vetëm kulturën e hekurit, por edhe atë të bronzit në vendin tonë” (Prendi,F. 1957,2,106).
    Më 1959, në botimin e parë të tekstit “Historia e Shqipërisë”, teza e autoktonisë ilire shtrohet me një farë mëdyshje: “Siç shihet, – thuhet në tekst, -problemi mbetet akoma i pazgjidhur. Megjithatë nga dy tezat kundërshtare ajo e autoktonisë ka meritën se tërheq vëmendjen mbi materiale, të cilat, megjithëse të pamjaftueshme, hedhin një dritë të re mbi problemin e gjenezës së ilirëve dhe formojnë një nxitje për kërkime më të reja”(Historia e Shqipërisë 1959,I,51).
    Më 1962, S.Islami dhe H.Ceka, duke interpretuar materialet arkeologjike të reja të Pazhokut dhe të Maliqit , arrijnë në përfundimin se dukjen e etnosit ilir e shohim jo në mesin e mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë, por që në fillim të epokës së bronzit. Madje, pikëpamjen për lashtësinë e bartësve të kulturës së epokës së bronzit e çojnë edhe më tej, në epokën eneolitike (Islami,S., Ceka,H., 447). Në dritën e materialeve të Maliqit, po në atë vit, F.Prendi arrin në përfundimin: “Përsa i takon periudhës së hershme të bronzit nuk është vështirë të dallohet, në disa tipare të fizionomisë së saj, prania e elementit etnik ilir” (Prendi,F. 1965,635).
    Duke parashtruar përfundimet për vendbanimin e Maliqit, F.Prendi, pasi shqyrton materialin e epokës së bronzit, në tri periudhat e zhvillimit të saj, argumenton vazhdimësinë kulturore gjatë këtyre periudhave, si dhe karakterin ilir të disa enëve dhe të elementeve dekorative. Ai shkruan se të gjitha këto paraqesin një tregues të gjallë e bindës të unitetit kulturor të gjithë epokës së bronzit, e cila shpreh rrjedhimisht edhe
    karakterin etnik të qëndrushëm të bartësve të kësaj kulture, me fjalë të tjera, karakterin ilir të kulturës së kohës së bronzit të Maliqit në të gjitha etapat e zhvillimit të saj (Prendi,F. 1966, 277-278).
    Më 1969, S.Anamali dhe M.Korkuti, duke u mbështetur në të dhënat e zbuluara në Pazhok, Maliq, Tren (Korçë) dhe Gajtan (Shkodër) argumentuan karakterin autokton të formimit të kulturës ilire në territorin e Ballkanit Perëndimor, gjatë mijëvjeçarit të II p.e.sonë. Madje në vendbanimet e Maliqit e të Trenit jo vetëm që provohet se ilirët janë autoktonë por edhe vijimësia kulturore etnike mund të ndiqet që nga epoka e bakrit e këtej (Anamali,S., Korkuti,M. 1969,17).
    Më 1972, në Kuvendin I të Studimeve Ilir, prof. A.Buda, shkruan se “koncepteve të një vatre jashtëballkanike të formimit të etnosit ilir dhe të dyndjes së tij në një kohë më të vonë, bashkë me kulturën e hekurit nga Evropa e Mesme e Veriore, mund t’u kundërvihen argumente që flasin për formimin autokton të etnosit ilir në Ballkan e në trevën shqiptare qysh nga koha e bronzit, mbi bazën e një kompleksi kulturor ballkano-anatolik” (Buda,A. 1974,I,53).
    Mbi bazën e të gjithë të dhënave të grumbulluara nga gërmimet arkeologjike dhe të përgjithësimeve që u bënë për to, M.Korkuti, po në këtë Kuvend, bëri përpjekje për të krijuar një pamje më të gjërë për etnogjenezën ilire. Formimin e etnosit ilir ai e pa si një proces të gjatë historik, që lindi dhe u zhvillua mbi një bazë e një stad të caktuar të zhvillimit social-ekonomik të shoqërisë ilire. Në këtë këndvështrim, lindja e etnosit ilir u kërkua në epokën e bronzit të mesëm, natyrisht mbi një bazë më të hershme autoktone (Korkuti,M. 1974,I, 73-77).
    Disa vite më vonë, F.Prendi shprehu mendimin se procesi i formimit të etnosit ilir nisi në fund të periudhës së bronzit të hershëm (në fazën e kulturës së Maliq IIIb) mbi bazën e një strukture të re etno-kulturore, e cila do të kristalizohej edhe më mirë në periudhën e hershme të hekurit (Prendi,F. 1979,144).
    Nga paraqitja e kësaj rruge të përpjekjeve për zgjidhjen e problemit të rëndësishëm të origjinës së ilirëve mund të nxjerrim disa përfundime.
    Në të gjitha mendimet e shprehura dhe përfundimet e arritura, është nënvizuar karakteri autokton i lindjes dhe i formimit të kulturës dhe të etnosit ilir. Gjithashtu, të gjithë studiuesit shqiptarë janë mbëshetur në materialin arkeologjik të zbuluar në territorin e vendit tonë ose në territorin që njihet se është i mirëfilltë ilir.
    Përsa i takon periudhës së fillimit të formimit të etnosit ilir pikëpamjet kanë ndryshuar nga koha në kohë, në një diapazon që shtrihet midis eneolitit dhe mesit të epokës së bronzit. Këto pikëpamje të ndryshme janë të dobishme e me vlerë se nxisin mendimin shkencor, por në të njëjtën kohë shprehin edhe pamjaftueshmërinë e argumenteve e të fakteve për zgjidhjen përfundimtare të problemit.
    Baza arkeologjike e autoktonisë së ilirëve
    Në zgjidhjen e problemeve të tilla kaq të ndërlikuara është i nevojshëm bashkërendimi i përfundimeve të fushave të ndryshme të dijes. Të dhënat arkeologjike, antropologjike, gjuhësore, etnografike dhe ato historike, kur ka të tilla, duhet të bashkërendohen për të arritur në përfundime të sakta. Por një gjë e tillë nuk është e lehtë të arrihet, qoftë nga pamjaftueshmëria e materialit faktik (për njërën ose për tjetrën fushë), qoftë edhe nga konceptet e ndryshme që ekzistojnë midis studiuesve të fushave të ndryshme të dijes lidhur me rëndësinë dhe vlerën që kanë burimet e kësaj ose asaj fushe. Kështu, p.sh. disa gjuhëtarë të huaj kanë mendimin se të dhënat arkeologjike kurrsesi nuk janë të dhëna të mjaftueshme historike për të studiuar procesin e etnogjenezës së një populli dhe se gjoja ato nuk arrijnë të shprehin bashkësinë e tyre etnike. Nga ana tjetër, ka arkeologë, të cilët duke mbrojtur vlerën e burimeve të tyre, i quajnë si të pasakta të gjitha ato teza, që gjuhëtarët kanë ndërtuar për epokën prehistorike pa burime të shkruara.
    Sipas disa studiuesve të tjerë, në zgjidhjen e problemeve etnike, përparësia i përket arkeologjisë dhe antropologjisë historike, së bashku me etnologjinë dhe pjesërisht gjuhësinë. Duke u dhënë përparësi
    burimeve arkeologjike, këta studiues kanë parasysh faktin se kërkimet arkeologjike mbështeten në studimin e gjithanshëm të materialit arkeologjik, në të gjitha llojet e krijimtarisë materiale dhe shpirtërore; kështu që, në ndërtimin e raporteve stratigrafike, të analogjive të ndryshme etj., mund të vendosen lidhje më të sakta në kronologjinë relative dhe absolute, sidomos për periudhat prehistorike. Kjo krijon mundësi për një shqyrtim më të gjërë të epokave të ndryshme të zhvillimit historik, shoqëror dhe etnik.
    Në gjendjen e sotme të studimeve, arkeologjia ka dëshmuar e po dëshmon përparësinë e saj në shqyrtimin e problemeve etnike të epokës prehistorike si ndaj gjuhësisë, e cila për vetë të dhënat e varfra e të kufizuara, mund të themi, se ka mbetur më mbrapa, ashtu edhe ndaj antropologjisë, e cila për shkak të zhvillimit ende të pamjaftueshëm dhe pjesërisht edhe të mungesës së skeleteve për epokën prehistorike, është ende larg arkeologjisë.
    Kur trajtohet problemi i origjinës së ilirëve, çështja e parë që del përpara dhe që kërkon zgjidhje, është ajo e vazhdimësisë kulturore nga periudha e bronzit të hershëm në bronzin e mesëm, në bronzin e vonë dhe në epokën e hekurit. Kjo është arsyeja që në nismën e këtij problemi S.Islami, H.Ceka, F.Prendi, S.Anamali, i kushtojnë vëmendje vijimësisë kulturore, dhe më pas, po kësaj çështje, i është kushtuar kujdes i veçantë, është trajtuar e analizuar më gjërë mbi bazën e materialeve të reja, të cilat kanë ardhur vazhdimisht duke u pasuruar.
    Po e marrim si të zgjidhur (dhe në një masë të konsiderueshme ashtu është) problemin e vazhdimësisë kulturore gjatë epokës së bronzit dhe asaj të hekurit në territorin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, në territorin ku shtriheshin ilirët e mirëfilltë. Po a është i mjaftueshëm ky fakt, ky përfundim paraprak që nxirret për këtë problem? A është e mjaftueshme të provojmë vazhdimësinë kulturore që nga fillimet e epokës së bronzit dhe të themi se aty fillon procesi i formimit të etnosit ilir?
    Vazhdimësia e banimit në një trevë të caktuar përbën një nga premisat bazë edhe për formimin dhe konsolidimin e një kulture, të një etnosi a të një gjuhe, ndaj edhe studimi i vazhdimësisë kulturore përbën kushtin e parë dhe mbështetjen themelore të trajtimit tëproblemit të etnogjenezës së ilirëve. Megjithatë, jemi të mendimit se të mjaftohesh vetëm me provat që sillen në të mirë të vijimësisë kulturore, do të thotë ta shikosh ngushtë e në mënyrë të pamjaftueshme procesin e gjatë e të ndërlikuar të formimit të etnosit ilir.
    Në literaturën arkeologjike shqiptare janë sjellë të dhëna të mjaftueshme, që provojnë vijimësinë e pandërprerë kulturore në trevën e vendit tonë që nga periudha e bronzit të hershme e këtej. Mbi këtë bazë është shprehur pikëpamja se që këtu fillon edhe etnogjeneza ilire. Pra, sipas kësaj pikëpamjeje, fillimet e autoktonisë përputhen me fillimin e etnosit. Lidhur ngushtë me këtë përfundim, çështja e parë që shtrohet për diskutim është ajo e lidhjeve midis autoktonisë dhe formimit të etnosit.
    Megjithëse formimi i etnosit ilir nuk mund të kuptohet pa autoktoninë dhe se të dyja ato zhvillohen krahas, në fillimin e tyre, në pikëpamje kohore, ka një mospërputhje. Autoktonia ka një shtrirje kohore më të gjatë, kurse etnosi ilir vërtet formohet mbi bazën e autoktonisë, por vetëm pasi ajo ka kaluar një kohë të gjatë të ekzistencës së saj. Në rast se pranojmë nismën e një qëndrueshmërie relative në fillim të epokës së bronzit, d.m.th. pranojmë një autoktoni të banorëve të pjesës perëndimore të Gadishullit Ballkanik që në fillim të epokës së bronzit, fillimet e formimit të etnosit ilir duhet t’i kërkojmë jo në të njëjtën kohë, por më vonë. Ai proces duhet të paraprihet, sipas mendimit tonë, medoemos nga një periudhë jo e shkurtër e vijimësisë kulturore që kishte filluar qysh më parë.
    Por, në nismën e procesit të etnogjenezës nuk mjafton që ai të paraprihet nga një periudhë e autoktonisë relative. Ka edhe faktorë të tjerë të dorës së parë, prania ose mungesa e të cilëve, përshpejton ose ngadalëson, bën të mundur ose përjashton zhvillimin e procesit të etnogjenezës. Kështu, krahas studimit të vijimësisë kulturore, një vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet njohjes dhe studimit të premisave ekonomiko-shoqërore, të cilat çuan në lindjen dhe zhvillimin e etnosit ilir.
    Kur flasin për kushtet ekonomiko-shoqërore në epokën pre e protohistorike, kemi parasysh vendin që zinin ato, krahas faktorëve të tjerë dhe rolin që ato luanin në formimin e bashkësisë etnike. Niveli i ulët i zhvillimit të forcave prodhuese në rendin e komunës primitive nuk krijonte kushte për shtimin e ndjeshëm të
    prodhimit, për krijimin e mbiprodukteve dhe, si rrjedhim, shkëmbimet e lidhjet ekonomike ishin ende të dobëta; shkëmbimi midis fiseve i nënshtrohej më shumë rastësisë. Por, ka rëndësi të vihet në dukje se, gjatë epokës së shthurjes së komunës primitive, në periudhën e bronzit të vonë e sidomos gjatë periudhës së hekurit të zhvilluar, në territorin e Ilirisë së Jugut ndodhën ndryshime të dukshme në disa degë të ekonomisë, të cilat ishin me rrjedhime të rëndësishme edhe në zhvillimin e proceseve etnike.
    Krahas degëve të tjera të ekonomisë që u përsosën dhe u zhvilluan më tej, një vend të veçantë e të gjërë zuri metalurgjia. Dëshmi për këtë janë gjetjet e shumta të armëve, të objekteve të zbukurimit e të veglave të punës, të punuara nga bronzi e hekuri, të cilat dallohen edhe për cilësinë e lartë të punimit. Ky zhvillim i metalurgjisë nuk mund të kryhej brenda ekonomisë së mbyllur të një fisi. Me nxjerrjen, përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve metalike tashmë merreshin shtresat e reja shoqërore që po lindnin dhe fuqizoheshin ekonomikisht, të cilat shpunë objektivisht në fuqizimin e lidhjeve ekonomike ndërkrahinore, mbi bazën e marrëdhënieve të reja shoqërore që po lindnin. Për zhvillimin e lidhjeve ndërkrahinore dëshmojnë edhe sëpatat e bronzit të tipit shqiptaro-dalmat, të cilat, siç duket qartë nga forma e tyre, kanë shërbyer si mjet shkëmbimi, kanë luajtur rolin e paramonedhave. Shprehje e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të bartësve të kulturës ishte edhe shtimi i dukshëm i këmbimeve, me Jugun (Helladën e Egjeun) për të cilin flasin objektet e shumta të importuara. Kështu, një rol të rëndësishëm në zhvillimin etnokulturor të territorit të Shqipërisë gjatë epokës së bronzit kanë luajtur takimet dhe lidhjet me kulturën mikene. Kultura ilire e epokës së bronzit të mesëm, e sidomos e atij të vonë, u zhvillua në fqinjësi dhe marrëdhënie me botën mikene, e cila përfaqësonte shoqërinë më të zhvilluar, shoqërinë më të hershme me klasa në territorin e Evropës. Këto lidhje e takime, të cilat erdhën duke u fuqizuar deri në fund të shek. XIII p.e.sonë, madje jehona e tyre vazhdoi edhe më pas, kanë ndikuar në zhvillimin e këmbimeve si brenda bashkësisë ilire, ashtu edhe midis bashkësisë ilire e botës mikene. Në këtë mënyrë ato, si faktor i jashtëm, kanë luajtur një rol progresiv në formimin e bashkësisë ekonomike ilire në kuptimin që kishte kjo bashkësi ekonomike gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë. Pavarësisht nga shkalla
    që njohu bashkësia ekonomike në atë kohë, ajo ka luajtur rolin e vet në formimin dhe konsolidimin e bashkësisë etnike. Prandaj studimi i marrëdhënieve të ilirëve me kulturën mikene përbën një hallkë tjetër në ndriçimin e procesit të formimit të etnosit ilir, marrëdhënie të cilat as duhen injoruar, as duhen mbivlerësuar.
    Kur lindën kushtet e përshtatshme ekonomiko-shoqërore për fillimin e formimit të etnosit ilir, në periudhën e bronzit të hershëm, të bronzit të mesëm, të bronzit të vonë apo në fillimet e epokës së hekurit?
    Ne kemi shprehur pikëpamjen se etnosi ilir fillon të formohet mbi një bazë autoktone, në bronzin e mesëm dhe me këtë nuk kemi parasysh ndonjë fazë të veçantë, por gjithë periudhën e bronzit të mesëm, të marrë si një tërësi, gjatë së cilës u shënuan ndryshime të rëndësishme në bazën ekonomike. Konkretisht, qeramika e bronzit të mesëm ndryshon dhe dallohet qartë nga ajo e bronzit të hershëm. Ajo është periudha e bronzit të “vërtetë”, kur metali i ri hyn gjërësisht në përgatitjen e veglave të punës dhe të armëve, është koha kur ngrihen gjërësisht varret monumentale, tumat në territorin e vendit tonë, është koha kur shfaqen për herë të parë objektet e importuara nga Mikena. Në pikëpamje të organizimit shoqëror, kjo është periudha e kristalizimit të gjinisë patriarkale. Edhe në rrafshin gjuhësor disa studiues kanë shprehur mendimin se të dhënat gjuhësore për ilirët shtrihen deri në kohën e kulturës së mesme kreto-mikene (Gavela,B. 1965,149).
    Tërësia e këtyre të dhënave na jep të drejtë të shprehim mendimin se në periudhën e bronzit të mesëm, si pasojë e zhvillimit të brendshëm që kishte filluar kohë më parë, vihet re një zhvillim i dukshëm ekonomik e shoqëror, nis një etapë cilësisht e re, e cila shpuri objektivisht në fillimin e një procesi të ri historik, në lindjen e etnosit ilir. Kjo pikëpamje mbështetet edhe nga një fakt antropologjik, që vjen nga varri nr. 48 i tumës së Patosit, etniciteti ilir dhe koha së cilës i takon (shek.XI-X p.e.sonë) janë përcaktuar mjaft mirë. Kafka e këtij skeleti është ruajtur shumë mirë dhe paraqet një tip të qartë adriatik të formuar, i cili është karakteristik për trevën ilire, duhet kërkuar të paktën disa shekuj më herët, d.m.th përpara periudhës së bronzit të vonë (Dhima,A. 1981,1.159-161).
    Në të mirë të ecurisë së proceseve etnogjenetike të ilirëve ka edhe faktorë të tjerë, të cilët, ndonëse jo kryesorë, kanë luajtur rolin e vet në formimin e bashkësisë etnike ilire. Në radhën e faktorëve që duhen njohur dhe studiuar në mënyrë më të plotë është edhe roli që ka luajtur baza e përbashkët ose e përafërt
    gjuhësore parailire, të cilën e trajtuam hollësisht në kreun I. Elemente të rëndësishme gjuhësore të substratit ballkano-egjean të kësaj epoke, të quajtura nga disa autorë paragreke, parailire ose paratrake, gjenden të pranishme në mbetjet gjuhësore që na janë ruajtur në ilirishten, gjë që i ka çuar shumë studiues të pranojnë lidhje birërie të ilirishtes me pellazgjishten. Këtej mund të nxirret përfundimi se fiset që banonin në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, në të kaluarën e tyre kishin elemente gjuhësore të përbashkëta të rëndësishme, të cilat gjatë epokës së bronzit e asaj të hekurit shërbyen si faktorë, jo pa rëndësi, në formimin e ilirishtes.
    *
    Një çështje tjetër që ka rëndësi parimore në zgjidhjen e problemit të etnogjenezës ilire, ashtu si edhe të gjenezës shqiptare, është trajtimi i saj si një proces shumë i gjatë historik, rreth 1000 vjet dhe si i tillë domosdo ka kaluar në disa etapa zhvillimi, të cilat, ndonëse ndryshojnë nga njera tjetra, janë pjesë e një procesi të vetëm. Kështu fjala vjen, në qoftë se do të themi se në fund të epokës së bronzit ilirët u formuan si një bashkësi e gjërë, me tipare të qarta kulturore e gjuhësore, kurrsesi nuk do t’i barazojmë ata, as në rrafsh kulturor, as në atë gjuhësor, me ilirët e shek. V p.e.sonë. Megjithëse ilirët e këtyre dy periudhave ndryshojnë shumë midis tyre, ata pasqyrojnë etapa të ndryshme të procesit të zhvillimi të tyre. Kjo çështje ka rëndësi të mbahet parasysh, sepse disa herë kur vjen puna të përcaktohen fillimet e formimit të etnosit ilir, ndodh të kërkohet të gjenden të qarta po ato tipare e veçori kulturore dhe etnike që janë karakteristike për një etapë tjetër të zhvillimit etno-kulturor të ilirëve.
    Këto tipare të formimit të individualitetit etnik ilir në një etapë të caktuar kanë qenë të kushtëzuara, para së gjithash, nga shkalla e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe janë zhvilluar në bazë të tri parimeve të përgjithëshme, tanimë të njohura: të diferencimit, të integrimit dhe të asimilimit. Siç dihet, për periudhat më të hershme të lulëzimit të bashkësisë gjinore, kur niveli i zhvillimit ishte i ulët, ka qenë karakteristik procesi i diferncimit, kurse proceset e integrimit, të ngjizjes, të asimilimit dhe të konvergimit kanë qenë veçanërisht karakteristike për periudhën e shpërbërjes së bashkësisë fisnore e të lindjes së shoqërisë skllavopronare. Diferencimi, ngjizja dhe konvergimi janë procese të ndërlikuara evolutive, me shtrirje të gjatë kohore, që gërshetohen e bashkëveprojnë por në çdo etapë të procesit të etnogjenezës ilire njëri fiton gjithmonë përparësi. Kështu, në territorin e Ballkanit Perëndimor, gjatë periudhës së bronzit të hershëm, ka mbizotëruar procesi i diferencimit. Dhe kjo është e kuptueshme. Kulturat e kësaj periudhe, të formuara si pasojë e gërshetimit të kulturave anase neo-eneolitike me kulturën që sollën dyndjet e popujve indoevropianë, në këtë fazë të formimit të tyre kanë një karakter më të përgjithshëm ballkanik e nuk mund të kërkojmë në to veçori dalluese etnike. Gjatë periudhës së bronzit të mesëm vazhdon të thellohet më tej procesi i diferencimit, po njëkohësisht fillon të veprojë edhe procesi i integrimit. Këto procese, të cilat u kushtëzuan nga autoktonia relative dhe nga një sërë përparimesh që u bënë në disa degë të ekonomisë, siç e kemi vënë në dukje edhe më lart, çuan në lindjen e etnosit ilir.
    Në periudhën e bronzit të vonë, si rezultat i përparimeve të shënuara në të gjitha fushat e ekonomisë, u zhvillua me shpejtësi procesi i ngjizjes së bashkësive më të vogla në bashkësi më të mëdha dhe, si rrjedhim, në fund të epokës së bronzit u krijua një bashkësi e gjërë ilire me tipare të përbashkëta kulturore, kultike dhe gjuhësore. Duhet theksuar se jo të gjitha dukuritë që karakterizojnë bashkësinë etnike ilire u zhvilluan krahas dhe arritën të njëjtën shkallë njësimi, sepse siç dihet, njësimi i kulturës materiale të popullsisë së një territori të caktuar bëhet më lehtë e më përpara se sa njësimi i gjuhës, e cila zhvillohet me ritme shumë më të ngadalta. I pari prin të dytin dhe është bazë për njësimin gjuhësor dhe të dy bashkë çojnë në formimin përfundimtar të bashkësisë etnike. Kështu, gjatë periudhës së bronzit të vonë, në trevën ilire ngjizja gjuhësore duhet të ketë qenë më mbrapa, kurse krejt ndryshe ishte gjendja në zhvillimin e zejtarisë dhe sidomos punimi i bronzit, të cilat kishin çuar në marrëdhënie intensive ndërfisnore dhe madje në marrëdhënie të ngushta me botën mikene. Si rrjedhim, edhe shkalla e zhvillimit të njësisë kulturore në trevën ilire, gjatë epokës së bronzit të vonë, është më e lartë sesa shkalla e zhvillimit të njësisë gjuhësore. Prandaj në përcaktimin e karakterit etnik të bashkësisë ilire duhet patur parasysh ky shpërpjestim kohor i njësimit të kulturës me gjuhën, si dhe fakti që mbetjet gjuhësore zenë vendin e fundit në krahasim me të dhënat e tjera të kulturës materiale e shpirtërore. Kështu, gjuha në epokën e pre e protohistorisë nuk ka atë vlerë dhe rëndësi që ajo fiton në epokën historike në përcaktimin e karakterit etnik. Këtej buron edhe një nga arsyet e përparësisë që kanë burimet arkeologjike në cilësimin e etnicitetit të kulturave prehistorike.
    Gjatë epokës së hekurit, d.m.th. në shek.XI-V p.e.sonë, si pasojë e zhvillimit më të lartë ekonomik e shoqëror të trevës ilire, filloi të luajë një rol shumë më të madh dhe të marrë përparësi procesi i asimilimit. Bashkësitë me zhvilllim më të madh kulturor dhe nivel më të lartë ekonomik, si edhe më të fuqishëm ushtarakisht, bashkonin ose asimilonin pjesërisht ose tërësisht, shumë herë me dhunë, bashkësitë e tjera. Kështu gjatë epokës së hekurit, mbi bazën autoktone, ilirët zhvillojnë dhe konsolidojnë më tej kulturën dhe gjuhën e tyre, të cilat tani po kristalizoheshin përfundimisht. Kjo etapë përfaqëson stadin e lulëzimit më të madh e të përgjithshëm kulturor e etnik të ilirëve në epokën e hekurit, kohë kur në shtrirjen territoriale ata zënë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, duke pasur grekët në jug e trakët në lindje dhe bëhen një nga tre popujt më të mëdhej të
    gadishullit.
    Duke parashtruar mendimin tonë e duke provuar autoktoninë dhe lashtësinë e ilirëve në trojet e tyre, nuk e ngatërrojmë atë aspak me nivelin e lartë kulturor që arritën fqinjët jugorë në epokën kreto-mikene e post mikene (që përkon me kohën e bronzit dhe të hekurit në territorin e Shqipërisë). Është tjetër gjë lashtësia e një populli dhe tjetër niveli kulturor që ai arrin në një periudhë të caktuar të historisë së tij.
    Kreu III
    ARBËRIT
    1. Kuadri historik i Ilirisë në fund të mijëvjeçarit të parë p.e.sonë dhe në fillim të mijëvjeçarit të parë të e.sonë.
    Në shek.III-I p.e.sonë Iliria e Jugut nuk ndryshonte shumë nga fqinjët jugorë e lindorë të saj, si nga zhvillimi ekonomik e kulturor, ashtu edhe nga organizimi politik. Mënyra antike e prodhimit kishte përfshirë gati të gjitha krahinat ilire të jugut. Jeta e gjallë urbane dëshmohet nga shkrimet e autorëve grekë e romakë të cilët, duke përshkruar ngjarjet politike të kohës, përmendin shumë qytete ilire, tablloja e vërtetë e të cilëve bëhet shumë më e plotë nga të dhënat dhe dëshmitë që ka nxjerrë në dritë kazma e arkeologut.
    Rritja dhe fuqizimi i shtetit ilir binte ndesh me itneresat romake në Ballkan, ndaj në periudhën nga viti 250 deri në 168 p.e.sonë këto dy fuqi u ndeshën me njera tjetrën. Gjatë të tri luftrave që romakët zhvilluan me shtetin ilir, u njohën nga afër me gjeografinë e Ilirisë së Jugut, me burimet ekonomike e njerëzore të saj. Ata gjetën një vend të zhvilluar, një vend ku mënyra antike e prodhimit dominonte jo vetëm në qytete e qyteza, por edhe në qendra të banuara në thellësi të vendit. Kultura materiale dhe shpirtërore kishte të gjithë treguesit e kulturës helenistike mesdhetare.
    Materiali arkeologjik i zbuluar në rrënojat e qyteteve ilire si Bylisi, Nikaia (Klosi), Margëlliçi, Dimale, Amantia, Selca e Poshtme Albanopoli, Lisi , Skodra, etj., tregon se edhe në situatën e re politike, të kirjuar pas luftës së tretë iliro-romake, më 146 p.e.sonë, kur një pjesë e Ilirisë së Jugut ishte përfshirë në provincën e Maqedonisë, pamja e saj e përgjithëshme nuk kishte pësuar ndryshime cilësore. Natyrisht luftrat dhe pushtimi romak nuk ishin pa pasoja, por Roma ende nuk i kishte eliminuar plotësisht prodhimet vendase dhe monedha republikane nuk kishte zënë tërësisht vendin e drahmeve të Dyrrahut e të Apolonisë. Në mesin e shek.I të e.sonë pushteti republikan romak mundi të bëjë disa ndryshime, të cilat çuan më tej e në mënyrë të plotë nën pushtetin Perandorak Romake.
    Shekujt e parë të e.sonë karakterizohen nga një depërtim dhe qëndrueshmëri e kulturës romake në tërë Ballkanin, gjë që u pasua me një zhvillim ekonomik e kulturor të Ilirisë së Jugut. Gjatë sundimit të perandorit August në qytetet si Dyrrahu, Bylisi, Buthroti e Shkodra u vendosën kolonë romakë. Kolonizimi romak ushtroi një ndikim të madh mbi popullsinë vendase ilire, e në radhë të parë në qytetet, po, edhe në zonat fshatare. Elemente të qytetërimit romak hyjnë edhe në brendësi të viseve ilire. Qeramika romake u përhap gjërësisht, duke u shoqëruar edhe me uniformizimin e prodhimeve të poçerisë. Në disa qendra banimi u bënë ndërtime të reja publike e shoqërore. Në materialin arkeologjik që përfaqëson kulturën e kohës, mund të veçohen qartë elemente tradicionale, që u ruajtën nga periudha e mëparëshme, por elementet e traditës u ruajtën më mirë në fshat, në ndryshim nga qyteti që mori me shpejtësi ngjyrën kozmopolite. Ky proces forcohet edhe më shumë gjatë antikitetit të vonë, kur pjesa më e madhe e qyteteve ilire bie ose kthehet në qëndër të thjeshtë ushtarake e administrative. Në këto rrethana merr përparësi veprimtaria ekonomike e fshatarësisë ilire dhe prodhimi zejtar vendas plotësonte gjithnjë e më shumë kërkesat e banorëve. Kështu, edhe roli i kulturës fshatare, e cila mbështetej më tepër në elementet e traditës, bëhet më i fuqishëm. Gjatë
    antikitetit të vonë, me dobësimin e administratës qëndrore dhe të rolit përthithës të qendrave kozmopolite, iu dha mundësi popullsisë ilire të zhvillonte një kulturë me tipare të vetat e cila do të përbënte një komponent të rëndësishëm në formimin e kulturës së re.
    Me ndarjen e Perandorisë Romake në Perandorinë e Lindjes dhe në Perandorinë e Perëndimit më 395 e.sonë, ilirët e jugut u përfshinë në Perandorinë e Lindjes ose siç u quajt ndryshe në Perandorinë Bizantine. Kjo ndarje administrative nuk solli ndonjë ndryshim në strukturën ekonomike e shoqërore të krahinave ilire jugore, të cilat në tërësi vazhduan të ruanin veçoritë që kishin patur më parë. Por në zhvillimin historik të Ilirisë ndikuan ngjarje të rëndësishme, siç ishin dyndjet e barbarëve. Kështu mund të përmendim invazionin e vizigotëve, të cilët në fund të shek.IV e më vonë me në krye Teodorikun pushtuan Skampinin dhe Dyrrahun.
    Arkeologjia shqiptare ka nxjerrë në dritë fakte e të dhëna që e bëjnë më të plotë gjendjen në territorin e provincës së Prevalitanisë, të Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër, të cilat përfshiheshin në territorin e sotëm të Shqipërisë.
    Duke ndjekur të dhënat për këtë periudhë (shek. IV-VI e.sonë) mund të vihet re mjaft qartë se nuk ka dëshmi të ndërprerjes së jetës, por ka një kontinuitet kulturor. Disa nga provat që e mbështesin këtë vazhdimësi janë vetë qytetet, qytezat e kështjellat ilire, që vazhduan të ekzistonin e të banoheshin pandërprerje (Shkodra, Lisi, Dyrrahu, Bylisi, Kanina, Onhezmi, Buthroti, Berati, Pogradeci, Symiza (Korçë). Edhe varrezat e këtyre shekujve kanë dhënë objekte që do t’i gjejmë më vonë në varrezën e Komanit. Edhe inventari i gjetjeve në varrezën e vogël të Malit të Robit (në afërsi të Durrësit) që përbëhet nga disa vegla pune e fibula të shek. IV të e.sonë, është i ngjashëm me atë që do ta ndeshim më vonë në kulturën e Komanit. Rindërtimet që u bënë më vonë në kështjellat e disa qyteteve tregojnë se ato ishin dëmtuar nga sulmet e gotëve. Situatat e paqëndrueshme e bënë të nevojshme edhe rimëkëmbjen e kështjellave dhe të fortifikimeve të tjera, të cilat deri atëhere ishin lënë pas dore.
    Nuk ka të dhëna për ngritje qytetesh të reja, por ka ndërtime me karakter ushtarak e ndërtime kulti. Kështjella të tipit “castra” janë: Skampi (Elbasan), Vigu (Mirditë), Paleokastra (afër Tepelenës) etj.
    Në kohën e sundimit të Justinianit , shek.VI e.sonë, Iliria e Jugut (d.m.th. territori i sotëm i Shqipërisë) përjetoi një rigjallërim të traditës antike, gjë të cilën na e provojnë burimet e shkruara dhe dëshmitë arkeologjike. Ka edhe një listë të tërë të kështjellave të ndërtuara e rindërtuara nga Justiniani, por që ende një pjesë e mirë e tyre është e palokalizuar.
    Në periudhën e antikitetit të vonë dhe në kohën e Justinianit ka patur një veprimtari të gjërë krijuese dhe në fushën e ndërtimeve monumentale kishtare, e cila shihet në arkitekturën e tyre, në mozaikët dhe në plastikën dekorative arkitektonike. Të tilla janë: bazilika në qytetin e Butrintit e Sarandës, bazilikat e Bylisit, të Ballshit, me skulpturën dekorative arkitektonike shumë të pasur, bazilika e Arapajt (Durrës) e cila është një nga ndërtimet e kultit kristian, që shquhet për mozaikët cilësor. Numri i rrënojave e bazilikave paleokristiane që njohim ka ardhur duke u rritur nga zbulimet e reja dhe ato meritojnë një trajtesë të veçantë.
    Për t’u shënuar janë edhe ngjarjet që ndodhën në jetën kulturore të Bizantit në kohën e sundimit të perandorit Herakli (610-641) të cilat ndikuan që, brenda kuadrit të gjërë të kulturës bizantine, të veçoheshin zona të veçanta kulturore. E tillë ishte treva e kulturës së Komanit, e cila në të njëjtën kohë nuk i shkëputi lidhjet me qytetin e Durrësit që ishte një nga qendrat më të mëdha ekonomike e kulturore të trevës perëndimore të Perandorisë Bizantine.
    Gjatë shek. VII e VIII e.sonë popullsia e trevës shqiptare ishte e organizuar në bashkësi fshatare dhe qytetare. Në bashkësinë fshatare mbizotëronin fshatrat e lirë, po pa u zhdukur elementet e marrëdhënieve të vjetra shoqërore. Qytetet me origjinë nga lashtësia si Shkodra, Lisi, Durrësi, Ohri etj. mbetën qendra të fuqishme zejtare dhe tregëtare, meqënëse ndodheshin në krye të rrugëve të rëndësishme të komunikacionit (Historia e Popullit Shqiptar I, 111-181).
    GJUHA SHQIPE-THEMELI I TEZËS SË AUTOKTONISË SË SHQIPTARËVE
    Gjuha ka qenë e mbetet një nga treguesit më parësor në formimin dhe natyrisht edhe në përcaktimin e karakterit etnik të një populli. Rrjedhimisht edhe në përcaktimin e origjinës së arbërve-shqiptarëve të hershëm, të dhënat gjuhësore përbëjnë themelin e tezës së autoktonisë së shqiptarëve, ndaj nuk është rastësi që studiuesit e parë që u morën me origjinën e arbërve, janë gjuhëtarët. Kështu, gjatë shek. XIX dhe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore, në zgjidhjen e këtij problemi ka mbizotëruar mendimi i gjuhëtarëve.
    Duke qenë se një paraqitje e plotë e pikpamjeve të gjuhëtarëve rreth origjinës së gjuhës shqipe, del jashtë kuadrit të kësaj trajtese si edhe jashtë mundësive tona, do të mjaftohemi të japim disa nga pikëpamjet më kryesore të studiuesve të ndryshëm, të cilat të krahasuara me të dhënat e shkencave të tjera qëndrojnë më fuqishëm në mbështetje të autoktonisë së popullit shqiptar. I takon merita albanologut G.Hahn, i cili qysh në mesin e shek. XIX formuloi tezën e lidhjeve: pellazgë-ilirë-shqiptarë. “Me sa duket, - shkruan ai, - shumë më e natyrshme është të pranohet që stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve, zinin vendbanimin e sotëm të tyre dhe që zakonet e tyre të përbashkëta me popujt fqinjë janë ruajtur në mënyrë më të pastërt dhe më besnike se sa te fqinjët e tyre”(Hahn,J.G. 213). Kështu Hahni arriti në përfundimin se shqipja është vazhduese e drejtpërdrejtë e njerit prej dialekteve më të vjetra të ilirishtes dhe ilirët si një nga popujt më të vjetër të Ballkanit, kanë lidhje me pellazgët. Fakti që autori i kësaj pikpamjeje e kërkon lidhjen e shqipes me pellazgjishten, pra shumë më herët në kohë dhe mbi bazën e pellazgjishtes shumë të diskutueshme, e bëri tezën e autoktonisë së shqiptarëve shumë pak të besueshme.
    Teza e G.Hahnit mbi autoktoninë e shqiptarëve u përkrah dhe u mbrojt mbi një bazë shkencore më të gjërë e më të thelluar nga një varg historianësh e gjuhëtarësh të huaj si G.Mayer, H.Pedersen, N.Jokli, V.Cimohovski, etj. Me krijimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, më 1946, e më pas të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë me shumë sektorë shkencorë, në fushën e studimit të historisë së gjuhës shqipe u shënuan arritje cilësore, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë në veprën e prof. Eqerem Çabejt (Çabej,E. 1060,32-27; Çabej,E. 1969, 41-65; Çabej,E. 1974,II,7-26). Ato janë pasuruar dhe çuar më tej edhe nga gjuhëtarë të tjerë shqiptarë si prof. Mahir Domi (Domi,M. 1969,247), prof. Shaban Demiraj (Demiraj,Sh.1988), prof. Seit Mansaku (Mansaku,S.1982,3), etj. Kështu, në sajë të përpjekjeve dhe studimeve të disa brezave historianësh e gjuhëtarësh për historinë e gjuhës shqipe, është arritur të provohet shkencërisht prejardhia ilire e kësaj gjuhe.
    Krahas tezës iliro-shqiptare u parashtruan pikpamje e teza të tjera, midis të cilave veçohet teza sipas së cilës shqiptarët janë stërnipër të trakëve e për rrjedhojë origjina e shqipes duhet kërkuar tek trakishtja dhe se ilirishtja nuk është gjë tjetër veçse një dialekt trak i ilirizuar (Barić,H. Albanorumanische Studien I, 125). Një qëndrim të
    ndërmjetëm kanë mbajtur disa gjuhëtarë të tjerë, të cilët bëjnë një bashkim të dytezave. Sipas N. Joklit, karakteri iliro-thrakas i gjuhës shqipe shpjegohet me faktin se karakteristikat gjuhësore të ilirishtes përputhen me karakteristikar e njëjta të gjuhës thrake (Jokli, N., 24) Nuk mungojnë edhe variante e nënvariante të pikpamjeve të këtyre tri grupimeve kryesore që përmendëm më lart, të cilat studiuesit i kanë zhvilluar e stërholluar më tej me argumente e kundërargumente.
    Në rrugën e zgjidhjes së prejardhjes së gjuhës shqipe të gjithë studiuesit kanë hasur në dy vështirësi objektive.
    Së pari, në krahasimin që bëhet midis ilirishtes e shqipes, njihet vetëm njëra-shqipia si gjuhë e shkruar; rrjedhimisht për ilirishten mungojnë të dhënat e mjaftueshme si për leksikun, strukturën gramatikore, fonetikën e saj, etj.
    Së dyti, edhe për shqipen dokumenti i parë i shkruar, formula e pagëzimit e vitit 1462, e cila është një fjali e vogël në shqip, në mes të një shkrimi latinisht, është e një kohe shumë të largët me kohën kur është folur për herë të fundit ilirishtja.
    Krahas vështirësive që përmendëm, nuk mund të lëmë pa vënë në spikamë një fakt historik të dorës së parë, që gjuha shqipe flitet sot në truallin ku në kohën antike banonin ilirët e mirëfilltë, ku flitej ilirishtja a një dialekt i saj. Ky fakt përbën një përparësi ku janë mbështetur studiuesit që kanë argumentuar dhe provuar prejardhien ilire të gjuhës shqipe. Ja disa nga konkluzionet e gjuhëtarëve më në zë që janë marrë me këtë problem.
    J.Thunman: “..Nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të mëvonshëm dhe nuk mund të mos njoh faktin se fqinjët e stërmotshëm të ilirëve kanë qenë grekët dhe romakët. Rrjedhimisht dhe ilirët janë të vjetër” (Çabej,E.1974,12).
    G .Mayer: “..Nuk ka asnjë bazë për të mos e konsideruar atë (shqipen) si një fazë të re të ilirishtes së moçme ose më saktë të njerit prej dialekteve të moçme ilire”. Këtë mendim e përforcoi edhe P.Kreçmer, i cili shkruan: “…Pranoj që gjuha shqipe përfaqëson fazën më të re të ilirishtes ose siç shprehet me të drejtë në mënyrë të matur Meyer, një dialekt ilir.” Dhe më tej pohon se shqiptarët banojnë aty ku në kohën antike kanë banuar fise ilire (Mayer, G. 804).
    V.I.Georgiev: “Ilirishtja është pasardhësja e gjuhës shqipe, domethënë ilirishtja është baza , gjuha nënë e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974,56).
    R.Katičić: “Shqipja qysh në kohën e lashtë është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot. Është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse e ilirishtes” (Katičić,R. 1974,98).
    Nga gjuhëtarët shqiptarë është E.Çabej që me veprat e tij “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes” si edhe me disa artikuj, referate e kumtesa ka mbështetur dhe provuar në mënyrë më të plotë tezën se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes. “Analogjitë që vihen re në mes të shqipes dhe mbeturinave të ilirishtes, - përfundon E.Çabej, -dëshmojnë në fakt për një raport filiacioni midis këtyre dy gjuhëve” (Çabej,E. 1969,52).
    Në mbështetje të këtij konkluzioni autori analizon dëshmitë gjuhësore që trashëgojmë nga ilirishtja, të cilat duke u mbështetur në një metodë rigorozisht shkencore, i krahason me të dhënat e gjuhës shqipe.
    Në sferën e toponomastikës historike, në një trevë të gjërë gjeografike, e cila dihet se në kohën antike ka qenë banuar nga ilirët, ruhen shumë emra qytetesh, lumejsh, malesh etj., të cilët në trajtën që kanë sot në gjuhën shqipe, dëshmojnë për një vazhdimësi të banimit nga e njëjta popullsi. Dhe ajo që është thelbësore, ato spjegohen vetëm me anën e gjuhës shqipe. Të tilla janë: Scodra-Shkodër, Naissus-Nish, Drivastum-Drisht, Pirustae-Qafa e Prushit, Lissus-Lezh, Dyrrachion-Durrës, Isammus-Ishëm, Scampinus-Shkumbin, Aulon-Vlonë, Vlorë, Thyamis-Çam. Në radhën e këtyre toponimeve, të cilat E.Çabej i quan nga provat më shteruese, për të provuar autoktoninë e popullit shqiptar, duhet përmendur edhe emri i fisit ilir albanoi që banonte në shpinë të Durrësit, emri nacional i vjetër i popullit dhe i vendit tonë, që u ruajt në formën arbëri, arbër, në truallin e Shqipërisë dhe në ngulimet shqiptare të Italisë e Greqisë.
    Në vazhdim të këtyre të dhënave toponomastike mund të përmenden edhe shumë emra të zonës ilire, të cilët gjejnë përgjegjësit e tyre edhe në leksikun e shqipes a në toponominë e saj. Krahaso: Bigesti-bigë:“mal me dy maja, majë mali”; Brindia-Brundisium-brim brini; Dardania-dardhë; Delmatia-delme; Lamatis-lamë, lëmë; Molontum-mal; Mathis-mat: “buzë lumi, breg deti”; Pelagonia-pellg më i vjetër; Ragusium-Rush, rrush; Sason emri i ishullit të Sazanit; Tergaste-treg; Ulkinion-ulk; etj.
    Një provë tjetër, për vazhdimësinë iliro-shqiptare, përbëjnë emrat vetjak që vijnë nga treva ilire dhe që në një formë të drejtpërdrejtë a të ngjashme, janë ruajtur në antroponiminë shqipe ose spjegohen me
    mjetet e saj. Emra të tillë njerëzish do të ishin: Anna, Bardus, Bardyllis, Bato, Dases, Das (s)ins, Dida, Gentius, Grabus, Epicadus, Lydra (Ludra), Licca, Monunins, Pleuratus, Teutana, etj.
    Kur parashtojmë pikëpamjet dhe ndihmesën e gjuhëtarëve shqiptarë për origjinën e gjuhës shqipe, nuk mund të mos veçojmë prof. Sh.Demiraj, i cili, me veprën “Gjuha shqipe dhe historia e saj” (Tiranë 1988), ka meritën se pas, një shqyrtimi tërësor që i bën problemit, arrin të nxjerrë përfundime të plota e të qarta për gjuhën shqipe dhe historinë e saj (Demiraj,Sh. 1988,19-34).
    Pas kësaj parashtrese sintetike, të pikpamjeve dhe të argumentave të gjuhëtarëve që mbështesin tezën e birësisë së shqipes nga ilirishtja, është mëse e nevojshme të ndalemi edhe tek dy anë të rëndësishme të problemit, që janë në lidhje të ngushtë e të ndërthurura me çështjen e formimit të gjuhës shqipe. Ështa fjala për vendin dhe kohën e formimit të saj; këto çështje në mënyrë të drejtpërdrejtë ose anësore, kanë qenë objekt kërkimesh pothuajse nga të gjithë gjuhëtarët. Rrjedhimisht edhe përfundimet e tyre kanë qenë të ndryshme. Përkrahësit e tezës së origjinës trake të ilirishtes apo të tezës trako-ilire N.Jokli (Jokli,N. 1924,32), G.Weigand (Weigand,G. 1927,227-251), mbrojnë pikpamjen se djepi ballkanik i shqiptarëve duhet kërkuar më në lindje, në trevën ku flitej trakishtja. V.I.Georgiev, ndonëse mbështet tezën se ilirishtja është gjuha nënë e shqipes, kur është fjala për përcaktimin e trevës së ngushtë të formimit të saj, shprehet se: “Gjuha shqipe është me origjinë dakomize (dardaniane) ndërsa ilirishtja s’është veç një komponente e shqipes” (Georgiev,V.I. 1974, 56), pra, sipas tij, trualli i formimit të shqipes ka qenë ai i Dardanisë antike. Rreth truallit të formimit të gjuhës shqipe ka edhe pikëpamje më ekstreme. Sipas G. Schramm shqiptarët nuk janë aspak pasardhës të ilirëve, por një popull që është dyndur nga brendësia e gadishullit Ballkanik (Schramm, G. 1994, 9-47).
    Mbi fakte më të shumta e më të plota mbështetet teza se shqipja është formuar në trevat e Adriatikut Lindor e të Jonit, në tokat të cilat në kohën antike kanë qenë banuar nga Ilirët e Jugut. Në mbështetje të kësaj teze, një ndihmesë të veçantë ka dhënë gjuhësia shqiptare e 40 viteve të fundit me studimet e E.Çabej, J. Gjinari (Gjinari, J. 1969,175-184), Sh.Demiraj, etj. Po ndalemi më konkretisht mbi disa nga provat gjuhësore që sjellin këta autorë.
    Toponimia e moçme e trevave shqiptare, e cila ka qenë në përdorim të pandërprerë qysh nga koha antike e deri në ditët tona, përbën një nga provat më bindëse për vazhdimësinë e banimit nga e njëjta popullsi. Ajo bart me vehte shtresëzime të periudhave të ndryshme historike dhe rrjedhimisht edhe gjurmët e ndikimeve të kulturave të tjera, po rëndësi të dorës së parë ka fakti se vijimësia e përdorimit të të njëjtëve emra është në përputhje me evolucionin e sistemit fonetik të gjuhës shqipe, si rrjedhojë, ato përbëjnë argumente të pakundërshtueshme. Toponime të tilla, të analizuara imtësisht nga gjuhëtarët, ka mjaft. Ato ndodhen në pjesën bregdetare të territorit shqiptar si: Shkodra, Buna, Ishmi, Drishti, Shkumbini , Vlora, etj.
    Rreth terminologjisë detare të shqipes është diskutuar mjaft. Sipas mendimit të përgjithshëm shumë fjalë, që i përkasin lundrimit e peshkimit, janë marrë nga gjuhët fqinje e kjo merret si një provë për të kundërshtuar tezën e banimit të hershëm të shqiptarëve në brigjet e Adriatikut. Është e vërtetë se një pjesë e këtij leksiku është e burimit të huaj, por është po kaq e vërtetë se një pjesë e terminologjisë që lidhet me florën dhe faunën e detit dhe ajo që i përket lundrimit e peshkimit, është e fondit autokton të gjuhës shqipe. Në këtë fond hyjnë fjalët: det (me kuptimin bazë “thellësi”), bashkë me bregdet e detar; mat-buzë deti a lumi; grykë, valë, etj.
    Në të mirë të çështjes së lashtësisë së shqipes në brigjet e Adriatikut vijnë edhe huazimet nga greqishtja e vjetër dhe latinishtja. Në shqip ka një tok fjalësh me prejardhie nga greqishtja e vjetër, më saktësisht nga dialekti dorik i saj. Fjalë me prejardhie të tilla gjuhëtarët pranojnë: moken-mokër, bretek (bretkosë), drapën-drapër; laken-lakër; pjepën-pjepër; presh, qershi, shpellë, etj. Prania e këtyre fjalëve me burim nga dorishtja dëshmon për kontakte e marrëdhënie shumë të hershme të grekëve të kohës antike me ilirët-paraardhësit e shqiptarëve. Dhe këto kontakte u zhvilluan në territorin perëndimor të Gadishullit Ballkanik, aty ku u themeluan edhe kolonitë e hershme helene.
    Ndikimet e greqishtes mbi ilirishten e antikitetit të vonë e më pas mbi arbërishten e periudhës së mesjetës së hershme janë të dukëshme, sidomos pas vendosjes së greqishtes si gjuhë zyrtare e Perandorisë
    Bizantine. Në huazimin e fjalëve greke ka ndikuar edhe fakti se një pjesë e madhe e popullsisë së krishtere të territorit të vendit tonë ishte ortodokse e për rrjedhojë gjuha liturgjike ishte greqisht (Demiraj,Sh. 1988,106-117).
    Gjërësia e burimeve të shkruara në latinisht u kanë dhënë mundësi studiuesve të venë në dukje kontaktet e hershme e të vazhdueshme të ilirëve me romakët edhe në rrafshin gjuhësor. Pushtimi i Ilirisë nga romakët, në mesin e shek.II p.e.sonë, i cili zgjati deri në vitin 395 të e.sonë, kur Perandoria romake u nda në atë të Lindjes dhe të Perëndimit, u bë një faktor vendimtar për të gjithë zhvillimin e jetës social - politike e ekonomiko-kulturore të Ilirisë. Masat me karakter administrativ e ushtarak që mori Perandoria Romake, si vendosja e ushtarëve “veteranë” në tokat e pushtuara, ngritja e kështjellave ushtarake në shumë zona të rëndësishme, ndërtimi i rrugëve të mëdha që lidhnin e përshkonin tërë perëndorinë, si Via Egnatia, si edhe vendosja e kolonëve romakë në disa qytete dhe kthimi i tyre në koloni u pasua me ndryshime thelbësore në territorin e Ballkanit. Si rrjedhojë, u romanizuan zonat bregdetare të Dalmacisë, Dakia (Rumania e sotme), etj.
    Përdorimi i latinishtes, si gjuhë zyrtare në tërë perandorinë, ndikoi fuqimisht në gjuhën e popujve që u përfshinë brenda saj. Latinishtja ishte privilegj i një numri të kufizuar njerëzish dhe mbi të gjitha ishte gjuhë e pakuptueshme për masën e gjërë të popullsisë, por trysnisë së gjuhës zyrtare latine, që u përdor disa shekuj me radhë, nuk mund t’i shpëtonte gjuha e popullsisë vendase ilire. Si rrjedhojë, në gjuhën e folur u futën një numër i madh fjalësh me burim latin, të cilat nuk prekën leksikun themelor të gjuhës shqipe e aq më pak strukturën gramatikore të saj.
    Pa mohuar rolin qytetërues që luajti latinishtja si gjuhë e shkruar, ajo mbeti shumë e kufizuar në përdorim. Studiues të ndryshëm janë përpjekur të vënë edhe një kufi ndarës midis zonave ku ushtroi trysninë e vet greqishtja dhe zonave ku si gjuhë zyrtare përdorej latinishtja. Shumë qartë është shprehur për këtë problem E.Çabej, i cili shkruan: “Kufiri gjuhësor greko-latin as nuk mund të hiqet në mbështetje të mbishkrimeve, sepse këto mbishkrime japin një ide për gjuhën e atyre që shkruanin gjuhën e banorëve të shkolluar të qyteteve. Ato nuk na thonë gjë për gjuhën që fliste masa që nuk shkruante, sidomos popullsia fshatare e malsore. Prandaj ky kufi gjuhësor mund të ketë vlerë shumë-shumë për popullsinë qytetare. Që fshatarësia, pohon më tej E.Çabej, - për shumë kohë nuk foli as latinisht as greqisht, këtë na e dëshmon bash ruajtja e gjuhës shqipe, që nga ajo kohë e gjer më sot, ruajtje që ndryshe nuk shpjegohet” (Çabej,E. 1960,49).
    Shqyrtimi që u bën S.Anamali mbishkrimeve latine, shpeshtësisë dhe shpërndarjes së tyre, në territorin e Ilirisë së Jugut është një ndihmesë e një rëndësie të veçantë jo vetëm në mbështetje të mendimit të E.Çabejt, por edhe për të hedhur dritë me të dhëna përmes burimeve të mirëfillta arkeologjike që të çojnë në të njëjtat përfundime historike (Anamali,S. “Studime Historike” 1972,3, 121-124).
    Numri i mbishkrimeve latine të gjetura në territorin e sotëm të Shqipërisë është rreth 200, numër ky shumë i vogël në krahasim me mbishkrimet e gjetura në provincat e tjera romake. Problemi bëhet edhe më i qartë po të shqyrtohet shpërndarja e këtyre mbishkrimeve. Në Shqipërinë e Veriut, mbishkrime latine janë gjetur në një numër të kufizuar në dy qytetet kryesore, në Shkodër e Lezhë. Zona kryesore, ku janë zbuluar më shumë se gjysma e mbishkrimeve latine, është ajo e kolonisë së Dyrrahut me periferinë e tij. Një zonë tjetër ku janë zbuluar mbishkrime latine është ajo e Bylisit si edhe kolonia e Buthrotit. Gjetja e disa gurëve miliar gjatë rrugëve të rëndësishme, si edhe e disa mbishkrimeve votive në pika të veçuara, nuk mund të shërbejnë si dëshmi e pranisë së një popullsie që fliste latinisht.
    Me përjashtim të Dyrrahut, ku ka një numër të konsiderueshëm mbishkrimesh, në mikrozonat ku janë gjetur ato pak mbishkrime nuk mund të pranohet se popullsia e këtyre zonave ishte latinizuar dhe fliste latinisht. Ky përfundim gjen mbështetje edhe në faktin se në mbishkrimet e zbuluara në këto zona, gjejmë një numër të konsiderueshëm emrash ilirë si Gent, Epikad, Plator, Klevata, Tata, Amai, Anula, Dastid, Pladomen, Sura, Pyran, etj., emra që vijnë nga koha ilire, e për rrjedhojë, janë prova të mbijetesës së popullsisë ilire.
    Duke analizuar përhapien e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali ndalet edhe në faktin se në disa krahina të Ilirisë së Jugut nuk është gjetur asnjë mbishkrim latin. Kështu fjala vjen, si mund të flitet për
    popullsi latinofone në trevën e Shqipërisë Juglindore të banuar nga dasaretët, të cilët në kohën e Plinit ishin ilir, kur në këto treva janë gjetur vetëm dy pllaka votive (një në fshatin Memlisht e një në bregun perëndimor të liqenit të Ohrit), të cilat ndonëse mbajnë emra latinë, janë shkruar në gjuhën greke. Po kështu edhe në Apoloni, Amantia e Foinike, janë gjetur mbishkrime të kohës romake po të shkruara në gjuhën greke. Gjithashtu nuk janë gjetur mbishkrime në krahinat e brendëshme të Shqipërisë Verilindore dhe as në Mat, Mirditë e Dibër.
    Në përfundim të analizës së vet për përhapjen e mbishkrimeve latine në Shqipëri, S.Anamali shkruan se teza e “zhdukjes së gjuhës ilire” nuk është bindëse dhe se nuk mund të konsiderohet si kufi gjuhësor, as edhe etnik, përhapja e mbishkrimeve latine e greke, vlen vetëm si një ndarje midis ndikimit të dy kulturave, asaj greke e romake.
    Pas kësaj parashtrese të përmbledhur, po të nevojshme të arritjeve të gjuhësisë për origjinën e gjuhës shqipe, do të ndalemi më hollësisht tek ndihmesa e arkeologjisë shqiptare në ndriçimin dhe argumentimin e autoktonisë së popullit shqiptar.
    KULTURA E KOMANIT-DËSHMI E VIJIMËSISË
    ILIRO-ARBËRORE
    Tiparet e kulturës së Komanit (Arbërore)
    Mangësitë e burimeve të shkruara nga Mesjeta e herëshme shqiptare ndikuan që t’u jepej përparësi kërkimeve arkeologjike shqiptare si një nga mundësitë parësore për të ndriçuar këtë periudhë të hershme. Gjatë 40 vjetëve të fundit të shek. XX në sajë të gërmimeve dhe kërkimeve sistematike në varrezat në qytetet e në qytezat e hershme mesjetare, u grumbullua një lëndë e pasur dhe e larmishme arkeologjike, mbi bazën e së cilës u ndriçuan çështjet më kryesore të mesjetës së hershme. Kultura e Komanit u bë pika e referimit për shumë probleme; ajo u vu në themel të argumentimit të tezës së autoktonisë së shqiptarëve. Ndaj është e nevojshme të njihemi hollësisht me kulturën e Komanit, me historikun e zbulimit të saj, me tiparet e kësaj kulture, me datimin e saj, me marrëdhëniet me kulturat e tjera, me përkatësinë etnike dhe me thelbin historik të kulturës arbërore të Komanit.
    Zbulimet e para, të bëra në varrezën e Kalasë së Dalmacës, e cila ndodhet në afërsi të fshatit Koman të rrethit të Pukës, i takojnë fundit të shek.XIX, kur konsulli francez në Shkodër A.Degrand hapi disa varre, të cilat dhanë një inventar të pasur, mbi të gjitha, të pa njohur më parë. Nga fshati ku u zbulua kjo kulturë mori dhe emrin: kultura e Komanit. Më pas studiues të tjerë të huaj, bënë gërmime në varret e Komanit, i përshkruan në botime apo i ribotuan objektet arkeologjike të zbuluara vetë, apo nga banorët e fshatit Koman, duke
    dhënë mendime për karakterin e kësaj kulture, për bartësit dhe moshën e kulturës së Komanit. Interesi për këtë kulturë u shtua edhe gjatë gjysmës së parë të shek. XX, gjë që duket nga numri i shumtë i studiuesve, që u morën me interpretimin e lëndës arkeologjike të grumbulluar nga zbulimet e bëra në varrezën e Komanit (S.Reinah, T.Ipen, P.Treger, Fr.Nopça, L.Ugolini, L.Rei, H.Bule, D.Mustili, M.Garasanin, J.Kovaçeviç, J.Koroshec etj.).
    Edhe pse gjatë gjysmës së parë të shek. XX u bënë kërkime e studime të shumta rreth kulturës së Komanit, problemet themelore të saj mbeten të pazgjidhura. Gërmimet jo të rregullta, të bëra më tepër për të marrë inventarin e varreve dhe sidomos njohja e pamjaftueshme e kulturës së Mesjetës së Hershme shqiptare, bënë të shfaqeshin mendime dhe pikëpamje shumë të ndryshme për tri probleme bazë:
    a) për përbërësit e kulturës materiale të Komanit
    b) për moshën e varrezës
    c) për përkatësinë etnike të bartësve të kulturës së Komanit.
    Ndriçimi i këtyre problemeve themelore, të kulturës së Komanit, u bë i mundur në sajë të kërkimeve dhe studimeve sistematike shumëvjeçare të arkeologëve shqiptarë prof. S.Anamali, dr. H.Spahiu, prof. N.Bodinaku, etj. Gërmimet e para sistematike u bënë në varrezën e kalasë mesjetare të Krujës, në vitet 1959-60, kurse më 1961 u bënë gërmime në varrezën, tashmë të njohur, pranë kalasë së Dalmacës. Lënda e pasur arkeologjike e gjetur nga hapja e 40 varreve, plotësoi një mungesë të ndjeshme, që ishte ndjerë në zbulimet e hershme në këto varreza. Në vitet që pasuan u bënë gërmime edhe në varreza të tjera si në atë të Buklit (rrethi i Mirditës) në vitin 1963, në të Shurdhahut (rrethi i Shkodrës) në vitet 1965 e 1967, në të Lezhës, në vitin 1968, në të Prosekut në vitin 1989 (rrethi i Mirditës) ndërsa në vitet 1985 dhe 1986 u ndërmor një gërmim kontrolli në varrezën e Komanit. Shkalla e njohjes për kulturën e hershme mesjetare shqiptare u zgjerua edhe me zbulimet, që u bënë në disa varreza tumulare të Shqipërisë Jugore e Juglindore, si në Dukat (rrethi i Vlorës), në Prodan e Rehovë (rrethi i Kolonjës), në Rapckë e Piskovë (rrethi i Përmetit) dhe në Patos (rrethi i Fierit).
    Kultura e antikitetit të vonë dhe të mesjetës së hershme, u ndriçua në drejtime të reja nga këndvështrime më të gjëra, me kërkimet që u ndërmorën në disa qytete, qyteza e kala si edhe në shumë monumente të kultit të këtyre periudhave, si në kalanë e Pogradecit, të Shurdhahut, të Beratit, të Kaninës, në Gradishtën e Symizës (rrethi i Korçës), në qytetin e Onhezmit (Sarandë), në kalanë e Shkodrës , në qytetin e Durrësit e të Vlorës, etj. I madh e me shtrirje të gjërë, është edhe numri i bazilikave, si monumente paleokristiane, të gërmuara e pjesërisht edhe të studjuara, si bazilika e Linit, e Bradasheshit (Elbasan), e Arapajt (Durrës), e Ballshit, disa bazilika në qytetin e Bylisit, bazilika e Mesaplikut (Vlorë), ajo në qytetin antik të Antigonesë (Gjirokastër), e disa dhjetra bazilika të tjera që janë gjetur por që ende nuk janë gërmuar.
    Problemet e kulturës së Komanit nuk kanë mbetur jashtë vëmendjes së historianëve dhe të linguistëve shqiptarë. Qysh në vitet 30të Sh.Demiri (Demiri, Sh. 1935,1936) ka dhënë një informacion për këtë kulturë, duke e datuar atë në vitet 600-800 të e.sonë. Rrethçështjes së moshës së varrezës së Komanit, në vitin 1949, u shpreh edhe Hasan Ceka, i cili duke lexuar mbishkrimin e unazës së Komanit, shprehu mendimin se nuk kishim të bënim me një mbishkrim ilir, por me një formulë lutjeje të krishtere dhe se koha së cilës i përkiste unaza me mbishkrim, së bashku me gjetjet e tjera duhet të shtrihej deri në shek. XI (Ceka,H. 1949, 89-93). Për leximin e mbishkrimit në unazat e Komanit përpjekje ka bërë edhe E.Çabej (Çabej,E. 1957,2). Një analizë të hollësishme i ka bërë mbishkrimit KEB/OHON/ANA të unazës së Komanit dhe L.Ognenova, e cila mbështet mendimin se kemi të bëjmë me një formulë kristiane greke, e cila i takon, sipas saj, shek.VI-VII (Ognenova,L. 794-799). Vlen të shënojmë se unaza të ngjashme me mbishkrimin ANA OHOH KER, janë gjetur edhe në varrezat mesjetare të Shqipërisë Jugore, madje në këto unaza fusha rreth mbishkrimit është e zbukuruar me incizime (Bodinaku,N. 1983,1,245). Tekstet e këtyre mbishkrimeve janë të njëjtë: kemi të bëjmë me një formulë kristiane në gjuhën greke mesjetare, “kyrie voithi” që përkthehet: “ndihmo o zot”. Në pikpamje kohore ato unaza nuk i takojnë vetëm shek. VI, por kanë patur një përdorim e shtrirje më të gjërë kohore.
    Në sajë të kërkimeve arkeologjike 40 vjeçare është arritur që kultura e Komanit të njihet sot nga 28 varreza të mëdha e të vogla dhe nga shumë gjetje të rastit, të cilat gjeografikisht kanë një shtrirje territoriale mjaft të gjërë, që nis nga veriu me liqenin e Shkodrës, vazhdon me luginën e mesme të dy Drinave dhe në jug arrin deri në Durrës, kurse në juglindje shtrihet përreth liqenit të Ohrit. Zbulimet e bëra në varrezat e mesjetës së hershme të Kolonjës, të Përmetit, të Dukatit, të Patosit, të marra së bashku, krijojnë një tërësi, një pamje mjaft të plotë të zhvillimit kulturor të trevës së vendit tonë gjatë mesjetës së hershme.
    Të njihemi më nga afër me treguesit kryesorë të kulturës së hershme mesjetare shqiptare, të kulturës arbërore.
    Varrezat e mesjetës së hershme gjenden në afërsi ose pranë mureve të kalasë, po gjithmonë jashtë saj. Arkitektura e varreve është e thjeshtë. Varret kanë formën e një arke drejtkëndëshe, të bërë me rrasa guri, të vendosura pingul, por ka edhe varre anët e të cilëve janë bërë në formë muri me gur mesatar, me lidhje të thatë ose edhe me llaç. Mbulesa e varrit ka qenë bërë nga pllaka të vendosura në formë çatie dy ujëshe ose të vendosura horizontalisht. Riti i varrimit në të gjitha rastet është i njëjtë. Trupi vendosej direkt në tokë, i shtrirë në shpinë, ndërsa pozicioni i vendosjes së duarve ka qenë i ndryshëm, herë të shtrira e herë të vendosura mbi trup. Edhe orientimi i varreve në përgjithësi është i njëjtë; në më të shumtat e rasteve ishte lindje-perëndim, me shmangje të zakonshme, sipas stinëve të vitit (pozicionit të diellit në kohën e varrimit), me orientim veri-lindje, jug-perëndim, veriperëndim-juglindje; po ka edhe raste që varret kanë qenë vendosur me orientim veri-jug. Këto rite zbatoheshin si në rastin e varreve individuale ashtu edhe në varrimet familjare.
    Edhe inventari i varreve të kulturës arbërore është në përgjithësi i njëjtë. Ai përbëhet nga stoli, armë, vegla pune, enë balte dhe shumë më rrallë enë qelqi. Nga inventari veçohen stolitë, të cilat përbëjnë një tërësi të madhe e të larmishme objektesh; ato lidhen me stolisjen e
    trupit e të veshjes dhe kanë patur funksion praktik e dekorativ. Stolitë janë punuar nga metale të ndryshme si prej bronzi, argjendi, ari e hekuri. Në morinë e madhe të objekteve të zbukurimit një nga më karakteristikat e kulturës arbërore është fibula me këmbë të përthyer, e punuar në bronz dhe hekur. Në radhën e objekteve me përdorim të madh janë broshat e punuara në bronz po edhe në argjend. Në radhën e stolive të kulturës arbërore vathët janë nga më të bukurit. Ato janë të punuar në bronz, argjend e më rrallë në ar, por shquhen për shumëllojshmërinë dhe cilësinë e lartë të realizimit të tyre, ndaj ato janë stolitë më të bukura dhe më interesante të kulturës arbërore. Midis tyre mund të veçonim vathët që kanë formën e një drapëri hëne, vathët me varëse në formë trapezi, në formë vile rrushi, etj. Stoli me përdorim të gjërë janë edhe byzylykët si edhe varëset e mëdha dhe togëzat e rrypit. Me përdorim të kufizuar janë rruazat dhe enët prej balte.
    Njohja e plotë e lëndës arkeologjike të zbuluar në varrezat arbërore i ka çuar studiuesit shqiptarë në përfundimin se kultura materiale e shpirtërore e zbuluar në këto varreza formon një tërësi dhe për rrjedhojë lidhet me një poullsi të vetme vendase.
    Para se të kalojmë tek problemi themelor i trajtesës sonë, ai i bartësve të kulturës së Komanit, është e nevojshme të ndalemi rreth datimit të saj, tek përcaktimi i kohës së lindjes dhe zhvillimit të kulturës arbërore.
    Mungesa e materialit numizmatik dhe e mbishkrimeve i vuri të gjithë studiuesit e kulturës së Komanit para vështirësive të datimit dhe i detyroi të mbështeteshin në tipologjinë e disa objekteve dhe në analogjinë e objekteve të zbuluara më parë dhe të datuara më mirë. Por datimet e mbështetura mbi tipologjinë e materialeve të zbuluara, rezultuan të ndryshme. A.Degrand i ndodhur para një varreze misterioze, siç e quajti ai, arriti në përfundimin se në Koman kemi të bëjmë me një “emigracion të pellazgëve” (Degrand,A. 1901, 254-266). Reinak i quan “campus sacra” të vendosur në një zonë malore, duke datuar varrezën në vitet 300-500 të e.sonë (Reinach,S. 1901,662-670). Studiuesit që u mbështetën në praninë e objekteve të kulturës romake provinciale, një pjesë të inventarit të kulturës së Komanit, e përcaktuan si të antikitetit të vonë, kurse pjesën tjetër, e vendosën në një kohe të mëvonshme (L.Ugolini). Shtimi i gjetjeve të kulturës së Komanit dhe një shqyrtim më i imët i tyre, i çoi disa studiues në datimin e saj në shek. VII-VIII (Bulle.H. 1934,213-240; Vinski, Z. 1952,29-52 etj.). Një përpjekjet për përcaktimin e shtrirjes kohore të kulturës së Komanit ka bërë H.Ceka, sipas të cilit varret e hershme mesjetare të Komanit i takojnë shek. VII-IX të e.sonë (Ceka,H.1949,89-93).
    Pas një analize të hollësishme që u bën objekteve përfaqësuese të kulturës së Komanit, prof. Skënder Anamali arrin në përfundimin se koha e lulëzimit të kulturës arbërore të Komanit ka qenë kryesisht gjatë shek. VII-VIII. Duke patur parasysh disa objekte të veçanta, ai mendon se fillimet e kësaj kulture duhet t’i takojnë fundit të mijëvjeçarit të parë p.e.sonë. Gjithashtu S.Anamali nuk përjashton edhe veçantitë lokale krahinore, të cilat duhen patur parasysh, si edhe ndryshimet kronologjike që vihen re midis varrezave kryesore (Koman, Krujë e Lezhë). Kështu varreza e Lezhës ka disa objekte bizantine që ndihmojnë për të bërë një datim më të ngushtë, fundi i shek.VI. Por edhe në këtë varrezë ka objekte që janë tipike edhe për varrezën e Komanit e që datohen mjaft mirë në shek. VII e VIII. Këto arsye kanë bërë që S.Anamali të
    pranojë për kulturën e Komanit një kohë relativisht më të gjatë, fundi i shek. VI dhe zhvillimin e lulëzimin e saj në shek. VII e VIII (Anamali,S. 1965, 105-117; 1965, 468-475; 1967, 29-40; 1969, 11-40; 1969, 185-201; 1969, 155-169; 1973, 121-140; 1976, 23-40).
    Përsa i takon shtrirjes fundore të kulturës së Komanit, kanë marrë vlera të veçanta të dhënat e përfituara nga gërmimet e fundit në varrezën e Prosekut (Mirditë), të cilat kanë dhënë si kufi, për grupin e parë të gjetjeve të kësaj varreze, fundin e shek. IX, ndonëse në këtë varrezë është zbuluar edhe një grup tjetër varresh që i takon periudhës së shek. IX-XI (Doda,N. 1989,1, 161-162). Një gjendje e njëjtë paraqitet edhe në varrezën mesjetare të Piskovës ku veçohen dy etapa: varre të shek.VII-VIII dhe varre të një etape të mëvonshme, shek. IX-XI (Bodinaku,N. 1983,1,242). Të dhënat nga varreza e Piskovës dhe e Prosekut për datimin e një grup varresh deri në shek. XI vijnë në mbështetje të mendimit të H.Cekës, të shprehur qysh në fillim të viteve 50të të shek. XX (Ceka,H. 1949,89-93).
    Nga sa parashtruam për datimin e kulturës së Komanit, ka rëndësi përfundimi që është arritur se kultura e hershme arbërore shtrihet deri në shek. XI të e.sonë.
    Bartësit e kulturës së Komanit
    Gjatë 100 vjetëve që kanë kaluar nga zbulimi i kulturës së Komanit, studiuesit e shumtë që janë marrë me interpretimin etnik dhe historik të saj, kanë shprehur mendime nga më të ndryshmet. Një ndër çështjet themelore që ka ndarë studiuesit dhe për të cilën kanë shfaqur mendime shumë larg njeri tjetrit, është ajo e bartësve të kulturës së Komanit. Sipas studiuesve të ndryshëm bartës të kulturës së Komanit janë konsideruar pellazgët, suevët, ilirët e romanizuar, avarët e sllavët.
    Zbulimet dhe studimet e arkeologëve për kulturën mesjetare shqiptare krijuan një situatë tërësisht të re e të plotë për të kuptuar shtrirjen gjeografike të kulturës arbërore, përcaktimin e tipareve kulturore, për datimin e saj, për kuadrin historik të lindjes dhe të zhvillimit të saj, si rrjedhim edhe për përcaktimin e drejtë të origjinës së kësaj kulture. Bartësit e kulturës së Komanit kanë qenë një etnos, një popullsi autoktone vendase prejardhëse e popullsisë ilire, e cila në burimet e shkruara të mëvonëshme del me emrat albanë, arbanitë, arbër. Ky emër është i njëjtë me emrin albanët që përmend Ptolemeu (Ptolemeu III, 12,20) të cilët shtriheshin në shpinë të Durrësit. Kjo popullsi vendase, vazhduese e asaj ilire, në mesjetën e hershme, filloi të bëhej gjithnjë e më e rëndësishme, duke i dhënë pastaj emrin krahinës dhe gradualisht gjithë vendit.
    Cilat janë argumentet që mbështetin këtë pikpamje, cili është interpretimi historik që i bëhet burimeve arkeologjike për arritjen e këtyre përfundimeve?
    Procesin e lindjes dhe të formimit të kulturës arbërore dhe të bartësve të saj duhet ta shohim si një zhvillim historik, në të cilin morën pjesë disa komponente bazë; në kushtet e kalimit nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme, këto komponente, duke u ngjizur me njeri tjetrin, bënë të mundur lindjen e një kulture me fizionomi e tipare të reja, ndaj merituan edhe një emër të ri – kultura arbërore.
    Përbërësit që morën pjesë në formimin e kulturës arbërore janë:
    - përbërësi autokton ilir, ose trashëgimia ilire
    - përbërësi i kulturës provinciale romake dhe i antikitetit të vonë
    - përbërësi i kulturës së hershme bizantine
    Trashëgimia ilire
    Në përcaktimin e objekteve me origjinë ilire është e nevojshme të shikohet evolucioni tipologjik që ato kanë pësuar nga koha në kohë. Midis tyre, një ndër objektet më karakteristike, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë studiuesve është fibula me këmbë të përthyer. Kjo lloj fibule ngjason mjaft me fibulat e shekujve të parë të e.sonë të zbuluara në Finiq e në Apoloni. Për vazhdimësinë e traditës në përgatitjen e objekteve të zbukurimit flasin edhe byzylykët prej teli me prerje të rrumbullaktë që mbyllen me dy sytha spiralikë. Në vazhdën e traditës artizanale vendëse të objekteve të zbukurimit flasin edhe rrathët e vegjël të tëmthave me një bisht prej teli të përdredhur; origjina e këtyre të fundit duhet kërkuar tek rrathët e gjetur në varrezat e shekujve të parë të e.sonë. Gjithashtu, vlen të përmenden grupi me shumë variante i varësve, që kanë për bazë një rreth, i cili mund të jetë me ose pa rreze, lidhur me kultin e diellit.
    Ndikime të traditës së largët ilire për mënyrën e zbukurimit të objekteve metalike të epokës së hekurit duket se vijnë edhe në zbukurimin e stolive arbërore. Thuajse i gjithë thesari i motiveve të zbukurimit të kulturës ilire përsëritet në objektet e kulturës së Komanit; kështu në fibulat, në byzylykët, varëset e mëdha të rrypave e deri tek unazat shihen të ngulitura motive të njëjta me ato të zbukurimeve ilire të Matit e Glasinacit (Bosnjë).
    Kur flasim për elemente të traditës ilire vlen të përmendim një aspekt të botës shpirtërore, të kultit ndaj të vdekurit, të kultit të varrimit, ku treguesit e karakterit tradicional janë të ndjeshëm. Në kulturën e Komanit është përdorur mënyra e varrimit me trup dhe ndërtimi i varreve me pllaka guri në trajtë arke, elemente këto të ritit dhe të arkitekturës të trashëguar nga koha ilire e epokës së hekurit. Një fakt shumë i rëndësishëm është ai i ripërdorimit të tumave ilire për një kohë shumë të gjatë si vendvarrim, që nuk është një rastësi, por lidhet me një botëkuptim të caktuar religjioz, që shpreh vazhdimësinë e një tradite nga e njëjta popullsi. Nga historiku i kërkimeve arkeologjike njihen shumë raste të dhunimit të varreve nga popujt e ardhur, nga popujt etnikisht të ndryshëm, por kur është rasti për ripërdorimin e së njëjtës varrezë kjo mund të ndodhë të përdoret për varrim vetëm nga e njëjta popullsi. Madje në këtë rrugë shkohet edhe më tej, deri në përdorimin si inventar të objekteve të mirëfillta ilire, si relike të një kohe shumë të lashtë, siç janë sumbullat gjysmësferike prej bronzi.
    Këtyre dukurive të trashëguara nga lashtësia ilire u vjen në mbështetje dhe zakoni i thyerjes së enëve në varr gjatë ceremonialit, i cili ka qenë praktikuar në kohën ilire e përsëritet në të njëjtën mënyrë edhe në ritin mortor të kulturës së Komanit.
    Elementet e kulturës ilire që vijnë përmes shekujve në kulturën arbërore, janë një dëshmi e vijimësisë së banimit të truallit tonë nga e njëjta popullsi.
    Trashëgimia romake
    Përfshirja e Ilirisë në kuadrin e perandorisë romake ndikoi fuqimisht në futjen e një tog elementesh në kulturën e banorëve vendas. Në shekujt e parë të e.sonë me fuqizimin ekonomik e administrativ të perandorisë, prodhimet e artizanatit romak mbushin gjithë tregun. Prodhimet e shumta e të kategorive të ndryshme romake dalloheshin për karakterin praktik, lehtësinë e përdorimit dhe efektivitetin në prodhim.
    Gjatë shekujve III-IV e.sonë me fuqizimin e provincave, pati një gjallërin dhe fuqizim të elementit vendas, të cilët bëhen më të qartë e më veprues gjatë antikitetit të vonë - shek. IV-VI e.sonë. Kështu disa stoli i përshtaten më mirë veshjes duke u pasuruar me elementë të rinj, kurse midis veglave të punës të bien në sy sëpatat e latushat, në një kohë që në poçari vazhdojnë të prodhohen tipe të njohura enësh.
    Përbërësi i kulturës bizantine
    Përbërësi i tretë i kulturës arbërore është ai bizantin. Dhe kjo është një rrjedhojë e natyrshme historike e përfshirjes së vendit nën ombrellën e administratës dhe kulturës bizantine. Durrësi ishte një port i hapur që
    lidhte Adriatikun me Konstandinopojën dhe si i tillë u bë një qendër e rëndësishme e kulturës bizantine në mesin e trevës së kulturës arbërore, duke u bërë përçues i prodhimeve më të mira të kohës. Si shembull mund të përmendim një grup stolish, sidomos vathësh që u prodhuan nën ndikimin apo sipas modeleve bizantine. Modelet bizantine u dhanë mundësi artizanëve të krahinave arbërore të punonin forma të veçanta e të bukura vathësh, më tepër në argjend e bronz, të cilat u bënë pak nga pak pronë e popullsisë arbërore të trevës së përhapies së kulturës së Komanit. Në kulturën e Komanit ka edhe disa stoli tipike bizantine si vathë prej floriri, brosha, etj., të cilat u parapëlqyen dhe u përdorën nga një pjesë e popullsisë së pasur, kryesisht qytetare. Pjesa më e madhe e këtyre prodhimeve erdhi e gatshme nga atelietë e njohura perandorake, kurse disa prej tyre u prodhuan në punishtet e Durrësit, pa ndonjë ndryshim me objektet e importuara nga qendrat e njohura. Prania e disa stolive, që i përkasin qytetërimit të hershëm bizantin, tregon për një ndikim të këtij të fundit, që ka shumë mundësi të jetë bërë nëpërmjet qytetit të Durrësit, portit më të madh të Perandorisë Bizantine në perëndim. Por ky ndikim nuk ka qenë i njëllojtë në territorin e kulturës arbërore. Kështu në varrezën e Krujës elementet kulturore bizantine janë relativisht të shumtë, kurse në varrezat në brendësi të vendit ato janë më të rralla.
    Prania e stolive bizantine të importuara nga vendësit ose e prodhimeve të realizuara sipas modeleve bizantine në kulturën arbërore, është dëshmi e përhapjes tek arbërit të stolive më të mira të kulturës bizantine, si kultura më e përparuar e kohës.
    Krishtërimi si faktor i formimit të arbërve
    Krishtërimi, i cili lindi në pjesën lindore të Perandorisë Romake në Palestinë, mbi bazën e legjendave dhe e besimeve të ndryshme; në rrugën e gjatë të formimit dhe të zhvillimit, në vende dhe epoka të ndryshme, ai ka marrë trajtën e rrymave të ndryshme Në Shqipëri krishtërimi njihet vetëm me dy rite: ortodoksizmi dhe katolicizmi. Krishtërimi filloi të përhapej në Iliri që në kohët apostolike (shek. I të e.sonë) si fe ilegale dhe vetëm në gjysmën e parë të shek. IV e.sonë u bë fe zyrtare nga shteti romak. Në zonat bregdetare të Ilirisë krishtërimi triumfoi përfundimisht mbi paganizmin gjatë shek. II – IV të e. sonë, kurse në zonat e brendshme e malore gjatë shek. V – VI të e. sonë.
    Koha kur u paraqit krishtërimi si fe e së ardhmes ishte periudha kur Perandoria Romake po kalonte krizën e përgjithëshme politike, ekonomike, juridike, kulturore e morale. Në këto kushte të ndryshme shoqërore e shpirtërore kultet e deriatëhershme, pagane e politeiste, nuk mund t’u përgjigjeshin problemeve themelore të krizës shpirtërore e morale që kishte përfshirë tërë perandorinë. Në një gjendje të tillë paraqitet krishtërimi me doktrinën e tij”.
    Me njohjen e krishtërimit, si fe zyrtare, u krijuan dhe institucionet, kishat dhe manastiret e rrjedhimisht edhe hierarkia kishtare: priftërinjtë, peshkopët, kryepeshkopët, dhe dioqezat e tyre. Në periudhën e antikitetit të vonë, strukturat kishtare, në Iliri, ishin organizuar mbi bazën e provincave të tilla ishin: provinca e Dardanisë, e Prevalit, e Epirit të Ri dhe e Epirit të Vjetër; dhe secila prej tyre kishte nga një kryeqëndër. Pas ndarjes së Perandorisë Romake ato u përfshinë në prefekturën e Ilirikut Lindor, vartësia kishtare e të cilit ka lëvizur midis Romës e Konstandinopojës. Duke filluar nga gjysma e parë e shek. VIII (v.732) deri në shek. X disa peshkopata vareshin nga Roma disa nga Patrikana e Kostandinopojës.
    Në fillimet e krishtërimit vlen të veçojmë dy anë të përmbajtjes së kësaj doktrine të re që luajtën rol në gjithë historinë e qytetërimit evropian. Kisha e krishtere është bartëse e institucioneve dhe e normave shtetërore romake. Kisha romake dhe ajo ortodokse, jo vetëm që ruajtën organet juridike e institucionale romake, përmes organizimit të shteteve të reja të popullsive barbare që u formuan me shkatërrimin e Perandorisë Romake, por kisha me institucionet e veta dhe aparatin që krijoi (është fjala për skriptoriumet-mjedise ku kopjoheshin e rishkruheshin librat e trashëguara nga antikiteti) u bë transmetuese e ideologjisë kristiane dhe e trashëgimisë letrare e historike të kohës greke e romake.
    Gjatë antikitetit të vonë kur dyndjet e barbarëve u bënë një rrezik për Perandorinë Romake dhe të për gjithë qytetërimin antik, njohja zyrtare e krishtërimit dhe konsolidimi i tij me institucionet kishtare, u bë një
    faktor i rëndësishëm i qëndresës së popullsisë vendase ndaj popujve barbarë, jo vetëm nga niveli i lartë kulturor, nga gjuha e shkruar por edhe nga besimi i ri i së ardhmes.
    Për të ndriçuar rëndësinë dhe rolin që luajti kristianizmi në trojet shqitpare gjatë antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme na vijnë në ndihmë dëshmitë arkeologjike, siç janë 50 kishat paleokristiane të zbuluara në tërë territorin e Shqipërisë.
    Si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e përhapjes së fesë së krishtere në trevat ilire fillojnë ndërtimet e hershme të kultit kristjan që në shek. IV, si në provincën e Prevalit, me qendër Shkodrën, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun dhe në provincën e Epirit të Vjetër me qendër Nikopojën. Nga burimet historike kishtare dhe listat administrative të kohës provohet se në vendin tonë kanë qenë këto peshkopata: Skodra, Lisus, Dyrrahu, Skampini, Apolonia, Aulona, Bylisi, Amantia, Buthroti, Foinike, Anhiasmi (Saranda), Adrianopolis
    (Teqe e Melanit-Gjirokastër). Siç shihet në shtrirjen e tyre gjeografike ato mbulojnë të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë vendosur vetëm në qendrat kryesore po edhe në brendësi të vendit.
    Edhe për periudhën e hershme mesjetare u ruajt organizimi i vjetër kishtar, i trashëguar nga antikiteti i vonë. Për mëse dy shekuj (IV-V e.sonë) nuk vërehen ndërtime të reja, por ruhen godinat paleokristiane, duke u përshtatur dhe meremetuar, sipas mundësive të kohës. Gjysma e dytë e shek. V e.sonë e veçanërisht shek. VI karakterizohen nga një zhvillim i vrullshëm, nga ndërtime bazilikash të reja, me përmasa të mëdha, me elemente dekorative të pasura dhe me dysheme të shtruara me mozaik cilësor. Të tilla janë bazilika e Arapajt (Durrës), e Linit (Pogradec), 7 bazilika në Bylis, bazilika në Ballsh, në Sarandë, në Tepe (Elbasan), në Zaradishtë (Korçë), në Antigone (Gjirokastër), në Mesaplik (Vlorë), etj. Këto monumente të kultit të hershëm bizantin janë dëshmi e një zhvillimi të vrullshëm ekonomik, një rilindje e kulturës dhe e artit, të cilat ishin njëkohësisht rezultat i fuqizimit dhe konsolidimit të krishtërimit. Në këtë kontekst historik duket qartë roli i rëndësishëm që ka luajtur krishtërimi në forcimin e një uniteti të ri shpirtëror në tërë territorin e provincës së Ilirikut.
    Kuptimi historik i ndryshimeve kulturore nga antikiteti i vonë në mesjetën e hershme
    Në burimet e shkruara, për herë të fundit ilirët do të përmenden në historinë e krishterë në Euagrit (Euagr II, 18), kur bëhet fjalë për luftën e Bizantit kundër avarëve në vitin 584; kurse kronistët bizantinë të shek.XI e.sonë e më pas do të përdorin emrin Albanoi, Arbanitoi.
    Dy të dhënat e mësipërme historike, shumë të shkëputura nga njera tjetra, dy emërtime të të njëjtës popullsi në një hapësirë kohore prej katër shekujsh, dëshmojnë se duhet të kërkohet ndihma dhe mbështetja në të dhënat e arkeologjisë, të gjuhësisë e të antropologjisë për të spjeguar këtë kalim të madh nga ILIRËT tek ARBËRIT.
    Problemi i parë që shtrohet, e natyrisht kërkon përgjigje, është ai i rolit që luajti komponenti romak në formimin e kulturës së hershme mesjetare shqiptare ose, i thënë ndryshe, problemi i romanizimit të Ilirisë. Disa nga dëshmitë arkeologjike që i shfrytëzojnë studiuesit shqiptarë kur shqyrtojnë këtë problem janë të dhënat e përftuara nga varrezat e kohës romake, nga të cilat rezulton se në territorin e Ilirisë së Jugut, në varret e qyteteve, njëkohësisht edhe në kolonitë e Dyrrahut e Buthrotit është përdorur riti i varrimit me djegie. Në zonat e tjera bregdetare apo të brendëshme vazhdon të përdoret riti me vendosje kufome, në varre që kanë formën e një arke, apo që janë ndërtuar me tjegulla të vendosura në formë çatie. Këto fakte flasin jo për romanizim në kultin e varrimit, por për vazhdimësi të një tradite të mëparëshme.
    Efekti ndikues i kulturës romake ndaj asaj vendase duket edhe në fushën e kulteve, në fushën e artit, të skulpturës dhe në veshjet. Duke shqyrtuar më në detaje marrëdhëniet e elementeve të kulturës romane me atë vendase, studiuesit janë ndalur edhe në monumentet funerale (gurë varresh me reliev e me mbishkrime) të cilat janë gjetur me shumicë në Iliri. Ajo që i karakterizon këto monumente funerale të antikitetit të vonë
    është veshja ilire që kanë figurat e skalitura, të cilat ruajnë elemente të artit helenistik, të harmonizuara me stilin vendas. Kështu fjala vjen, elementin më karakteristik të veshjes e japin një numër i madh relievesh mortore, në të cilat zotëron veshja tradicionale ilire, me një thjeshtëzim të prerjeve në veshjet e grave dhe me mbizotërimin e dalmatikës në veshjet e burrave (Gjergji,A. 1969, 153-161).
    Një fushë ku kultura romake la gjurmë të fuqishme në Iliri ishte ajo e kulteve, duke i unifikuar hyjnitë me ato të panteonit romak. Kjo u shpreh në radhë të parë në veshjen e jashtme të perëndive vendase, duke u dhënë atyre atribute romake (interpretatio romana). Kultet që gjetën romakët në Ilirinë e Jugut i ndryshuan, fjala vjen, hyun kryesor të fisit ilir të parthinëve, të cilin e identifikuan me Jupiterin, por me gjithë atë ai do të quhej Jupiter Parthinus. Kështu u veprua edhe me hyjneshën tjetër vendase të cilën e cilësuan Diana Candavensis. Për t’u shënuar është edhe vazhdimi i kultit të lashtë të nymfave, i cili në antikitet kishte si qendër trevën e bylinëve (rreth qytetit Bylis) ndaj quhej Nymfaioni i bylinëve. Në fushën e kulteve vihet re edhe një forcim i besimeve të vjetra, veçanërisht i atyre që lidheshin me tokën (Hermesi), me ujin (Redoni), me luftën (Bindi), me blegtorinë (Diana) etj. Mund të veçonim hyun e pjellorisë, i cili është ruajtur me paraqitjen ikonografike tradicionale dhe si i tillë është identifikuar vetëm në Ilirinë Jugperëndimore.
    I parë në tërësi, vendi i rëndësishëm që vazhduan të kenë këto perëndi në jetën e përditëshme të banorëve vendas, kufizoi mjaft futjen e perëndive të tjera. Ky është një tregues i fuqishëm i qëndresës së vendasve ndaj panteonit romak dhe rrjedhimisht ndaj romanizimit në tërësi.
    Argumente të fortë që dëshmojnë kundër romanizimit, janë të dhënat që vijnë nga mbishkrimet latine (të cilat i kemi parashtruar në sythin për gjuhën) që provojnë se popullsia vendase nuk u zhduk as u asimilua.
    Tërësia e këtyre të dhënave arkeologjike e linguistike i ka çuar studiuesit shqiptarë në përfundimin se gjatë pushtimit të Ilirisë nga Roma, ilirët ruajtën elemente të shumtë të kulturës materiale e shpirtërore të tyre dhe për pasojë u ruajt dhe elementi etnik vendas. Ky përfundim përputhet me mendimin e studiuesit të njohur të historisë së Romës, Th.Momsen, i cili që në gjysmën e dytë të shek. XIX: “Nga të tilla rrethana u bë e mundur që kombësia ilire t’i qëndrojë romanizimit më mirë në sinorin e guvernatorisë maqedone (ku hynte territori i sotëm i Shqipërisë, M.K), sesa në atë të Dalmatisë; në atë rron kombësia-ilire dhe sot e kësaj dite edhe në kohën perandorake, me përjashtim të Apolonisë greke dhe të kolonisë romake të Dyrrakiumit, krahas dy gjuhëve të perandorisë, në tokat e brendëshme populli duhet të ketë folur ilirishten.” (Mommsen,Th. 1938, 190-191).
    E parë në tërësinë e ndryshimeve, e shbërjes e bërjes, koha e antikitetit të vonë ka qenë një periudhë vendimtare në historinë e ilirëve të jugut, koha kur u krye procesi konvergues i kulturës materiale e shpirtërore, kur mori impulset e para procesi tjetër, procesit i formimit të shqiptarëve të hershëm – arbërve.
    Marrëdhëniet e kulturës arbërore me atë avaro-sllave
    Gjatë mesjetës së hershme në Ballkan dynden dhe gradualisht vendosen sllavët; si rrjedhim harta etnike e gadishullit pësoi ndryshime të ndjeshme. Dyndjet e sllavëve nuk u zhvilluan njëlloj edhe me të njëjtin intensitet në të gjithë trevën e Ballkanit. Krahinat lindore, si Thrakia e ato veriore u invaduan më shumë; gjithashtu lugina e lumejve Morava e Vardar ishin rrugët kryesore nëpër të cilat kaluan sllavët dhe avarët, që synonin të pushtonin Thesalonikun e më në lindje dhe Konstandinopojën. Kurse krahinat perëndimore mbetën jashtë valës së madhe të dyndjes avaro-sllave, po ato nuk u shpëtuan grupeve të vogla kalimtare të kësaj dyndjeje. Nga burimet e shkruara ka një njoftim nga Prokopi i Cezarisë që flet për një sulm të sllavëve në Ilirik, të cilët arritën deri në Dyrrakium; nga një njoftim i Eugrit mësojmë për praninë e avarëve në periferi të Dyrrahiumit; ndërsa papa Grigori i Madh flet për pushtimin dhe rrënimin, nga barbarët, të qytetit Rizon (Mal i Zi) e të Lezhës në vitin 591-592. Një njoftim tjetër bën fjalë për grupe sllavësh, të cilët pushtuan edhe krahinën e Shkodrës. Nga kronikat greke të shek. IX e.sonë mësojmë se hordhi avaro-sllave, gjatë invazionit të tyre në vitin 587 për në jug, kishin pushtuar Greqinë, Thesalinë dhe Epirin e Vjetër. Më 614-616 një valë e dytë avaro-sllave pushtoi Epirin dhe Selanikun ku ishte strehuar një pjesë e popullsisë që
    kishte ikur nga Panonia, Dakia e Dardania, si edhe nga qytetet Naisa e Serdika, të shkatërruara këto nga barbarët.
    Nga këto burime, natyrisht jo të plota, bie në sy fakti se nuk flitet për banorë të ikur nga provincat perëndimore, nuk flitet as edhe për emra fisesh sllave të vendosura në këto treva. Po nga këto burime bizantine kemi njoftime e të dhëna, për emrat e një tog fisesh sllave të cilat u vendosën në Thraki, në Maqedoni si edhe në provinca të tjera lindore.
    Po të krahasoheshin këto dëshmi të burimeve historike me të dhënat e mëvonshme për pushtimet bullgare të viteve 851-1018, të cilat përfshinë Shqipërinë Jugore dhe arritën deri në Durrës dhe më në veri edhe në shtetin e Zetës (në veri të krahinës së Shkodrës), situata paraqitet krejt ndryshe. Kjo valë e dytë e pushtuesve sllavë ishte me pasoja, mbasi ata u ngulën në pjesën më të madhe të territoreve të pushtuara. Për këtë flasin shumë toponime sllave që ndeshen në të gjithë territorin e vendit tonë.
    Të dhënat shumë të pakta nga burimet e shkruara i plotësojnë në shumë anë burimet materiale arkeologjike të kulturës arbërore, të cilat i kemi bërë të njohura në fillimet e kësaj parashtrese për kulturën e Komanit. Ato dëshmojnë për unitetin e kulturës arbërore të zbuluar në tërë territorin e vendit tonë, për karakterin autokton të saj, rrjedhimisht për origjinën ilire të banorëve të këtyre trevave.
    Në parashtresën që kemi bërë për shtrirjen më lart për shtrirjen gjeografike të kulturës arbërore provuam se ajo nuk ka qenë një kulturë që u zhvillua vetëm në një zonë të mbyllur malore, por shumë më gjërë. Rrjedhimisht, bie poshtë pikëpamja e disa studiuesve që pranojnë si hapësirë jetësore të stërgjyshërve të shqiptarëve vetëm krahinat e Matit. Sa i pambështetur është arkeologjikisht ky mendim, mjafton të kujtojmë se prania e varrezave të mëdha të kulturës së Komanit pranë kështjellave të Krujës, të Lezhës, të Shurdhahut, të cilat gjatë mesjetës do të bëhen qendra të rëndësishme qytetare shqiptare.
    Burimi që kemi nga Hierokli (Hieroclis Synecdemus, 651, 652, 653), tregon se në shek. VI e.sonë, në të trija provincat ku shtrihet territori i sotëm i Shqipërisë, numëroheshin 20 qytete, të cilat gjendeshin kryesisht në ultësirën bregdetare dhe pranë rrugëve kryesore. Kjo tablo mbetet pak a shumë edhe në mesjetën e hershme. Në qytetet Skodra, Lis, Dyrrahium, Aulona, Kanina, Chimera (Himara), Sopot (Borsh), Onkiazëm (Saranda), Buthrot, jeta ka vazhduar edhe gjatë mesjetës. Popullsia vendase ruajti edhe emrat e lashtë të tyre dhe sipas gjuhëtarëve, ruajtja e emrave me ndryshimet fonetike që pësuan ata në bazë të ligjësisë së zhvillimit historik të gjuhës shqipe përbën një provë më shumë në favor të vijimësisë së banimit nga e njëjta popullsi.
    Gërmimet arkeologjike në disa nga këto qytete dhe qendra të fortifikuara, si në Pogradec, Berat, Kaninë, Butrint, etj., kanë dhënë një material arkeologjik dhe depozitime të shtresave kulturore nëpërmjet të cilave ndiqet mjaft mirë vazhdimësia e banimit. Kultura e këtyre qendrave ka tipare të njëjta për periudhën e shek. VII-XI dhe bashkë me qendrat e tjera të vendit si Kruja, Lezha, Danja, Sarda, Ulqini, Tivari, Prizreni, etj. ato u bënë bazë e zhvillimit të ekonomisë mesjetare. Në shek. XI disa prej tyre marrin formën e qyteteve tipike mesjetare, duke u bërë edhe qendra të zotërimeve feudale. Pikërisht në këto qendra, në shekujt që vijnë, XI-XIV, ndeshim popullsinë e formuar arbëreshe.
    Këto dëshmi arkeologjike tregojnë se procesi i formimit të popullsisë arbërore nuk ishte një proces i mbyllur, i zhvilluar mbi bazën e elementeve konservatorë e në një mjedis të izoluar malor, por përkundrazi procesi i formimit të shqiptarëve të hershëm – arbërve, u krye në një hapësirë të gjërë që përfshinte pothuajse gjithë territorin ku u zhvillua kultura e Ilirisë së Jugut, duke patur në bazë një traditë të gjatë shumë shekullore.
    Varianti jugor i kulturës arbërore
    Zbulimet e bëra gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit të shek. XX, në disa varreza arbërore të mesjetës së hershme, në territorin e Shqipërisë Jugore e Juglindore hapën një horizont të ri dhe shumë më të gjërë, për t’u njohur me tiparet e kulturës arbërore, të këtyre trevave të panjohura më parë. Gjithashtu, nxjerrja në pah e kësaj kultura të re bëri të mundur krahasimin e saj me kulturën shumë të njohur të Komanit.
    Të dhënat për këtë kulturë të re vijnë nga varrezat mesjetare të zbuluara në tumat e Prodanit e Rehovës (rrehti i Kolonjës), të Piskovës dhe Rapckës (rrethi i Përmetit), të Dukatit (rrethi i Vlorës), të Patosit (rrethi i Fierit) dhe nga disa varre të veçanta në rrethin e Skraparit. Lënda arkeologjike e zbuluar në këto varreza u takon dy periudhave kohore: mesjetës së hershme shek. VII-VIII dhe një periudhe më të vonë shek. IX-XI.
    Ripërdorimi i tumave ilire për varrim gjatë mesjetës, arkitektura e njëjtë e varreve, riti i njëjtë i varrimit si edhe inventari shoqërues dëshmuan se kemi të bëjmë me një kulturë të formuar dhe kompakte. Në përbërjen e saj dallohen elemente kulturor që vijnë nga antikiteti i vonë dhe si të tilla dëshmojnë për vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të saj. Po përmbajtjen themelore e përbëjnë elementet e reja që u formuan në kushtet historike të mesjetës së hershme. Këto tipare të kulturës erdhën duke u zhvilluar në mënyrë të shkallë-shkallëshme, duke u pasuruar edhe me elemente të kulturës bizantine, të kulturës më të zhvilluar të kohës. Duke krahasuar këta tregues të variantit jugor të kulturës së mesjetës së hershme me kulturën arbërore të Komanit vihen re ndryshime të pjesëshme që janë shprehje e veçorive lokale të kristalizimit të saj. Po të rëndësishme janë edhe përfundimet historike që nxirren nga interpretimi i kulturës të këtij varianti jugor. Të dy këto variante apo grupe kulturore, - shkruan N.Bodinaku, -janë pjesë përbërëse të një kulture të vetme me veçori krahinore dhe bartësit e tyre janë shqiptarët e hershëm – arbërit (Bodinaku,N. 247).
    *
    Në përfundim të shtjellimit që u bëmë problemeve etnogjenetike të popullit shqiptar, e quajmë të nevojshme dhe me vlera praktike të paraqesim në formë të përmbledhur, në formën e një tabele kronologjike, shtrirjen kohore të përdorimit të emrave parailirë, ilirë, arbër e shqiptar. Në hartimin e kësaj pasqyre kemi patur parasysh përfundimet e arritura nga shumë studiues që janë marrë me interpretimin e këtyre etnikoneve.
    Emri kombëtar mesjetar arbër e Arbëri (Albani) është trashëguar nga onomastika ilire. Burimet historike, sidomos veprat e autorëve antikë që kanë arritur deri në ditët tona, japin emra vendesh, personash e popullsish të formuar me rrënjën arb (alb) dhe që hasen kryesisht në territorin e Ilirisë së Jugut dhe të Ilirisë Qendrore: arbaios – për arbër, mbishkrim i shek. III p. e. sonë gjetur në Finiq; qyteti Arbon, përmendet nga historiani antik Polibi, shek. II p. e. sonë; qyteti Albanopoli si dhe albanët, hasen në veprat e Ptolemeut, shek. II e. sonë; popullsia me emrin abroi dhe qyteti Arbon, me banorët e tij arbonios e arbonites përmenden nga Stefan Bizantini, shek. VI e. sonë.
    Nga këto të dhëna, qoftë edhe të fragmentuara, thënia e Ptolemeut se në shpinë të Dyrrahut banonte një fis ilir me emrin arbër, albanoi (Ptoleme 12, 2) përbën bazën e përhapjes së përdorimit të dy emërtimeve njëkohësisht. Në burimet e shkruara latine përdorej etnikoni alvanoi, kurse në gjuhën e folur të vendasve u ruajt në trajtën arbanoi. Gjatë shek. VII – VIII të e. sonë, me lulëzimin e kulturës së hershme mesjetare shqiptare dhe më vonë, popullsia vendase u bë gjithnjë e më e rëndësishme. Ajo ruajti emrin e lashtë të cilin ia dha gjithë krahinës Arbanon, Arbëri. Ky emër i një territori të kufizuar, përafërsisht i viseve midis Durrësit, Ohrit e Dibrës, treva që kishin të njëjtat karakteristika me banorët e arbanonit, duke përfshirë këtu Prevalinë, Epirin e Ri, Epirin e Vjetër dhe Dardaninë. Duke u nisur nga një territor i ngushtë, emri arbër dhe Arbëri erdhi duke u zgjeruar deri sa u bë i përgjithshëm. Ky përgjithësim u favorizua nga faktorë konvergues, ekonomik, kulturor, gjuhësor dhe etnik, të cilët ishin të njëjtë për tërë popullsinë e provincave që përmendëm dhe që rrjedhimisht morën të njëjtin emër Arbëri. (Për spjegime më të hollësishme shih. Çabej, E., Studime etimologjike, II, III; Demiraj, Sh., 213 – 228; Xhufi, P., 7 – 21).
    * * *
    Tërësia e të dhënave gjuhësore e arkeologjike dhe interpretimi historik tyre të çon në konkluzionin se teza e autoktonisë së shqiptarëve lidhet drejt për drejt me burimin ilir. Shqiptarët e sotëm banojnë në një truall i cili
    në kohën e tejlashtë ka qenë banuar nga një popullsi paleoindoevropiane, në kohën historike (antike) ka qenë banuar nga ilirët dhe në kohën e mesjetës së hershme nga pasardhësit e tyre - arbërit.
    Kjo është një sintezë e zhvillimit historik të banorëve të vendit tonë, mbështetur në studimet e gjuhëtarëve, të historianëve, të arkeologëve antropologëve, etj. Por është edhe një e vërtetë tjetër: fakti që populli shqiptar gjendet në këto troje,duke ruajtur brez pas brezi, në shekuj, gjuhën dhe kulturën e tij, dëshmon qënien e tij si një
    popull i lashtë. Ai ka dhënë e ka marrë me popujt e kulturat fqinje, por përherë ruajti identitetin e tij.
    Pasqyrë kronologjike e përdorimit të emrave
    Parailirë-ilirë-arbër-shqiptarë
    Parailirë (Pellazgë?) -Koha e bakrit, mijëvjeçari i tretë dhe koha e bronzit të hershëm, mijëvjeçari i dytë - mesi i mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë.
    Paleolirë -Koha e bronzit të vonë, shek. XIV-XI p.e.sonë.
    Ilirë -Koha e hekurit, shek.XI-V p.e.sonë. Periudha e qytet-shtetit ilir, shek. V-II p.e.sonë, periudha e pushtimit romak, shek.II p.e.sonë -III e.sonë. Koha e antikitetit të vonë, shek. IV-VI e.sonë.
    Arbër -Koha e mesjetës së hershme, shek. VII - XIII.
    Shqiptarë -Koha e mesjetës së mesme e vazhdim.
    BIBLIOGRAFIA
    Anamali, S., Lidhjet e kulturës së hershme mesjetare shqiptare me kulturat fqinje, “Studime historike”, 1965, 2.
    Anamali, S., Mbi kulturën e hershme shqiptare, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë, 1969, fq. 185 – 201, “Studime historike”, 1969, 2.
    Anamali, S., Nga ilirët tek arbërit, “Iliria”, V, 1976
    Anamali, S., Nga ilirët tek arbërit, “Studime historike”, 1973, 3.
    Anamali, S., Problemi i kulturës së hershme mesjetare shqiptare në dritën e zbulimeve të reja arkeologjike, “Studime historike”, 1967, 2.
    Anamali, S., Problemi ilir dhe i gjenezës së shqiptarëve në dritën e kërkimeve arkeologjike shqiptare, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë , 1969.
    Anamali, S., Vazhdimësia e kulturës ilire në kulturën e hershme mesjetare shqiptare, “Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike”, Tiranë, 1965.
    Anamali, S., Korkuti,M Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve në dritën e kërkimeve arkeologjike shqiptare, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë, 1969.
    Barić, H.Albanorumänische Studien I, 1919.
    Benac, A., O identifikaciji iliriskog etnosa, “Godisnjak” XI, Center za balkanoloska ispitivanja, Sarajevo, 1973.
    Benac, A., Prediliri, protoiliri i prailiri, “Simpozijum”, Sarajevo, 1964.
    Bodinaku, N., Kultura e varrezës së hershme mesjetare shqiptare në luginën e sipërme të Vjosës të Përmetit, “Iliria”, 1983, 1.
    Bonfante, G., Gli elementi illirici nella mitologia greca, “Archivo glottologica Italiano”, Firenze, 1968, LIII, f. 102- 103.
    Buda, A., Ilirët e Jugut si problem i historiografisë, “Kuvendi I i Studimeve Ilire”, Tiranë, 1974, vëll. 1.
    Budimir, M., Iliri i prailiri, “Vjesnik”, 1950 – 51, LIII, Split, 1952.
    Budimir, M., Ilirski problem i leksicka grupa teuta. “Vjesnik za arheologiju i historiju dalmatimsku”, LV, 1953.
    Bulle, H., Ausgrabungen bei Aphiona auf Korfu, “Mitheilungen Deutschen Arch. Inst.”, Athenische Abteileng 59, 1934.
    Caratelli, G. P.Prime fasi della colonizzazione greca in Italia, “Atti del I Convegno di Studi sulla Magna Grecia”, 1961.
    Ceka, H., Të cilës kohë janë varret e Komanit, “Buletini i Institutit të Shkencave”, 1949, 2.
    Ceka,N.,Vështrim mbi zhvillimin e jetës qytetare tek ilirët e jugut, “Iliria”,1985,2.
    Çabej, E., Mbishktime unazash të Shqipërisë Veriore, “Buletin i shkencave shoqërore”, 1957, 2.
    Çabej, E.,Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, Tiranë 1960.
    Çabej, E.,Ilirishtja e shqipja, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë, 1969.
    Çabej, E.Problemi i vendit të formimit të gjuhës shqipe, “Kuvendi I i Studimeve Ilire”, Tiranë, 1974, II
    Degrand, A., Souvenirs de la Haute Albanie, Paris, 1901.
    Demiraj, Sh.,Gjuha shqipe dhe historia e saj, Tiranë 1988.
    Demiri, Sh., Arkeologjia dhe autoktoniteti i Illyro-shqiptarëve, “Illyria” 1935, nr. 36; 1936, nr. 37.
    Doda, N., Varreza arbërore e Prosekut (Mirditë), “Iliria”, 1989, 1.
    Domi, M., Prapashtesa ilire dhe shqipe, përkime e paralelizma, “Kuvendi I i Studimeve Ilire”, Tiranë, 1974, II.
    Domi, M.,Diskutim për referatin e E. Çabejt “Ilirishtja dhe shqipja”, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë 1969.
    Dhima, A., Antropologjia etnike dhe problemi i origjinës së popullit tonë, “Shkenca dhe jeta”, 5, 1976.
    Dhima, A., Materiale skeletike nga tuma e Piskovës (Përmet), “Iliria” 1, 1981.
    Euagri Historia ecclesiastica.
    Fresher, K., Les albanais et byzance aux Vie – Xie siècles, “Oi alvanoi sto mesaiona”, Athina, 1998.
    Garasanin, M., Ilirët dhe prejardhja e tyre, “Përparimi”, Prishtinë 1, 1955.
    Gavela, B., O arhaeloskom identifikovanju iliriskog etnosa, “Materjali VIII Simp. Praistor, sek. arh. društ, Jugoslavija”, Beograd, 1971.
    Gavela, B., O iliriskom substratu na Balkanu, “Godišnjak”, Sarajevo III, 1965.
    Gavela, B., Sur les premiers Illyres dans le domaine Balkano – Danubien, “Bericht über don V Inter. Kong. F. V”; Frühg, Hamburg, 1961.
    Georgiev, V. I.Ilirët dhe fqinjët e tyre, “Kuvendi I i Stuimeve Ilire”, Tiranë, 1974, I
    Gjergji, A., Elemente të përbashkëta të veshjes së viseve të ndryshme ilire dhe vazhdimësia e tyre në veshjet tona popullore, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë 1969.
    Gjinari, J.,Mbi vazhdimësinë e ilirishtes në gjuhën shqipe, “Ilirët dhe gjeneza e shqiptarëve”, Tiranë, 1969.
    Hahn, J. G., Albabesiche Studien, Jena 1854, vëll. I.
    Hehn, F.,Vorgeschichtliche Welt, “F. G. Cotta’ sche Buchhandlung”, Nachf., Stuttgart, 1962.
    Herodoti Historiae
    Hieroclis Synecdemus, Teubner, Leipzig 1893.
    Historia e popullit shqiptar, Tiranë 2002, vëll. I.
    Historia e Shqipërisë, Tiranë 1959, vëll. I.
    Ilirët dhe Iliria tek autorët antik, Tiranë, 2002.
    Islami, S., Ceka, H. Zbulime të kulturës ilire në luginën e
    Prendi,F., Anamali,S., Matit, “Buletini i shkencave shoqërore” 1, 1955.
    Islami, S., Ceka, H., Të dhëna të reja mbi lashtësinë ilire në territorin e Shqipërisë, “Konferenca I e Studimeve Albanologjike”, Tiranë 1965.
    Istoria Bollgarii, Moskva, 1954, vëll. 1.
    Jokli, N., Reallexikon der Vorgeschiechte I, 1924.
    Kanaculi, Dh., Maqedonia perëndimore gjatë kohëve të lashta (leksion), Selanik, 1958.
    Katičić, R., Antroponime ilire dhe problemi i etnogjenezës së shqiptarëve, “Kuvendi I i Studimeve Ilire”, Tiranë, 1974, I.
    Konda, S., Shqiptarët dhe problemi pellzagjik, Tiranë, 1964.
    Korkuti, M., Mbi disa probleme lidhur me etnogjenezën e ilirëve, “Iliria”, 1982, 1
    Korkuti, M., Neolitikum und Chalkolithikum in Albanien, Mainz, 1995.
    Korkuti, M., Probleme otno-kulturore të epokës së eneolitit në Shqipëri, “Iliria” 15/2, 1985, 43 – 82.
    Korkuti, M., Rreth formimit të etnosit ilir. “Kuvendi I i Studimeve Ilire”, Tiranë 1974, vëll. I.
    Korkuti. M, Andrea, Zh. Stacioni i neolitit të mesëm në Cakran të Fierit, “Iliria” 3, 1974, 45 – 101.
    Kossina, E., Manus, 4, 1912.
    Krahe, H., Sprache und Varzeit, Heidelberg, 1954.
    Kretschmer, P., Ditunija gjuhore indogjermane, Tiranë
    Kretschmer, P., Festlsft Lampros, Athen, 1935.
    Lochner – Hüttenbach, Die Palasger, Wien 1960.
    Maiani, Z., La fin du “mystère” étrusque, Paris, 1970.
    Mansaku, S.,Autoktonia e shqiptarëve në dritën e të dhënave të toponimisë së lashtë, “Studime filollogjike”, 1982, 3.
    Mayer, A., Die Sprache der alten Illyrier, Bvidw I, Wine 1957.
    Mommsen, Th., Das Weltresch der Caesaren, Wien – Leipzig, 1938 (ribotim)
    Nilcken, U., Griechische Geschichte, München, 1960.
    Ognenova, Lj., “Iliriiskijat” nadpis at severna Albanija, “Isledovanija veçest na akad. D. Deçev”, Sofia, 1958.
    Patch, C., Thrakischen Spuren an der Adria, “Jahreshefte Des österreicheschen Archäologischen Institutes in Wine X”, Wine 1907.
    Pittioni, R., Die Urnen ferdelkultur und ilire Bedentung für die Europäische Geschichte, “Celtische Philologie” XX, XXI, 1, Urgeschichte des osterr, Raumes Wine 1954.
    Prendi, F., La civilation préhistorique de Maliq, “Studia Albanica” 3/1, 1966.
    Prendi, F., Neoliti dhe eneoliti në Shqipëri, “Iliria” 6, 1976.
    Prendi, F., Vështrim mbi kulturat neolitike dhe të epokës së bronzit në Shqipëri, “Studime historike”, 4, 1979.
    Prendi, F., Aliu, S., Vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik të rrethit të Kolonjës, “Iliria” 1, 1971.
    Prendi, F., Diskutim rreth kumtesës së S. Islamit e H. Cekës: Të dhëna të reja mbi lashtësinë ilire në Shqipëri, “Konferenca I e Studimeve Albanologjike”, Tiranë, 1965.
    Prendi, F., Tumat në fushën e fshatit Vajzë, “Buletin për shkencat shoqërore”, 1957, 2.
    Ptolemeu Geographia, III.
    Ptolemeu Geographia, V.
    Reche, O., Illyrier, Anthropologie, ne Eberts Reablexicion, III, nr. 18, 6, 1926.
    Reinach, S., Une nécropole en Albanie, “L’Antropologie”, Paris 1901.
    Russu, J. I., Iliri, Bucuresti, 1969.
    Schütt, C.,Untersuchungen zur Geschichte der alten Illyrier, Breslau, 1910.
    Schramm,G.,Anfange Des Albanischen Christentums, Freiburg 1994.
    Vinski, Z.,Nausnice zvjezdolikog tipa u arheoloskom muzeja u Zagrebus posebnom obzirom na nosioce srebnog nakita Cadovica, “Starohrvatskoj Prosvati” III, ser. II, 1952.
    Weigand, G.,Balkanarchiv III, 1927.
    Xhufi, P., Vëzhgime mbi emrin Shqipëri dhe shqiptar në mesjetë, “Studime Historike”, Tiranë, 2001, 2 – 4.
    ILUSTRIMET
    1. Përhapja e fiseve ilire në mijëvjeçarin e parë p.e.sonë.
    2. Territori i Ilirisë në shek. I – III të e. sonë.
    3. Vendbanime dhe nekropole prehistorike të gërmuara.
    4. Qytete dhe qyteza të kohës antike.
    5. Kështjella dhe vendbanime të antikitetit të vonë.
    6. Qyteza, kala dhe varreza të mesjetës së hershme.
    7. Vendbanimi neolitik i Kolshit.
    8. Vendbanimi neolitik i Dunavecit.
    9. Vendbanimi palafit i Maliqit.
    10. Vendbanimi shpellor i Nezirit.
    11. Podgorie. Enë e pikturuar e neolitit të hershëm.
    12. Dunavec. Riton, enë kulti e neolitit të mesëm.
    13. Maliq. Enë me shkëlqim të zi e periudhës eneolitike.
    14. Maliq. Enë e zbukuruar me kanelyra e periudhës eneolitike.
    15. Kamnik. Enë antropomorfe e pikturuar e neolitit të vonë.
    16. Kamnik. Enë e pikturuar e neolitit të vonë.
    17. Podgorie. Figurë balte antropomorfe e neolitit të mesëm.
    18. Dunavec. Figurë balte antropomorfe e neolitit të mesëm.
    19. Dunavec. Figurë balte antropomorfe e neolitit të mesëm
    20. Shtoj. Figurë balte në formë violine e bronzit të hershëm
    21. Maliq. Rrotulla dhe pintadera balte të periudhës eneolitike.
    22. Maliq. Sopata guri të latuara të periudhës eneolitike.
    23. Shpata dhe thikë bronzi, të importuara nga Mikena të periudhës së bornzit të vonë.
    24. Shtoj. Enë dyvegjake me incizim e bronzit të hershëm.
    25. Torovicë (Lezhë). Depo me sopata bronzi të shek. XI – X p.e.sonë.
    26. Tren. Pamje e shkëmbit me pikturën e Trenit.
    27. Tren. Piktura shkëmbore e Trenit e fillimit të kohës së hekurit.
    28. Kuç i Zi. Varëse bronzi antropomorfe e shek. VI p.e. sonë.
    29. Kënetë. Pamje e një tume pas gërmimit.
    30. Barç. Enë dyvegjake e pikturuar, shek X, p.e.sonë.
    31. Barç. Enë me katër vegje, e pikturuar, shek. X – IX p.e.sonë.
    32. Pazhok. Enë me dy vegje, me kanelyra, shek. XII p.e.sonë.
    33. Barç. Enë me një vegje të lartë, me incizim, shek XI – X p.e.sonë.
    34. Piskovë. Enë njëvegjake me grykë oblike, shek. XI – X p.e.sonë.
    35. Barç. Enë e pikturuar, e importuar, shek X – IX p.e.sonë.
    36. Apoloni. Pamje e qendrës së qytetit.
    37. Bylis. Pamje e teatrit antik.
    38. Antigone. Pamje e një banese monumentale.
    39. Lisi. Pamje e mureve rrethuese dhe e qytetit të poshtëm.
    40. Zgërthesh (Albanopoli). Pamje e murit rrethues me kulla.
    41. Bylis. Pamje e shëtitores dhe e një porte në murin rrethues.
    42. Amantie. Pamje e stadiumit, shek. III p.e.sonë.
    43. Selca e Poshtme. Pamje e varrit monumental.
    44. Bylis. Pamje e bazilikës C.
    45. Berat. Pamje e një porte mesjetare.
    46. Koman. Pamje e varrezës pas gërmimit.
    47. Tiranë (muze). Gure varri, në reliev, dy farkëtarë, shek. III – IV e.sonë.
    48. Koman. Unaza bronzi me mbishkrim.
    49. Lin. Pamje e bazilikës dhe e mozaikëve, shek. VI e. sonë.
    50. Krujë. Fibula bronzi me këmbë të përthyer, shek. VII – VIII e.sonë.
    51. Arapaj. Fragment mozaiku, shek. V – VII e.sonë.
    52. Durrës. Mozaiku mural në kapelën e amfiteatrit, shek. VI – IX e.sonë.
    53. Rapckë. Pamje e tumës pas gërmimit.
    54. Krujë. Enë balte, shek. VII – VIII e.sonë.
    55. Krujë. Enë balte me pikturim, shek. VII – VIII e.sonë.
    56. Rapckë. Kanë balte me pikturim, shek. VII – VIII e.sonë.
    57. Piskovë. Kotruve balte me pikturim, shek. VII – VIII e.sonë.
    58. Pema e gjuhëve indoevropiane.


Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire